Tuesday, February 12, 2008

Dashuria me veladon te kuq.

E gjitha filloi pikërisht atëherë kur mediat dhanë sinjalin e parë që shën Valentini po afrohej. Ndërsa reklamat komerciale oshëtinin nëpër qytet, ajo filloi të kishte ca halucinacionë të çuditëshme, të pa provuara kurrë më parë. Një fytyrë shënjti e sfumuar si në një negativ filmi filloi ti shfaqej papritur në ambiente të caktuara, kohë e pa kohë dhe ndonjëherë jo vetëm fytyra, por i tërë shën Valentini me gjithë trup i veshur me një veladon të kuq.Veladooonn te kuuuqq?! Po pse të kuq vallë ? Nga e kishte gjetur fantazia e saj këtë veladon të kuq ? Gjithsesi në fillim nuk i kushtoi shumë rëndësi, duke e menduar si lajthitje të mëndjes, që vinë e shkojnë e nuk lenë gjurmë, por pasi i ndodhi nja dy tre herë, kjo gjë filloi ta shqetësonte, sikletoste dhe më e keqja ishte se nuk kishte ndërmënd t’ia thoshte asnjeriu këtë që po i ndodhte, qoftë dhe njerëzve të saj më të afërt.

Atë mëngjes, ajo shkonte si zakonisht në punë e mbështjellë me shall dhe kapuç për t’i shpëtuar erës së ftohtë të shkurtit, ndërsa mbi kokë i qëndronte varur një qiell gri i dendur dhe i mërzitshëm që pikonte trishtim aty këtu. Dhe era e ftohtë që lepinte fytyrat e ngrira e krejt pa shprehje ishte gri dhe e trishtuar. Ia trembi shikimin një reklamë e madhe me dy trëndafila të kuq të spikatur qe i doli në rrugë papritur. Nuk e kishte parë më përpara aty, në atë vënd, në atë rrugë që ajo e bënte përditë. Dhe ja, ndërsa shihte shkarazi reklamën me çiftin e trëndafilave vezullues të spërkatur me pikëza brilante në petale, diku aty pas xhamit të reklamës, iu shfaq e zbehtë një fytyrë e çuditëshme shënjti me kurorën e shënjtërimit mbi krye. Ndaloi hapat dhe ktheu sytë për të vërtetuar që ajo që pa ishte pjesë e reklamës, por jo. Fytyra u zhduk, nuk ishte më. Fërkoi sytë dhe pa përsëri, por jo. Nuk ishte. Përpjekjet për të harruar çfarë i ndodhi u tërhoqën pa sukses, ndërsa trëndafilat e kuq dhe fytyra e shënjtit i ngelën të varura në një cep të trurit. Aty i lëkundeshin nga era e mendimeve që iknin dhe vinin me vrull. Trëndafilat... ato të ëndërruarit që ajo kurrë nuk i kishte pasur. Ato të dëshiruarit me ngulm për vite me rradhë, ndërsa shën Valentinat iknin dhe vinin, ato të gjithmonë munguarit. Dhe jo, nuk ishte ngaqë nuk ishte e dashuruar dhe nuk e njihte këtë ndjenjë. Jo. Ja që ai që ajo kishte dashuruar nuk dhuronte trëndafila. Midis një burri që dhuron trëndafila por që nuk e dashuron dhe midis një tjetri që nuk dhuron trëndafila por që e dashuron ajo kishte bërë zgjedhjen e dytë, mangësia e së cilës i shkaktonte ca të gërvishtura çdo shën Valentin.

