Saturday, November 24, 2012

Më shkruaj një letër



Përditë takohemi …shkëmbehemi…
shtigjeve dinake të teknologjisë...
përshëndetemi... buzëqeshim...
shakatojmë…grindemi...
mërzitemi... dashurojmë

Përditë më sheh …
të shoh si tutje vrapon...
dy ashkëla në rrjedha të kundërta,
dy brigje të të njëjtit lumë -turmë
bashkuar nga degët e shelgjeve si urë...

Përditë e më shumë për ty kam mall
si për një zeje të harruar 
punuar me dorë
më shkruaj një letër të kuptoj që je gjallë,
ma shkruaj me penë të kuptoj që jeton…

Monday, September 24, 2012

Këngë për Osiris-in



Ti përsëri po perëndon Osiris…
dallga e mungesës që të merr ty
më mbush përbuzë me boshësi
"Në qiell ka shumë diej të zinj" - më the
"Aty strehohen kujtimet e përzëna,
ato që i rrinë njerëzve ngushtë dhe i bezdisin
në rrëzë të kofshës a në sqetull"

Të lodhura janë rrënjët e mia
dhe rrisin flokë të mekur, delikatë
Do ti pres flokët Osiris
të thur urën e ikjes tënde me to.


Bregu ku ti nisesh është i shkumbtë,
pul
ëbardhat me sqep të zi e të fortë
i klithin valës që do të shpjerë
atje ku ti ndjehesh i plotësuar
tek (nën)tokat dhe gratë e tua
 janë të gjitha të ndryshme nga mua...
Nga mua me mure e dyer
por  kaq lehtësisht të hapshme
me
çelesin tënd  të pasionit.

U lodha duke ecur mbrapsht në kohë
labirintheve të së shkuarës, Osiris,
u përgjaka në udhëtimin për tek ty
me gjak të përflakur njerëzor,
 i ndryshëm nga gjaku yt i gjelbër
 rrjedh nga venat e qafës
në fytyrën tënde jeshile…

Buzët e mia u mprehen
nga një etje puthëse e pashuar
duke kërkuar damarët e tu të fryrë.
Duart ranë këputur si degëza dredhëze
të pa vaditura nga prekja…

Udhë të mbarë Osiris, ty dhe puthjes tënde…
Të vetmen që nuk munda ta marr me vete
në udhëtimin tim  drejt një dielli të zi.

Friday, June 15, 2012

Copëz…

Pse  më  flet me gjuhë qiparisash
dhe më kujton kishën e vogël të lashtë
vetëm ca rrugëza larg shtëpisë time
me një dritë të mekur në dritare
që unë e kisha kaq shumë frikë….
Kështu më tremb dhe  erë e fjalëve të tua
musandër, sepet’ i gjyshes , sandërma.
Kërkoj të të ndjek, kërkoj të të gjej…
Më rritet brenda ankth’  i pritjes
dhe frika se do të të  humbas
mes  yjeve që pikojnë  pluhur qumështi
përmbi majat e heshtura të selvive.
Një zog i vogël në degë të tyre,
më  përpëlitet në krahëror.

Tuesday, March 27, 2012

Mesazh

E lagësht kjo natë
gjumin po ma mbyt
përmbi pritë përplasen dallgët.
Vështrimi ngulur në terr infinit
për dhè...atje lart
ku mbarojnë këngët...

vallë a do mbash mënd…?
kur hëna të rinohet
një mesazh ta mbyllësh në shishe
dhe ashtu shkujdesur para se të harrohet
ta flakësh ne rè...?

Wednesday, March 14, 2012

Natyrë e qetë

Një det i vdekur shtruar mbi tryezë,
mbushur me fruta V-ja e patave në shtegëtim,
kristale të shkuara vendosur me sqimë...


përmbi halorë nuk fryn asnjë puhizë,
asnjë qerpik s’lëviz ,…


I trishtë në cep ibriku lot avulli lëshon,
hershëm në shishe vulosur
rri gjaku i një pulbardhe
që vritet , ringjallet e rivritet pambarim…