Friday, March 7, 2008

Aroma e vëndit tim.

Unë i merrja.
Të gjallë, me ngjyra të ndritëshme, gjithë jetë...
Kryeneçe... gjithmonë doja t'i mbushja mëndjen vetes, se një copë jetë e shkulur prej atje, mund të ngulej për bukuri këtu ku kisha ardhur unë dhe të jetonte. Madje doja që sfida të shkonte edhe më larg. Doja të sillja që andej nga kisha ardhur jo vetëm jetën, por edhe aromën. Aromën dhe ngjyrat e mrekullueshme të mesdheut. Doja t'i mbushja mëndjen vetes që në fund të fundit të gjitha copëzat e botës ishin njëlloj për njeriun. Që ishte i njëjti qiell dhe i njëjti dhe.
Unë i mbillja.
Të brydhët dhe të freskët.
E zgjidhja dheun dhe i ujisja me kujdes. Gjatë verës i mbroja nga dielli i fortë, ndërsa në dimër detyrohesha t'i fusja brënda për t'i mbrojtur nga i ftohti i padurueshëm. Aty fillonte katastrofa.
Një vit më parë të gjitha lëshuan rrënjë, por jo fletë. Një ngrirje makabre. As thaheshin dhe as lulëzonin. Jo. As thaheshin dhe as lëshonin fletë. Për të lulëzuar as që bëhej fjalë akoma. Gjithë dimrin u përpoqa t'i jap frymë dhe jetë, u përpoqa t'i ngroh me shikim dhe kujdes, me ngrohtësinë e akumuluar në vite brënda meje pikërisht nga ai vend ku i kisha shkulur....
Në të dalë të dimrit disa nga ato nuk u thanë, por u shkrinë. Një pjesë e vogël jetoi deri në pranverë. I nxorra prap në ballkon nën rrezet e diellit. Filluan të nxirrnin disa gjethe të holla e të gjata, me një ngjyrë shumë më të çelur se ngjyra origjinale. U rritën ca lastarë rrakitikë, të shëmtuar dhe pastaj.... pastaj u ra një sëmundje gjethesh, si hi dhe i thau një e nga një bashkë me shpresën time.
Por nuk ishte tharë akoma këmbëngulja ime. Ketë vit i mora prapë. Mora më shumë, i mora më të reja, me vitale, i mblodha me kujdes me pece të lagura që t'i rrezistonin udhëtimit tre ditor dhe i solla përsëri. Prapë i mbolla me këmb
ënguljen mëndjembushëse që çdo gjë që shkulet që andej mund të lulëzojë këtu për bukuri. Përsëri procesi i zgjedhjes së dheut. Ketë herë e përzieva dheun artificial të dyqanit me dhe origjinal, të marrë nga një pyll i vogël. Prapë i futa ne dimër brenda që t'i mbroj nga ngricat. Të gjitha zunë rrënjë dhe përsëri shkrirja.... Shkrirja i fillonte në mes, pikërisht aty ku lidhet dega me rrënjët. Pikërisht ai vend, behej i pari hi dhe pluhur. Pluhur dhe erë. Kapërcente oqeanin për të shkuar prapë aty nga kishte ardhur. Pastaj gjethet binin dhe shkriheshin ngadale si eshtra të një kufome.
Vetëm një me ka mbetur. As gjallë, as varrosur. As në jetë dhe as i tharë. I ngurtësuar. Unë pres pranverën që të shoh rrugën që do marrë. A do të mbijetoje? Nëse mbijeton një dimër-verë, ka për t'i mbijetuar edhe të tjerët. Nëse jo..... Nëse jo.... Unë përseri do shkoj atje, përsëri do marr degëzat e njoma dhe të reja dhe përseri do t'i mbjell këtu, derisa të ndjej aromën e vëndit tim.

8 comments:

Anonymous said...

Ketu...Atje...

-Kembet jane ketu,
Duart atje ngelen.
-Trupin solla vetem
Atje lashe zemren.
-Rrenjet mbeten andej,
Kendej shtriva deget.
-Shume gjethe rane rruges,
Dhimbjesh,kujtimesh tretem
-Si dyzohem keshtu,
A ak kjo gjendje emer?

Cheers...

Kamomila said...

anonynous...

mireseerdhe...
flm. per poezine.... :)

Kamomila said...

anonymous*

:)

Aristides Milakis said...
This comment has been removed by the author.
Aristides Milakis said...

pershendetje kamomila!

gjithnje me ka pelqyer kendveshtrimi yt mbi boten.

rrefen me nje thjeshtesi dhe natyrshmeri, qe te ben per vete. por edhe problematika, apo simbolika jote, ka mjaft interes.

ndonese persa kohe lexoja pjesen, ndjeja nje lloj boshlleku, ne lidhje me ate se cfare lloj bime ishte bima ne fjale( boshllek qe nuk u zhduk, as pas mbarimit te skices); perseri skica jote letrare me krijoi nje lloj "dhimbjeje" te embel shpirterore, e cila me mbushi qenien.

them dhimbje, sepse ajo qe rrefen, eshte ajo qe edhe mua si lexues me mori me vete; duke vuajtur se bashku me ty, nevojen per "pranveren" e perjetshme , te "parajses" shpirterore te lene pas.

atdheu yt, edhte atdheu ideal. atdheu qe cdo njeri i mencur do te donte te rronte,larg thirrjeve nacionale qe kane marrosur shqiptaret e sotem.

eshte atdheu i endrres dhe i ndjenjes, i nevojes dhe deshires, i dhimbjes dhe shpreses; i cili s'eshte e thene se ka reference shqiponjen me dy koka; por lidhjen e vertete te njeriut, me boten qe na perqarket, larg kitcit etnik.

urime!

Kamomila said...

Sterkalth,

Faleminderit per viziten,

Eshte fjala per karafilat te cilet une vertet u perpoqa ti marr qe andej dhe ti ngul ketej por pa sukses... :)
Nuk ia kam vene emrin me qellim pergjithesimi.
Te falenderoj per komentin
Mireardhsh...

Anonymous said...

Eh Kamomila
edhe ne vete jemi si ato karafilat.thelle thelle ndoshta nuk na ka mbetur asgje nga ajo prej nga kemi ardhur.kemi mbetur atje!!!sic kemi qene!!!

ketu jemi diçka tjeterqe mbetet ketu!keshtu siç jemi!!!

pershendetje!!!

D.Klosi said...

I njenjti diell,por s'na ngroh,te njenjta lulet,por s'kane ere...