Dhe ndërsa festa afrohej, ajo e zënë me punën fëmijët dhe përkujdesjet për familjen kishte filluar ta harronte çfarë i kishte ndodhur me reklamën e trëndafilave dhe kokën e shën Valentinit, deri në atë pasditen kur shoqja e saj erdhi për vizitë në shtëpi dhe duke pirë kafe, i tha që së bashku me te fejuarin e saj, kishin vendosur që ta kalonin natën e shën Valentinit në një lokal, të cilin e kishin pronotuar që më parë. Ajo filloi përsëri të shihte ëndrra dite me sy hapur. Fytyra e shënjtit këtë rradhë iu shfaq në mes të një rrëmuje njerëzish në Romën e Lashtë, në festën e Lupercalia-s . Djem dhe vajza të reja, veshur me tunika dhe sandale të lidhura në nyjet e këmbëve, me flokë të praruara në një mbrëmje shkurti, iu shfaqën mes zhurmës dhe muzikës, këngëve dhe kërcimeve dhe shënjti vetëm fytyra dhe duart e tij, aty në mes... mbante në duar dy enë të mëdhaja me ca letra të shkruara të palosura dhe femrat tërhiqnin letra nga ena me emrat e meshkujve ndërsa meshkujt tërhiqnin letrat me emra, nga ena me emrat e femrave. Shkundi kokën me rrëmbim. « E di prejardhjen e kësaj feste ? –pyeti shoqen, dhe vazhdoi pa pritur ndonjë përgjigje- me sa kam lexuar e ka zanafillën në Romën e lashtë dhe rrënjët i ka në një festë pagane. Djemtë dhe vajzat e reja mbaheshin në atë kohë rreptësisht të izoluar nga njëri tjetri, por njëherë në vit, dhe pikërisht në mes të shkurtit, ata lejoheshin që të festonin bashkë për disa ditë. Mblidheshin në një mbrëmje dhe nga dy enë me emrat e tyre, pra të femrave veç dhe të meshkujve veç, tërhiqnin emrat ; me atë që i binte në pjesë, kalonin ditët e festës duke u argëtuar.... » Shoqja e shiki pak e çuditur, pa ndonjë interesim të veçantë. La filxhanin e kafesë dhe ai ktheu « Jo, kurrë nuk e kam dëgjuar këtë. Po ju, keni planifikuar gjë se ku do e kaloni ? Çfarë do bëni atë natë ? ». « Akoma nuk e kemi planifikuar - iu përgjigj- por do mendojmë ndonjë gjë deri atëherë » . Ajo e dinte mirë. Asgjë nuk kishte për të menduar. Asgjë nuk do ndodhte. Tashmë pas kaq vjet martesë e dinte që shën Valentini nuk trokiste në derën e saj, e kishte harruar me kohë, ose më saktë kurrë nuk e kishte kujtuar ndonjëherë, por kjo nuk donte të thoshte aspak që edhe dashuria e kishte harruar. Ajo dashuronte me tërë qënien e saj burrin e saj, i cili në fund të fundit kishte qënë zgjedhja e saj. Por ai kurrë nuk e kishte çuar për të festuar shën Valentinin diku, edhe pse ai gjithashtu e dashuronte . Dhe ja, këtë vit çudia kishte ndodhur. Asaj i shfaqej Shën Valentini dora vetë, herë me kokë e herë me duar e herë me veladon të kuq. Pikërisht këtë vit, kur përpjekjet dhe ankthet e saj kishin mbaruar, këtë vit kur poshtërimi i të mosqënit njësoj me turmën, ishte gëlltitur thellë brënda shpirtit dhe ajo besonte që tashmë ai ishte duke kaluar në sistemin e jashtëqitjes së shpirtit të saj, pikërisht këtë vit kur ajo nuk kishte menduar as për dhurata as për tu përpjekur për të bërë diçka ndryshe, pikërisht këtë vit zhurmat e bujshme të turmës dhe medias, ia kishin sjellë shënjtin në trurin e saj të lodhur nga lufta kundër rrymës.

Ankthi i rritej e rritej me afrimin e ditës. Nuk mendonte aspak për dhuratat apo lokalet ku mund ta kalonte, por tashmë ishte e shqetësuar për gjëndjen e trurit të saj dhe ajo frika dhe shqetësimi që kishte çdo vit, se si ti fshihej turmës këtë ditë, ishte kthyer në makthin dhe frikën haluçinative. Sigurisht nuk priste dhurata, ishte mësuar me këtë tashmë. Burri i saj i dashur nuk bënte pothuajse asnjëherë dhurata dhe veçanërisht për shën Valentin. Ajo ishte përpjekur tia fuste në mëndje për vite me rradhë, kishte pasur raste që edhe e kishte marrë për krahu dhe e kishte futur në ndonjë dyqan dhe e kishte detyruar që ti blinte ndonjë gjë, jo për kënaqësinë e saj, se sa për faktin që të nesërmen do e pyesnin në punë se si ia kishte kaluar dhe çfarë i kishin dhuruar dhe ndërsa të tjerat tregonin dhuratat e tyre, ajo do ishte e shtrënguar të thoshte genjeshtrën e saj të rradhës. Por koha, ia kishte gdhëndur shpirtin dhe bërë më të fortë, më të pandjeshëm dhe më të mbyllur ndaj turmës. Preokupacioni këtë vit, ishte vetja e saj, mëndja e saj e lodhur nga rrathët e shtrëngesave.

Atë mëngjes të ftohtë shkurti, dashuria u derdh nëpër rrugë si çdo vit tjetër. Fytyra të mbërdhifura nga syte e te cilave shpirti rridhte materialisht, dilnin nga çdo cep i rrugës dhe mbushnin rrugët që në mëngjes herët, ndërsa ajo shkonte në punë si çdo ditë tjetër me një ankth më shumë në shpirt këtë vit, me ankthin e haluçinacioneve.

I lanë të iknin dy orë më shpejt nga puna atë ditë dhe ndërsa kthehej në shtëpi shikonte lokalet plot me çifte, femrat me fytyrat teje të kënaqura dhe meshkujt duke pritur shpërblimin për çfarë kishin dhuruar. Turma e hallakatur endej rrugëve. Sa shumë dashuri që mbajnë njerëzit brënda tyre, por sa keq që e shfaqin vetëm në një ditë të vitit dhe e tkurrin pastaj në skaje të shpirtit për një vit të tërë. Dashuria varej në cepat e reklamave atë ditë... ishte ulur në tavolinat e lokaleve.... në sirtaret e parave të shitësave nën banak. Dashuria flinte shtretërve të moteleve atë ditë, që i kishin rritur çmimet për orë dhe trokisnin në dyer sapo shkonte ora që duhet të dilje. Dashuria ishte këputur atë ditë ashtu si mijra gonxhe trëndafilash , ishte mbështjelle me një letër dhe kishte udhëtuar dorë më dorë dhe derë më derë. Dashuria ishte ngjitur jo në fytyrat, por në duart e njerëzve atë ditë, në duart e njerëzve që mbanin dicka, patjetër dicka, atë simbolin famëmadh të dashurisë. Dashuria, kjo gje kaq e rrallë, kaq e brishtë, kaq e fuqishme dhe qiellore ishte vëne në garë ate ditë…kush të mund ta shpallte dhe tregonte më shumë në fytyra, veshje, e gjithçka. Nuk kishte shumë rëndësi nëse ekzistonte apo jo në shpirt, vetëm shpalle, tregoje, vish maskën e saj. Ata që nuk e tregonin dukeshin të mjerë para turmës dhe cila ego vallë do ishte aq e pathyeshme sa të përballonte vështrimet keqardhëse dhe pse jo ndoshta edhe përbuzëse të turmës?

Ajo nuk kishte asgjë në duar dhe nuk priste të merrte asgjë . Dhuratën e fundit e kishte bërë për shën Valentinin e kaluar, një pako me çokollata që ia kishte lenë burrit që flinte tek komodina e anës së tij me një shënim të dashur përsipër, por që ai nuk e kishte parë fare kur ishte zgjuar. Nuk i kishte thënë asgjë edhe pasi ishin kthyer të dy nga puna dhe as ajo nuk ia kishte përmëndur, duke u përpjekur të qetësonte pjesën e vrarë të shpirtit të saj. Kishin kaluar ditë dhe asnjë fjalë për pakon me çokollata që vazhdonte të qëndronte tek koka e komodinës e heshtur, deri kur një ditë fëmijët kishin kërkuar çokollata duke e marrë pakon në dorë dhe duke e sjelle në dhomën ku ata rrinin.

Pasi rrotulloi çelsin dhe hyri në shtëpi, u gjend e rrethuar nga dy palë krahe të hollë të ngrohtë fëminorë që e pushtuan, dy engjëjt e saj të vegjël që ajo i mbuloi me të puthura, ndërsa ato e mbulonin me cicërrimat e tyre. Shkoi në dhomë dhe u ul për tu shlodhur pak dhe ndërsa ato vazhdonin ti cicërinin në vesh, me më melodiozin dhe më të dashurin zë në botë, asaj papritur i erdhën prap ato haluçinacionet e tmerrshme. Kësaj rradhe shënjti iu shfaq në një kishë të vogël ndërsa bekonte martesën e një çifti. Errësira e kishës ndriçohej vetëm nga drita qirinjsh dhe ajo ndjeu erën e ëmbël të temjanit. Prifti me veladonin e kuq, bekonte fshehurazi martesën. « .... në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, unë iu shpall burrë e grua ». Të rinjtë me veshje romake dhe kurora me lule portokallesh në kokë, putheshin të heshtur... Shhhttt pa zhurmë, aty më pas, aty më tutje, aty në rrugë, ushtarët e Klaudiusit përgjonin martesat. Perandori Romak kishte shpallur të paligjshme të gjitha martesat, ngaqë lidhjet familjare, i pengonin meshkujt të shkonin në luftë dhe të vriteshin pa pasur merakun e gruas dhe fëmijëve që mund të linin pas. Pastaj, ashtu e pazonja që të dilte nga thonjtë e haluçinacioneve, ajo pa një hordhi ushtarësh të derdhej në dyert e kishes, po ashtu si turma që derdhej rrugës ditën e shën Valentinit në qytetin e saj. Ajo pa se si e mbërthyen priftin me veladon të kuq mes hekurave, ndërsa çifti i sapo martuar shpëtoi duke dalë nga një dalje e fshehtë.

