Thursday, April 19, 2018

Së prapthi




…Megjithate, shkriu bora, e di?
në udhëkryqin
ku nuk më prite dhe nuk të prita.

Një cift të dashuruarish panë me habi
se si kafeja servirur në filxhan të çajit
në cep të tavolines lënë
lëshoi avull dhe u ftoh
në kafenenë ku nuk shkuam.

E qeshura jote dhe e imja bashkë, e di?
U marrosën!
Rendën vrap buzë lumit
pas gjurmëve tona
në udhëzën ku nuk ecëm.

Shtrëngimi krahut tënd si degë ulliri u rrit
dhe fletë lëshoi në parkun ku nuk shkelëm.

Puthja, frymë
nga e cila ti rrodhe tek unë e unë tek ti,
dhe u gjëndëm krejt papritur në botët
e panjohura të njëri tjetrit të shtangur…
Ajo puthje ka hedhur rrënjë brenda nesh
dhe ushqehet në muzgun e purpurt
ku nuk u takuam ne të dy…
Aroma dhe shija e saj mbush hapësirat
  të cilat më parë
njëherë ishe ti, njëherë unë…
por asnjëherë në të njëjtën kohë…

Të kujtohet mjegulla mbi pjergull, pisha
dhe zhurma monotone e rrëshqitjes së ujrave
që dëgjohej nga dritarja e dhomës
ku ne kurrë nuk ishim?

Shenjat mavi,
u kthyen në ventuza të errta,
që ëmbëlsisht dhimbin
në lëkurët tona që nuk u preken…

Ofshamat në spirale avujsh
varen në pemët anës udhëve të ndryshme
që nuk i kaluam bashkë.
………………………………………………………………
Ndodhi nje eklips i paparë më parë
errësuam njëri tjetrin…
ftohtë, lagështi, terr, erë…
Disa ditë u shkëputen nga kalendarët
ranë dhe humbën për gjithmonë…

©M.P.

Wednesday, April 4, 2018

Eja të luajmë shtëpiash



Do vish të luajmë shtëpiash?

E mban mënd, kur dilnim nga kopështi?
Ishte kaq thjeshtë, mbasdite të brishta

koha e ngrohur dhe kumbullat nusëronin.
Me grykëset e bardha , kurorë luledelesh në kokë

Kishte nga një folezë të fshehur 
në qoshe të çdo bahçeje
për zogj të pafajshëm të lire
me pupla të parritura.

Do vish pra të luajmë shtëpiash?

Për sa kohë që këto drurë akoma
nuk janë shndruar në dyer,
dhe rrezet në shina pa fund-fillim
në udhë të një treni carusel
që në rreth-rrotullim shkon dhe vjen…
për sa kohë që është akoma aty ai çasti
kur ti duke më përcjellë qëndron në stacion,
në krahë më shtrëngon dhe më pëshpërit në vesh
“Haj’d’ martohemi?”

©M.P.