Wednesday, July 26, 2017

Ninullë

 Kur vallë për të fundit herë
puthjen mbi të ëmblit, të fjeturit sy
e ke ndjerë?
Sonte mos më prit, ti fli,
dhe para se gjumit t’i dorëzohesh
mos harro, ndiz në dritare për mua një qiri
Një lumë i rrëmbyer
rrjedh ndanë qytetit, dhe një urë mbi të…
me zërin tim të mërmërin një kengë…
një shelg degë-lotuar
në dritare ta sjell
bashkë me ulërimen e ulkonjës
në një natë me hëne
dritaret mbyllin qepenat dhe flenë.
Fli pra dhe ti, sonte kthehem vonë,
tre diej të ftohtë patrullojnë në qiell
një brymë e errët kozmike
trupin ma mbështjell. Kam humbur.
Fli, një gjumë të ëmbël,
një gjumë të thellë fli
qepallat janë mbyllur
të gjitha dritat fikur
labirinthesh humbur
një dalje po kërkoj, nëpër gjithësi
errësirë e thellë,
natë e zezë, pashpresë.
Mbylli syckat, fli
sonte kthehem vonë
ndoshta dhe nuk vi
Tej në një dritare,
rri ndizur një qiri.
©M.P.

Monday, July 10, 2017

Letër prej së largu


Jam mirë dhe asgjë nuk ka ndryshuar…
Ditët vazhdojnë të jenë po e njëjta komedi
me tre aktorë, gjithmonë, me të njëjtin autor
Skena njësoj, një shesh lodrash fëmijësh.
Në muzgjet, si gjithmonë melankolikë,
ti vazhdon të shkosh akoma buzë liqenit
si përherë. Shndrohesh në shelg lotues
dhe derdh lot të kripur mbi ujin e ëmbël
Unë njësoj vazhdoj ti shkruaj poezitë
në mes të natës, në pushimin e madh
miidis gjumit të parë dhe të dytë,
pasi jam zgjuar nga po e njëjta ëndër tmerri
sikur më coptojnë dhe më hedhin si ushqim
mes ikonave të shënjtorëve në një kishë
dhe ato më hanë në porcione të vogla.
Rrezja e parë, vazhdon si gjithmonë, të të tkurrë njësoj
të të hollojë, thërmojë, gërmëzojë në qindra gërma
dhe ti më vjen çdo herë në ag, në formën e
atij emaili të njëjtë, që unë “e lexoj mirë” çdo mëngjes.
Pastaj përsëri muzgu dhe ti që vajton buzë liqenit.
Jam mirë… dhe asgjë nuk ka ndryshuar!

©M.P.

Sunday, July 9, 2017

Haiku I


Kukullat matrioshka
dashuri brënda njëra tjetrës…
Porcelan i thyer.
©M.P.