Cicërima , ajo më e ëmbla e solli kësaj here në realitet : « mami im, sa e buçkur që je dhe sa xhan të kam » dhe mplluq zhurma melodioze e buzëve të njoma në faqe. U shkund, u ngrit dhe vazhdoi jetën e saj të zakonëshme nëpër shtëpi si çdo ditë tjetër. Shyqyr që nuk lëshonin edhe fishekzare atë ditë. Nata pas dritareve të shtëpisë ishte e qetë dhe e heshtur si zakonisht.

Por nuk kishte qënë pikërisht dita e Shën Valentinit ankthi i saj i vërtete. Ajo i shtynte minutat atë ditë, mes turmës së zhurmëshme dhe të zbrazur, mes vanitetit dhe haresë fallco, deri të nersërmen në mëngjes.... atëherë kur bëhej ballafaqimi.. « çfarë bëre ? çfarë të bleu ? çfarë i bleve ? » Kaq herë kishte vendosur që të thoshte të vërtetën : “ Asgjë nuk me bleu dhe asgjë nuk i bleva!....” dhe po aq herë në momentet kur ishte gjëndur para fytyrave dhe duarve që tregonin dhuratat ajo ishte njëhsuar me turmën dhe kishte gënjyer... më shpesh një genjeshtër të improvizuar në çast, të shoqëruar nga ngjyra e purpurt e faqeve që përpiqej ti mbulonte nën flokët e gjatë të cilat i lëshonte fytyrës. Mëndja i punonte me ankth të nesërmen e asaj dite : « Ah, kur do mbarojë edhe kjo ditë, të shpëtoj... » dhe fytyra e Shënjtit iu shfaq përsëri, kësaj here në burg, i munduar dhe rraskapitur, me veladonin e çjerrë, dhe e bija e gardianit të burgut që vinte dhe i sillte letra mirënjohje, ushqim dhe lule, nga të gjithë ata që ai i kishte martuar ilegalisht. Koleget e saj filluan ritualin e zakonshëm të ditës së pas shën Valentinit, me pyetjet e tyre dhe tregimet e lumtura, se sa shumë dashuri kishin dhënë dhe marrë ato, sa shumë kishin shitur dhe blerë, sa e shtrenjtë kishte qënë dashuria e tyre, sa e artë, argjëndë, diamantë apo e perl-të kishte qënë dhe sa shumë vlera materiale kishin merituar në shkëmbim të asaj çfarë ato kishin falur. Ajo aty në qëndër të zhurmës së fjalëve, nuk shihte dhe dëgjonte gjë tjetër veç shënjtit me veladonin e kuq, me kokën e prere në duar që bënte disa hapa dhe rrëzohej... pastaj e pa ashtu të shtrirë në arkivol dhe papritur, iu kujtuan ritet mortore të krahinës së saj, ku gratë i qanin të vdekurit me fjalë dhe me oi dhe i erdhi të ligjëronte aty, në mes të turmës së grave që flisnin e flisnin pa pushim, e që mos bënte këtë, u ngrit e shkoi në banjo dhe i hodhi një grusht ujë fytyrës.

9 comments:

D.Klosi said...

Urime per prurjen ne shqip te ketij tregimi e qe njekohesisht perkon edhe me festen e Shen Valentinit!

Suksese!

Kamomila said...

Drita,
Faleminderit ty qe me lexon...
Ky tregim eshte i shkruar nga une... :)

D.Klosi said...

Me fal, ishte nje keqkuptim.

Gezuar Shen Valentinin!

Anonymous said...

Ciao Iz...
e lexova tregimin tend.por me vjen keq pse nuk perfundoi ashtu si e mendova une-ajo hap deren dhe perballet me nje dhome plot me trendafila te kuq!!!

nuk mu duk me vend pjesa e "komerçializmit te kesaj feste",i tepert me nje fjale.tregon ngushtesine e personazhit e cila ne pamundesine per te festuar merret me gjykimin psikologjik te interesave fitimprurese te shoqerise sot.
pastaj,vertete beson se sot ekziston nje njeri i vetem qe nuk e di kete ngjarje?dmth-ne historine e kesaj feste?e une pyes cfare mund ta shtynte personazhin ta rikujtonte...?ndoshta shoqja ...?teknikisht eshte e pranueshme ne te shkruar,por jo gjithmone kane vend shpjegimet.

nejse,qe te mos dal gafil dhe harraq,lexova dhe pjesen tjeter te "baltes",:-).

gezuar shen valentin!!!

