Wednesday, July 9, 2008

E çuditëshmja Muza ime

Muza ime më merr për dore

në ca rrugëza të ngushta më shpie,

kundërmon era e plehrave

e biskotave të sapo pjekura

dhe ndrisin gurët e kalldrëmit.


Këmbet i ka të gjelbërta.

Të holla si fije gjineshtre.

Më tregon barkun e rrumbullakët

qesh me kërthizën

dhe me një gropë të hapur nën të

që unë kam frikë ta shoh…


Ka sytë kureshtarë

të një fëmije të sapolindur

që një dritë djallëzie ia mbush

sa herë më sheh të pengohem

në kapicat e mbetjeve njerëzore.


I ka të kaltra flokët

me aromë mimozash

përzjerë…

Në fytyrë m’i përplas

era që luan me to…


Muza ime është lakuriqe…

Paturpësisht më tregon me gisht

pjesët e trupit një nga një

dhe gropëzen e errët nën bark

që unë nuk dua ta shoh...

No comments: