Wednesday, December 2, 2015

Mall

Unë e di,
ty malli për mua do të të marrë.
Ti mallin, me gjethe të njoma
do thurësh kurorë...
në degë të pemës 
poshtë dritares tënde,
do e varësh.
Në muzg, kur flladi ta përkundë,
ti do dëgjosh 
tingujt e të qeshurës time.

©M.P.

Wednesday, November 25, 2015

Në anije

D.H Lawrence

Shikoji yjet shpirti im
në ujë duken më të shkëlqyer dhe të qartë
se ata sipër nesh, dhe më të bardhë
si zambakë uji.

Hije –yjet  hyjëzojnë , o shpirt,
sa yje në lundrën tënde janë?
sa hije shpirti yt mban
vetëm hijen time shpirt? Vetëm timen?

Kur une lëviz lopatat , shpirt,
shiko si yjet përzjehen
shkartisen, ndriçimit zbehen.
-Kështu i yti shkëlqen më shumë, o shpirt,

I shkreti ujë yje-rrjedhur
ujë i braktisur, i derdhur,
-Qiejt janë të palëkundur – më thua- shpirt
yjet e tij qëndrojnë të patundur.

Ja,  atje tej e pe
yll i këputur ra mbi ne,
as yjet në qiell nuk janë të sigurt
-Po i yti shpirt? Po i yti?

Po sikur, o shpirt, ndonjëherë
i yti të humbë në valën humnerë
do biesh në errësirën si varr
të  mekur, shpirt, do mekesh?

Shqiperoi M.P.

Sunday, November 22, 2015

Krahë-thyer…

Krahë-thyer janë premtimet
sepse njerëzit nuk kanë rrenjë
dhe fjalë e tyre këputet e bie
si degë apo gjethe e lagur në vjeshtë.
Por kur ëndrrat e ushqyera me vesë
mbi bar të njomë flenë gjumin e rremë
dhe nga dritarja e pambrojtur një dorë i vjedh,
kujtoj gjithmonë me mall një vënd
në udhën gjarpëruese Tiranë-Prishtinë
ku dy pemë krahët ngërthejnë me dhimbjen
e turpave që njëri tjetrin nuk arrijnë.
……………………………………………………….
Një lumë-gjarpër rrjedh i tërbuar
nën një urë  psherëtimë.

Monday, November 2, 2015

Të kujtoj…

Pablo Neruda

Të mbaj mend ashtu siç ishe vjeshtën e kaluar
ti ishe ajo bereta gri dhe ajo zemra e heshtur
në sytë e tu flakët e muzgut kafshonin njëra tjetrën
ndërsa gjethet binin mbi ujrat e shpirtit tënd

I rrethova krahët rreth teje si një dredhëz
gjethet e mbështollën zërin tënd që ishte i ngadalshëm dhe i paqtë.
turrë drush në te cilën admirushëm digjej etja ime.
zymbyla të ëmbël të kaltër më ngatërroheshin në shpirt.

Sytë e tu janë nisur tashmë dhe vjeshta është akoma larg
bereta gri, cicërimat e zogjve, zemra sa një shtëpi
në drejtim të së cilës malli im i thellë shtegëton
dhe puthjet që bien të lumtura si xixa zjarri

Qielli sipër një anije. Fushat nën kodra.
Kujtimi im për ty është prej drite, prej tymi, prej një pellgu të qetë.
pas syve të tu, thellë pas tyre, mbrëmjet flakëronin
gjethe të thata vjeshte bënin shtjellje në shpirtin tënd.

Shqiperoi M.P.


Sunday, November 1, 2015

Halloween

Halloween, Halloween
ti konti Dracula, unë e dëshpëruara alerquinë   
e zezë  e majta me një pikë loti gri
e bardhë e djathta me pikën e lotit të zi

Eja- të them- të kam lejuar
të gjithë gjakun që në deje rrjedh, ma pi
të lutem – të them -  kockat vetëm mi ruaj
dhe dy pikat e lotëve, një të zi e një gri….

©M.P.

Friday, October 30, 2015

Mungesë

Pablo Neruda

Sapo jam ndarë nga ty
akoma të kam brenda meje, kristaline
apo  fërgëllimë,
ose  ankth, plagë shkaktuar vetvetes
apo një përmbytje dashurie, njësoj si përmbyllja e syve të tu
para dhuratës së jetës
që unë pambarimisht  të kam dhënë .

E dashur,
ne u gjetëm
të etur dhe ia pimë njëri tjetrit
të gjithë ujin dhe  gjakun
ne u gjetëm
të uritur
dhe kafshuam njëri tjetrin
si gjuhët e flakës
që lëpijnë plagët.

Por pritmë
ruaje për mua ëmbëlsinë tënde.
Dhe unë gjithashtu do ruaj për ty
një trëndafil.

Shqiperoi M.P.

Saturday, October 10, 2015

KENGA E ZHGENJIMIT

Çfarë dite është sot? Po ç’rëndësi kanë vallë
emrat e orëve,  ditëve, muajve të  gjatë
të  vdekur  të  gjithë,  varrosur pa kthim,
si trenat që venë  a si trenat që  vinë
si trenat që shkojnë  a si trenat që  kthehen
ne kryqëzim te shinave  nje lypës  i vogel  rri
shpirturitur sytë  e trembur hap.  Rreckosur
 dorën e njomë zgjat

“ Të lutem, zotëri,
Shkruaj dy vargje dashurie për mua, zotëri! ”
Dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Avullon suprinë e hënës  mbuluar nga një tis  gri
si në përrallat me kuçedra.  E fshehur anë e errët mbetet.
Ç’të  jetë  pas saj? Cila e vërtetë ?  nga ato pesë…dhjetë apo njëzet?
Ç’fytyrë  ka? Ç’maskë  do kem përballë?  Do e njoh a do më  njohë  vallë?
Maska e hënës hijen lëshon nëpër park …
herë del, herë  duket …herë- herë  fshihet me vrap
dhe  në kryqëzim të  udhëve  lypës’  i vogël rri

"Të lutem, zotëri
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Kujtimet jane bebe… që  më  pas bëhen gjethe
të zverdhura në  vjeshtë…të lehta  si frymë
që më në fund nxirret dhe brenda më s’hyn…
Kështu  dhe bebet e syve bien përdhe
të vrara, të lodhura  nga gjumi që nuk i  zë…
udhëkryqeve pa fund të labirinthit të zi
në prag të të cilit lypësi  i vogel rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Dikush hëngri  dhe piu mbi tryezën që  ndrin
një tjetër  gjellët shijoi dhe iku pa kthim
dikush lugën që përdori e futi në xhep dhe harroi…
një tjetër  në pjaten bosh pa hijen e tij…
Pra eja ta përmbysim sofrën që na priti
therrimet t’i shkelim  në një vend të errët t’i mbjellim
në një vend të zi ku asgjë nuk mbin
aty ku  lypësi i vogël rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

E gjatë dhe e ashpër rruga për në fund
trok’ i djepit dhe i kalit përgjumshëm na përkund
më mban… dhe të mbaj… të kam dhe më ke
shpinë  përmbi shpinë  si breshka shtëpinë
vëllezër siamezë  që vdekja veç  i tremb
por koha i vret dhe ëndrrën ua tredh
në eshtër të  kosës lypës’ i vogel  rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…


Stuhia filloi dhe mbaroi në det
por në  gotën me ujë  një  anije u mbyt
zërin me ëmbëlsi sirenat e mprehin
Uliksit litarët krahët ia presin
pika gjaku ngjyrë blu pikojnë mbi kuvertë
i gjërë  shtrat i drurit ku Penelopa pret…
Në breg këmbëzbathur me gishtat në shkumbë
i mardhur, i lagur  lypësi  i vogël rri

"Të lutem, zotëri,
Shkruaj dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

©M.P.

Thursday, October 8, 2015

Këngë dashurie

 Rainer Maria Rilke 


Si do mund ta mbaja thellë këtë shpirtin tim,
që aty brënda meje të mos prekte shpirtin tënd?
A do mundja vallë ta ngrija aq lart, që duke kapërcyer
lartësinë tënde të  mund ta dërgoja në të tjera vënde?
Do doja ta strehoja diku fshehur mes objekteve
të largëta të humbura, në një vënd të errët dhe të heshtur
ku të mos drithërohej sa herë që thellësia jote të tingëllonte.
Por edhe kështu, çdo gjë që na prek ne të dy, mua dhe ty
na bën bashkë në një zë,  ashtu si një hark violine
që nxjerr një tingull të vetëm nga prekja e dy telave të veçantë.
Mbi cilin instrument jemi tendosur vallë
dhe cili muzikant na luan me duart e tij?
Oh më e ëmbla këngë.


Shqiperoi M.P.

Friday, October 2, 2015

Shpirt i ndrydhur

Pablo Neruda

E humbëm edhe ketë muzg
askush nuk na pa në mbrëmje dorë për dorë
ndërsa nata e errët mbështillte dheun

E pashë nga dritarja ime
se si perëndimi festonte mbi majat e maleve të larta.

dhe një copë diell që ndonjëherë
digjej si  një monedhë në pëllëmbën time

Më kujtohesh  ti  kur shpirtin  ma ndrydh
ky trishtimi im aq i njohur për ty

Ku ishe ti atëhere?
Me kë ishe?
Për çfarë po flisnit vallë?
Përse më hapet kjo gropë e hidhur e dashurisë krejt papritur
sa herë që jam i trishtuar dhe ndjej që ti ke ikur?

Libri bie gjithmonë i mbyllur  kur afrohet muzgu
ndërsa pulovra blu më fërkohet si një qen i plagosur në këmbët e mija

Gjithmonë gjithmonë ti zmbrapsesh mbasditeve
në drejtim të muzgut që shuan statujat.

Shqiperoi M.P.

Thursday, October 1, 2015

Eja me mua , thashë, dhe askush nuk do dijë

Pablo Neruda

Eja me mua, të thashë, dhe askush nuk do dijë më
ku apo si pulsonte dhimbja ime
që nuk kishte pasur kurrë në mua karafila apo këngë gondolieresh
por vetëm një plagë të hapur nga dashuria.

T’a përsërita prapë: Eja me mua, sikur të ishte dita e fundit e jetës time
dhe asnjeri të mos shihte kurrë henën si mu përgjak në gojë
apo gjakun që vërshoi në heshtje
Oh shpirt, le ta harrojmë tashti atë yllin që kishte aq shume gjëmba

Prandaj, kur dëgjova zërin tënd të më përsëriste
Eja me mua,  më ngjau sikur ti të kishe nxjerrë jashtë teje
të gjithë zinë, dashurinë, avullin e fermentuar të një vere të vulosur.

Gaizerët që nga thellësia përmbytën zgavrat
në gojë ndjeva shijen e zjarrit përsëri
shijen e gjakut dhe karafilave, të gurëve, dhe flluckave të djegies.

Shqiperoi M.P.

Tuesday, September 29, 2015

Serenatë Indiane


PERCY BYSSHE SHELLEY


Unë ngrihem nga ëndërrat e tua
nga i pari gjumë i natës embëlsim
kur erërat frymojnë ngadalë
dhe yjet mbulojnë me shkëlqim
Unë lind nga ëndrat e tua
dhe një ëngjëll në këmbët e mija më rri
a e di se ku do me çojë ai?
në dritaren e dhomës të gjumit tënd, Sa mire!

Ajri i përgjumur kalamendet
në errësirë,… nga curril’ i heshtjes
era  e manjoleve butësisht rrëzohet 
si mendimet ngazëllyese në ëndërr.
Zëri i bilbilave me të qarë
brënda shpirtit të tyre vdes
ashtu siç unë në zemrën tënde të  mbaroj dua
Oh   ja një gjë kaq e çmuar je për mua.

Oh më ngri nga bari të lutem
kur unë të zbehem bie vdes..
dhe lere dashurinë të bjerë si puthje shiu
mbi buzët e mija dhe qepallat e zbehtë.
Faqet janë të ftohta dhe të bardha, i mjeri unë!
zemra më rreth zhurmshëm dhe shpejt
oh fute në krahërorin tënd  zemrën time përsëri
aty ku më e mbrojtur të jetë.


Shqipëroi M.P.

Friday, September 18, 2015

Gjurmë

Hëna është pesëmbedhjetëshe
dhe kurorat e engjëjve të vegjël
vallëzojnë në dhomën time të gjumit.
Une lutem…
që të kthehem mbrapsht në kohë
shumë vite më parë
kur vishja këpucet e tua
që të të ndiqja gjurmët
tani unë jam udha
ndërsa ti gjurma e kepucëve të mija.
……………………………………………..
Kurorat e engjëjve të vegjël marrin arratinë
pa e  dëgjuar lutjen time
hëna ka plot pesëmbëdhjetë ditë që hesht.

©M.P.

Wednesday, September 16, 2015

Tregimet e Lagunes ( 9 )