Kamomila said...

ciao Gomari,

Aresyeja qe i sjell personazhit ne mend shenjtin nga shekujt e kaluar, eshte pikerisht komercializimi ne ditet e sotme. Pra paralelizmi midis asaj qe ne te vertete duhet te ishte ( perkujtimi i dashurise si ndjenje) dhe asaj qe eshte kthyer( shit blerje).Sidomos ne Shqiperi eshte per te ardhur keq nese sheh menyren e bijshme dhe boshe se si e trajtojne.
Sa per ate qe me pyet nese vertet ka njerez qe nuk e dine kuptimin me keqardhje te pergjigjem qe "po". Ka shume njerez qe nuk dine prejardhjen e festes. Une personalisht para se te shkruaja tregimin bera nje search ne internet dhe me dolen me shume se 5-6 interpretime te ndryshme, nga te cilat une mora kete, sepse ky mu duk me i pershtatshem. Edhe ti mund te besh nje real search dhe te pyesesh disa veta dhe do shohesh qe ka qe nuk e dine... ;)

Te pershendes.... :)

Anonymous said...

pershendetje girl!

nejse,atehere qenkam une i vonuar te pranoj se nuk ke njeri ne bote qe nuk e di ate ngjarje!!!LOL!!!
mgjtht ngelem tek ajo qe nganjehere autori humbet ne qerthuj te dhenash dhe detajesh qe ne syrin e pare jANE TE QENDRUESHME,POR KUR I KALON NE RRJETEN E REDAKTUESIT KUPTON PRANINE E PAVEND TE TYRE.sigurisht kjo ngelet nje nder opinionet e pafajshme te miat!ndoshta ngaqe jam shume kerkues ndaj vetes dhe ndoshta ngaqe me pelqen gjithmone te luaj me aftesine prej iluzionistesh te atyre qe pretendojne se dine te bejne kritike letrare...dhe me beso-e ke vene re fundja dhe vete-neper blogje qarkullojne goxha shume;perfshi dhe veten time e thene per inerci!!!

Kamomila said...

Hello gomari,
Nuk ngul kembe une jo, ne faktin nese e dine apo jo te gjithe, ti mund te besh nje search vete dhe te bindesh. Mund ta fillosh nga shqiptaret e tjere qe ke rrotull. Edhe nese eshte i njohur, prap perdorimi ne kete pjesen e siperme nuk eshte bere me qellim njohje, por ne funksion te faktit qe sa shpirterore eshte origjina dhe si eshte katandisur nga disa ( ti nuk perfshihesh aty... :) ). Ne shtjellim te kesaj mund te jap nje shembull. Legjenda e Doruntines, eshte shume e njohur dhe perseri shume e perdorur nga shkrimtare te ndryshem ne funksione te ndryshme. Po ashtu mite dhe legjenda te tjera.
Sa per kritiket qe thua ti, mua me ineterson cdo pershtypje ne adrese te atyre qe shkruaj, mjaft qe te mos buroje nga ca ndjesira te c'burgosura nga kutia e Pandores.

Te pershendes... dhe eshte kenaqesi te diskutosh me ty.

Anonymous said...

keep it up girl!!!

keqanesia eshte dhe e imja.:)

fundjave te kendshme...

belle_fleur said...

Me pak vonese por e lexova dhe me terhoqi menyra sesi e kishe sjelle kete feste qe realisht e ka humbur kuptimin e plote ne shoqerine e sotme. Nqs, dita e Shen Valentinit simbolon vertet ate c'ka shenjti bente duke ju shkruar letra kristianeve te tjere, sipas nje gojedhene, tani eshte bere te blesh sa me shume dhurata qe s'kane fare domethenie. Eshte e cuditshme sepse shoqeria ka rene pre e ketyre skemave komercialiste dhe rend gjithmone pas ketyre, kur ne realitet duhet te rendi dhe te kerkoje ate ndjenjen sublime, dashurine e vertete!

Sorry, se u zgjata pak. Shkrimi me pelqeu. Ke nje pene te vecante Izabela, dhe gjuha qe perdor ketu eshte shume e bukur. Ndonjehere habitem qe ekzistojne kaq shume fjale ne gjuhen shqipe:)