Monday, January 13, 2014

Dimër

O Shpirt i ngelur cung e lakuriq
pa një dredhëz që të të rrethojë a ngrohë…
t’i përtypi degëzat një pëshpërimë tinzare
një jugë e thatë e qëllimshme
dhi e butë por aspak manare.
 
Degëzat… që nga sythet të mbështjellë,
nëntë herë me rrathë …ruajtur nga dimri në dimër…
të trembura … nuk donin të dilnin
i yshti ky fllad i pabesë…i joshi…i shastisi,
ia thau një nga një te nënte shtresat e nënkresat
me nënte çelësa ia kyçi dyert e harresës
dhe të nentë çelësat dimrit mjekërcjap
ia vari këmborë.
 
o shpirt i zhveshur e mbetur cung …
degëzat kurore u bënë
për një Adam gjarpëror…
veç rrënjët fort po lulëzojnë nën dhè
bymehen forcohen lëvrijnë e gati rrinë
presin afshin e një pranvere të re.

Tuesday, January 7, 2014

Një fije dritë



Tashmë që perdet janë mbyllur,
një dritë e mekur shket
e ardhur që nga larg
ku at’ i bardhë në një fushë
anës një bregu lë gjurmë,
…i bardhi at’i im,
jeleshkumbë.

E mekur rrezja më shket pranë
por duart nuk ia zgjas…
ka kohë që dyert e kështjellës
të mbyllura janë me lloz…
e  ndër bedena në alarm
bie një tupan
Pim pa pa pam
Pim pa pa pam

Poshtë nëpër fushë luhet
hyjnë e dalin alerkinë
i ftohtë si një teh
në vrimë të celësit ngecur
rri veshtrimi im.

Një flakëz e pabesë
nuk djeg as ngroh vec ndrin
më fut thellë në mendime
një mall të thellë më zgjon...
të trishtë e pakuptim
një mall për veten time.

dhe ndërsa drita  zbehet e hollohet
në dyert e ngurta përplaset
atje shumë larg në fushë
dëgjohet një kadum
Pum pa pa pum
Pum pa pa pum.