U bënë ditë pa u parë. Rosat kishin ikur dhe një qetësi e rëndë më mbështjell. Ku të kishin shkuar vallë?
-          A thua të kenë shtegëtuar? – e pyeta
Ajo vetëm mori frymë pa u përgjigjur aspak. E kishte mësuar shumë mirë gjuhën e heshtjes kohët e fundit. Nuk ishin as minjtë e vegjël dhe as breshkat nuk kishin dalë në diell per tu ngrohur. Vetëm Madhëria e Tij po peshkonte por edhe ai sapo më pa hapi krahët e gjatë dhe e ndali fluturimin në degën e tij të preferuar. Herë pas here zgjaste qafën e hollë dhe me shihte nga larg pa dashur të më afrohet.
Në contrast me qetësine shqetësuese te saj, bimësia përreth harlisej me një tërbim të papërmbajtshëm. Lulëzimi ishte në kulmin e tij sikur të ishte mesi i verës dhe jo fillimi i vjeshtës. A e dinë valle keto lule të vockla që gufojnë nga shkëlqimi i vesës që pas pak javësh do vdesin? Një qefin pluhuri i bardhë do i mbulojë dhe do i ngrijë ? Do vdesin, ose do transformohen, siç më pëlqen mua me shumë të them, sepse vërtet që do ekzistojnë në ndonjë formë tjetër pranverën e ardhëshme, por në çfarë do lloj forme që të ekzistojnë këto lule të vockla një gjë është e sigutr: kujtesa e tyre për çfarë panë dhe gëzuan këtë pranverë do ketë vdekur përfundimisht. Dhe vërtet, në fakt asgjë materiale nuk vdes, ato që vdesin janë vetëm kujtimet tona dhe ne më pas transformonemi dhe sigurisht që jetojmë por me një kujtesë të vdekur tashmë, me një kujtesë të vdekur për të shkuarën.
Prandaj është më e udhës t’i lemë gjërat të ikin… ja si rosat që ndoshta shtegëtuan apo si minjte e vegjël që ndoshta kanë ndërtuar shtëpi të reja tashmë dhe t’i fshimë krejtësisht nga kujtesa jonë e lodhur sepse në fund të fundit nuk ia vlen.

“Nuk ia vlen”  - tre fjalë kaq të përshtatëshme për një epitaf të lënë amanet .

Monday, September 7, 2015

Tregimet e Lagunes ( 8 )

Kush ja pakëson vallë ujin? Nuk shoh asnjë rrjedhë që të dalë jashtë pellgut dhe shira kanë rënë nga pak. Pak… por kanë rënë. Mos vallë e pi Madhëria e tij në atë gjysmabarkun e tij petashuq si tek “Gjysmagjeli” dhe pastaj shkon dhe e zbraz në ndonjë vënd tjetër?
Afrohem ngadalë dhe shoh pasqyrimin tim në ujrat e mpakura.
“Pasqyrë moj pasqyrë….”
Me pasqyrat nuk jemi kurrë në paqe. Ndaj tyre ne mbajmë kurdoherë vetëm dy qëndrime të ndryshme. Qëndrimin e Narcistit dhe qëndrimin e Shtrigës në përrallën e Borëbardhës… “Pasqyrë moj pasqyrë… më trego atë që dua të shoh”
Zgjas kokën dhe shihem përsëri në ujrat e gjelbërta.
-          Eja – më thotë ajo.
Nuk flas dhe nuk lëviz.
-          Eja – më thotë përsëri. E di që je kurioze të më shohësh në brëndësi… të shohësh peshqit e kuq, breshkat e vogla që notojnë, bimët që nuk i ke parë kurrë mbi tokë. Pse nuk vjen? Të tremb brëndësia e gjërave? Dëshiron që të shohësh vetëm sipërfaqen e tyre? Eja… shiko sa e hapur që jam, futu dhe shih si duket bota nga brënda meje.
Eshtë frika. Ne e mbajmë veten per qënie superiore  por në fakt jemi të mbushur me frikë. Çdo gjë e panjohur na krijon ankth të cilin e luftojmë dhe mundohemi që ta mposhtim.
Narcisti u mbyt në një “pasqyrë” nga dashuria që kishte për të ….po ashtu dhe liqeni që pasqyrohej në sytë e tij u mbyt bashkë me të. “ …unë shihja veten të pasqyruar në sytë e tij – tha liqeni” Narcisti i dashuruar me liqenin… liqeni i dashuruar me pasyrimin e tij në sytë e Narcistit.
Shtriga e Borëbardhës e they pasqyrën nga cmira dhe inati…nuk mundi të duroje idenë që ekzistonte një tjetër më e mirë se ajo , më e bukur se ajo, më e dashurueshme se ajo.
Pasqyra janë edhe të vërteta e thëna… të vërtetat e thëna në çarçafët e fjalëve…çarçafët e fjalëve pa mbarim të  nderura në telin e hollë ndarës midis asaj që jemi dhe asaj që duam që të jemi… pasqyrimi i padurueshëm i vetvetes tek tjetri. Prandaj njerëzit që na i thonë të vërtetat ose i urrejmë dhe i thyejmë, ose i dashurojmë dhe mbytemi brënda tyre.
Tunduese është dëshira për të parë veten në pasqyrë… munduese është frika të futemi brënda në të… ana tjetër e saj si mund të jetë vallë? thithëse…. Mbytëse… e ndrysheme?
-eja thotë ajo… kape pasqyrimin tënd… zhytu brënda në mua… dhe unë kam frikë… frikë nga një gjë kaq e dëshirueshme  po aq sa dhe e ndryshme….
Ulem në breg dhe shoh pasqyrimin. Muzgu po bie dhe ajo po vesh rrobën e saj misterioze të natës.
Madhëria e Tij nuk është dukur prej disa ditësh. Të ketë shtegëtuar vallë përgjithmonë? Nuk di çfarë më mban në breg, ndoshta ndonjë parandjenjë e paemër… dhe ja, papritur shoh në qiell një zog të madh me krahët e gjatë të hapur që më fluturon sipër kokës. Nuk e kisha parë kurrë në fluturim. Ulet pastaj ngadalë mbi një degë peme në bregun tjetër. Ndoshta nuk do zbresi sot mbi lagunë. Ndoshta ka qenë per vizitë diku, ndoshta ka ngrëne darkë tashmë. çfarë do ketë ngrënë vallë per darkë dhe me kë? Qëndroj akoma mbi gurin në breg. Dhe ja ku ulet Madhëria e Tij mbi barin e gjatë të ishullit të vockël në mes të lagunës. Bari i gjatë ia fsheh shikimit tim. Ndoshta do flejë atje…ndoshta ka renë të flerë. Por jo, ai del me ngadalësine e tij solemne dhe hedh hapat e para të kujdesëshme mbi ujrat e gjelbëra. Vërtet që ka ngrënë darkë sepse qëndron ashtu I palëvizur për një kohë të gjatë. Pastaj zgjat qafën e gjatë dhe fillon të shohë pasqyrimin e tij mbi ujë. Ul kokën edhe unë dhe shoh për të disatën herë veten mbi suprinën e lëmuar.
Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës… Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës…. Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës?

