Tuesday, December 20, 2011

Gjethja e fundit

U këput dhe gjethja e fundit e ra
në prehër të vjeshtës
shtruar këmbëkryq në park.

Të dy e pamë, stolisur si për dasëm
tek i lutej erës dredharake ta merrte...
...në gji të saj ta mbështillte

Degët u drodhën vetëm për një çast.
Qeshi tinëzarja erë, tek gjethja binte
në dheun e ashpër...

...ashtu si fjalët e dashura bien
në prehërin e ftohtë të mospërfilljes.

Wednesday, May 4, 2011

Në pranverë…

…farëzat mufaten në trurin tim
rrënjë te vockla fillojnë të lëshojnë
në rrudhat e thella apo tulin e butë
e ndërsa sythët ngjizen
e harpën e qerpikëve hapin
lëvozhga ime përgjumet
gjymtyrët shkunden dhe bien
instikti refuzon lëvizjen
e unë këmbët-ngul
dhe qëndroj e pafuqishme
duke pritur përgjoj shpërthimin
e të gjitha farëzave
që kurrë s’vdesin brenda nesh
por ngrohtësinë presin
dhe flladin e pranverës
që të ringjallen përsëri

Saturday, March 19, 2011

Tërbimi i panterës

kokën uli të pijë ujë
dhe bregun e lumit e kafshoi
pikë pikë i rrodhi mbi buzë
gjaku i tij i tejdukshem vrragë
në udhën ku ajo më pas kaloi...


hënën që çuditur e shikonte
me thonj e çorri e gërvishti...
dhe lulet që humnerave i mbine
vrullshëm ia shtypi, ia prish
ajo nga dhimbja mbytur angulliu
si qente ne nje nate heneplote.

pastaj pjellë e natës dhe e erës
në gji të së ëmës u mbështoll…
dritë e hidhur nga sytë i rrodhi
mbi të bukurën, lëkurën e çarë,
ndërsa me gjuhën e lagur
plagën e saj lëpiu
madhështore si heshtja
ngadalë…
ngadalë…

Saturday, March 5, 2011

Me erën

Mos i ndiz qirinjtë dhe petëla mbi shtrat mos hidh…
shaluar në ulërimë të erës do vijë ajo
e ngjitur pas teje në shtratin tënd do rrëshqasë …

-Eja të bëjmë sex – do i pëshpëritësh.
-Pse për këtë kam ardhur?- do të thotë rënkuar….
- Po për çfarë m’u fute në shtrat?-
- Për të ëndërruar-

Shpinën të kthen…
pas teje ngjishet fort …
kujtohet pastaj që ti je vdektar
dhe lëkurën të fal ashtu e pagojë
qirinjve të fikur iu fryn .. .
petëlat të gjitha i gëlltit…
vë kokën në gropëz të jastëkut
që ëndrrën të vazhdojë…
fërshëllimë e erës lëpin kornizën e dritares