“Pasqyrë moj pasqyrë… do të të thyej apo do më thyesh?”

Friday, August 28, 2015

Përtej…

Nuk kemi qenë ndonjëherë vetëm ne të dy
që në ditën e parë të zanafillës.
Në fillim të tërhiqja pas vetes
duke bredhur pas kuajve të trishtë
të marrëzisë time…
dhe më pas më tërhoqe ti
pas kuajve të tu të dhimbjes.
Tani endemi përdore të vetmuar
përtej…nëpër galaksi pa emër
duke kërkuar vetveten brënda njëri tjetrit
Një çift drerësh na vështron përmes reve.

Friday, August 21, 2015

Tregimet e Lagunes ( 7 )

-          -7 –

Ka rënë gjithë ai shi por sot përsëri e pashë të zvogëluar dhe të mpakur sikur lëngonte nga ndonjë e keqe. Kam filluar ta dua shiun së fundmi kur shoh se sa e lumtur bëhet bimësia përreth pasi bie shi. Përroi që kalon aty pranë gurgullon me gëzim poshtë, ndërsa ajo po zvogëlohet përditë si nga një trishtim i paralajmëruar.
Madhëria e Tij aty në sfond duket i tharë dhe petashuq sikur sapo ka dalë nga herbariumi midis fletëve të ndonjë libri që e ka shkruar po ai vetë. 
-         -  Çfarë mendove? – më pyet
-          - Si mund të çbëhet një bimësi e mbjellë , le të themi, prej 10 vjetësh? Le të themi që ti.. pra ti… lejon dikë që dëshiron me mish e me shpirt… ( dhe kjo me mish e me shpirt nuk është figurative këtu) pra dikë që dëshiron të mbjellë diçka në tokat e tua dhe të thotë që ti dhe vetëm ti mund ta rrisësh atë bimësi… të lutet për vite me rradhë dhe më në fund ti pranon dhe ia hap dyert… e lejon në tokat e tua dhe dikushi hedh farën… bimësia mbin… e ushqen dhe e rrit për vite me rradhë… pasi arrijnë të krijojnë bindjen që kjo tokë është i vetmi vënd i mrekullueshëm për atë lloj bimësie, pasi ngrenë në piedestal dhe të bëjnë të besosh që nuk ka vënd tjetër më të mirë se tokat e tua dhe pasi bimësia rritet dhe lëshon rrënjë… a mund të çbëhet dhe si?
-         -  Vjen Vjeshta – pergjigjet ajo krejt qetësisht.
-        -   Po më thua që vjen  vjeshta dikur dhe e zhvesh dhe dimri dhe e than? Por ato janë vetëm cikle, stinë, sepse pastaj vjen prap pranvera dhe çdo gjë fillon nga e para.
-          - Ashtu ndodh – pohon ajo
-         -  Pra po më thua, me fjalë të tjera që nuk çbëhet?
-         -  Me fjalë të tjera – foli ajo përsëri- do të të thosha që ke nevojë për një kopshtar të mirë
-         -  Po nuk po flasim për mua këtu – u nxitova të sqaroj
-         -  E di – mu përgjigj – as për mua…
Ngrita sytë dhe pashë përreth me vëmëndje për të gjetur ndonjë shënjë të vjeshtës por nuk pashë asnjë gjethe të zverdhur për çudi. Bimësia frymonte si e marrë aromën e shiut dhe tundej sa majtas djathtas si e dehur. Vetëm ajo lëngonte e zvogëluar.
-        -   I sheh rosat? – më pyeti
-          - Sigurisht që po  - iu përgjigja

-          - Së shpejti duhet të ikin, duhet të shtegëtojnë, por e di çfarë ndodh? Njerëzit vijnë ketu dhe i ushqejnë, dhe ato harrojnë të ikin…. Harrojnë që se shpejti do vijë vjeshta dhe më pas dimri dhe vdekja. Kërkon vërtet mjaft maturi që të gjesh tamam kohën kur gjërat duhet t’i lesh te ikin në mënyrë që t’i lëshosh dhe harrosh, në mënyrë që të mos i shohësh si të vdesin përditë nga pak në duar… që t’u japësh mundësinë të rilindin apo vinë përsëri në pranverën e ardhëshme.
 Kuptova që së shpejti do ikte edhe Madhëria e Tij dhe ndjeva nje sëmbim në krahëror.





Thursday, August 20, 2015

Tregimet e Lagunes ( 6 )

-          6 –


Janë bërë gjithsej tre ditët që ajo vetëm hesht sikur kurrë të mos kishte ekzistuar. Tre ditë, unë ulem në breg dhe flas. Mbrëme ra shi përsëri me rrebesh. Sot unë u gjenda në breg e ulur mbi një gur duke pritur.
Sot vendosa që ti recitoj disa vargje, gjëja që unë bëj sa herë që dua të vendos kontakt. Zgjodha nga moria e vargjeve të arshivuara në trurin tim ato që kam më përzemër dhe që kanë ujë në to, rrjedhë dhe dashuri….dhe fillova me Pushkinin:

Mbi kodrat Gjeorgjiane, bie muzgu i hirtë
zhurmon Aragva aty pranë
në shpirt kam një trishtim të ëmbël e plot dritë
Një pikëllim pa fund pa anë

Mërzitem larg prej teje, por kjo mërzia ime
nuk dua fare të më hiqet
dhe zemra digjet prap në ndarje e takime
sepse ajo nuk mundet të mos digjet.

Asnjë pikëz uji e suprinës nuk lëvizi. Heshtje e largët dhe e huaj. Edhe heshtja ka nuancat e saj. Ka heshtje ftuese e cila është e hollë dhe e tejdukëshme dhe ti e di që do thyhet së shpejti, ka heshtje të trashë dhe të padepërtueshme, si një metal i rëndë, ka heshtje patollogjike që sjell pas saj vdekje dhe ka heshtje të huaj aliene, që fshin çdo gjë nga kujtesa , heshtje harruese.
Po çfarë është më e lehtë vallë, të falësh apo të harrosh? Unë do zgjidhja pa dyshimin më të vogël harrimin. Më mirë të mendosh që ajo gjë nuk ka ndodhur kurrë, që ishte vetëm një ëndërr e keqe dhe tani je zgjuar dhe asgjë nuk ekziston më realisht. Më mirë është të fshish dhe të prishësh nga themelet atë që ka ndodhur se sa ta mbash aty dhe të përpiqesh të arsyetosh për arësyet pse ndodhi, rrethanat pse ndodhi, nëse do e kishe bërë ti po të ishe në ato kushte dhe rrethana. Kjo kërkon shumë më tepër mund , energji dhe në fund të fundit të nxjerr në të njëjten “qafë” me harrimin. Po a është vallë i mundur harrimi? Sigurisht që është.  Disa njerëz janë aq të bekuar sa kanë një mekanizëm që i bën të harrojnë traumat e tyre të paktën për një kohë shumë të gjatë, deri në momentin kur kujtimi i tyre nuk i vret më. Pra harrimi duhet të vijë gjithmonë përpara faljes. Harrimi, “ hiri në hi, pluhuri në pluhur”…

Pastaj më vjen që t’i recitoj vargjet e Frost, në anglisht kësaj here

The woods are lovely, dark, and deep,
But I have promises to keep,
And miles to go before I sleep,
And miles to go before I sleep.

-          Do vi çdo ditë – pëshpëris,...- derisa të kesh harruar mjaft sa për të falur rracën ku unë bëj pjesë.
-          Ti nuk e ke parë ndonjëherë lejleken e bardhë – mu përgjigj ndërsa në suprinën e palëvizëshme u pasqyrua një zog i madh i bardhë i ulur pikërisht mbi kërrabën metalike me të cilën huliganët e disa ditëve më parë kishin shpupurisur gëmushat dhe kishin trembur e nëpërkëmbur qetësinë dhe jetën.
Përzier me hutimin dhe gëzimin tim e para gjë që më erdhi në mëndje ishte Feniksi, gjëja e dytë ishte që ndoshta Madhëria e Tij kishte gjetur një mike dhe ndërkohë që po prisja gjënë e tretë që të më vinte, ajo, që gjithmonë mi lexonte mendimet foli përsëri…
-Oh jo, nuk ka të bëje aspak me Madhërinë e Tij. Nuk banon këtu… është vetëm një vizitore dhe mua më duhet ta mikpres. Shpendi më pa me sytë e dyshimte pastaj ndoshta i trembur ( por mua më pëlqen të them – për të shitur mend para meje-) hapi krahët e mëdhenj dhe bëri një fluturim të ngadalshëm por të përsosur në drejtim të trungjeve të thatë të pemëve që kishin vdekur vitin e kaluar në mes të lagunës.
çdo gjë në këtë planet lëviz, absolutisht çdo gjë lëviz… udhëton pa pushim.
Dhe sado e madhe dhe e rëndë që të jetë plaga udhëtimi do vazhdojë, ndoshta duke çaluar, ndoshta në udhë të tjera, por do vazhdojë. Flokët e gjelbër të shkelur do ngrihen dhe filiza të tjera do çelin. Ujrat do mbushin brigjet dhe njerëzit nuk do munden më të kalojnë kufinjtë në drejtim të brigjeve ku ato nuk përkasin.

Dhe jeta do vazhdojë…

Tuesday, August 18, 2015

Tregimet e Lagunes ( 5 )

  - 5 -

Sot ajo ishte tepër e heshtur, e lënduar dhe nuk nxorri asnjë fjalë me atë zërin e saj të qetë të krijuar nga fërkimi i ujit me ajrin. Dukej krejt e huaj , sikur kurrë te mos kishim folur më parë dhe çdo gjë që kishte ndodhur të kishte qënë veç një mashtrim i shqisave.
Mbrëmë kur shkova ta takoj pashë që një tufë huliganësh e kishin rrethuar dhe po e shkelnin me këmbë anë-e-mbanë. Ajo rënkonte në heshtje. Flokët e gjelbër me xhufkat e kafenjta në majë të cilat ajo i shkundëte me krenari një ditë me parë po ia shkelnin pa kujdes. Nuk di çfarë po kërkonin. Mos vallë donin të prishnin shtëpine e Madhërisë së Tij?  Apo të shkatërronin foletë e rodentëve të vegjël? Rosat lemeriseshin sa andej këtej. Madhëria e Tij nuk mundi ta bënte shëtitjen e mbrëmjes madje as që e pashë fare të dukej. Ata kishin kapërcyer në bregun tjetër, në bregun e virgjër ku nuk kishte shkelur këmbë njeriu më parë, sepse ishte i mbushur me shkurre të dendura. Vapa kishte tharë ujrat dhe një fije toke e holle dhe e thatë kishte rrethuar bregun. Pikërisht ketë rrip toke kishin përdorur për të kaluar matanë dhe kishin filluar të ulërinin me zë të lartë duke trembur dhe lemerisur çdo gjë të gjallë që jetonte atje në paqe dhe qetësi. Njëri nga ata mbante me vete një kërrabë të gjatë metalike dhe shpupuriste me të të gjitha gëmushat me rradhë. Nuk di çfarë ndjeja ekzaktësisht në ato momente, frikë apo dhimbje por e sigurt është që nuk kisha asnjë fjalë. Vetëm qëndrova atje për disa momente krejt e shtangur.
Sot ajo dukej si njëri i përdhunuar. E heshtur dhe pa fjalë . Pa fjalë edhe unë ndërsa trafiku i mendimve dhe dëshpërimit arriti pikën maksimale. Si është kështu e mundur që njerëzit të shkatërrojnë çdo gjë magjike të këtij planeti , çdo gjë që të mbush me gëzim, çdo gjë që të bën të dukesh e veçantë? Si mund t’i përdhosin dhe përdhunojnë kështu krejt pa kujdes momentet që ke kaluar?
Të dyja rrimin të heshtura. Unë nuk kisha asnjë ide se çfare po ndodhte me të. Ndoshta thjesht mohim i rracës njerëzore në të cilën absolutisht bëja pjesë edhe unë. Ndërsa ajo që ndjeja unë ishte boshllëku dhe dhimbja nga lëndimi pa fund i shpresës. I shpresës që gjërat magjike ekzistojnë, që mund të ketë një cep të këtij planeti ku haromonia të jetë afër persosmërisë. Dhe nuk ka dhimbje më të madhe se sa dhimbja e shpresës së plagosur.  As dashuritë e vrara nuk dhëmbin aq shumë, sepse dashurite nuk vdesin, ato mumifikohen diku brënda nesh, ndërsa shpresa vdes. Apo ndoshta shpresa dhëmb më shumë ngaqë ajo ishte gjëja e fundit në të cilën Pandora duhet të besonte dhe  pas së cilës duhet të mbahej për të mbijetuar, pasi hapi kutinë e mallkuar të veseve dhe poshtërsirave të tjera. Gjëja e fundit fare.
Qëndruam të heshtura për një farë kohe pastaj unë ika.

Ika me një peng në grykë… Më duket se e humba përgjithmonë. 






Monday, August 17, 2015

Tregimet e Lagunes ( 4 )

          -   4-

- Mbrëmë kishte rrebesh – më thotë sapo më sheh. Është qetësisht e gëzuar dhe e shndritshme. E kam të domosdoshme që sa herë që të përdor një mbiemër për ta përshkruar ti vë përpara fjalën “ qetësisht” , përndryshe nuk do ishte lagunë por do ishte ndoshta përrua, liqen, lumë apo det…. Por ajo është qetësisht lagunë. Ajo nuk flet me zërin e ujit, me përplasjen e tij nëpër guralecët e bregut. Ujrat e saj janë krejtësisht të palëvizshëm. Ajo flet me zërin e ajrit që fërkohet qetësisht mbi suprinën e lëmuar.
- Shiko- më thotë dhe tund flokët e kallamishtëta, - më kanë prerë edhe baluket – dhe më tregon barin e kositur dy pëllëmbë nga të dyja anët e rrugës. – Sot po marr frymë pak më mirë- vazhdon.
E shoh që është mbushur dhe rrumbullakosur.
Ulem në breg me sytë ngulur në suprinë duke pritur se çfarë do më tregoje sot. Ajo ka gjithmone ndonje gje te re per te me treguar.  Dhe ja ku shoh e befasuar një tufëz bar që noton mes për mes lagunës. I hap sytë mirë… I fërkoj dhe shoh përsëri. Tufa e barit leviz serbes përmes lagunës nga njëri breg në tjetrin pastaj futet në një vrimë.
- Po kjo çfarë ishte – e pyes – ndonjë gjë magjike?
- Janë minj- më ul me këmbë në tokë. – Pse nuk e dije që minjtë notojnë? Ka shumë të tillë që banojnë këtu tek mua. Barin e mbledhin që ta përdorin si dyshek kur flenë natën. Janë shumë nazeqare dhe buzëhollë. Tregojnë një kujdes dhe preokupim të veçantë për veten. Shpesh edhe ushqehen me të.
Minjtë nuk më pëlqejnë, por nuk ia them. Dhe vërtet pas një vështrimi të kujdesshem shoh “motorrin” lëvizës të tufës së barit. Por e gjithë kjo më bën të buzëqesh dhe më mbush me  gezim.
- hihihihiiiiiiii – mezi e mbaj të qeshurën kur i shoh ashtu të preokupuar që shkojnë në njërin breg të lagunës dhe zgjedhin barin më të butë për ta vendosur si shtrat kur të flenë. I përfytyroj pastaj brenda në vrimën e tyre se si e shpupurisin dhe e drejtojnë, se si bëjne një gropëz të vockël në mes dhe pastaj futen tek ajo gropëz mblidhen kutullaç dhe bishtin e rrethojnë rreth trupit të tyre.
Ata lahen për qef të tyre në këtë ditë të nxehtë dhe unë shoh bishtin e gjatë të përkulur që  qëndron mbi ujë. Lajnë fytyrën me dy putrat e vogla pastaj fërkojnë veshët, kokën dhe më në fund zhyten kollotumba. Pataj shkëpusin një tufë bar dhe e marrin me vete në mes të ujit dhe fillojnë ta hanë fije më fije. Më kujtohet vetja ime kur kam qenë e vogël dhe rendja pas fijeve te barit të cilat pasi i tërhiqja me kujdes i haja pjesën e bardhe në fund të fijes. Më shijonte vërtet shumë.

Pastaj bie qetësia…

-çfarë mendove? – më pyet papritur
- Dua të jem një pemë…. - Ia kthej.
-Kjo është e thjeshtë – më thotë, - për sa kohë që të dish se cila pemë pikërisht do që të jesh.
-Plotësisht e vërtete – i përgjigjem
- Eh…. Rraca njerëzore – shton ajo – gjithmonë të pavendosur, gjithmonë nuk dinë se çfarë duan tamam në momentin e caktuar.
- Prandaj unë flas me ty –ia kthej. Pastaj përsëris mendueshëm: “momenti”... kjo është një fjalë krejtësisht torturuese
- Oh, tashti po të shoh mirë- me thotë – ti qënke shumë e dëmtuar
- Përmasa e trete – pëshpëris….

Dhe kaq mjafton..