Saturday, October 31, 2009

Shpirt vjeshtarak

Ky shtrat i tharë
mbushet herë pas here,
por brigjet rrjedhën nuk e mbajnë
dhe valët udhët marrin të habitura...
Të rrjedhurat !

Në bark të fushës
manaferrat fryrë
lëng vishnjeje mbushur, në shpërthim.
Të çmendurat !

Të trembura mëllenjat
nga siluetë e dimrit
kthetrat shtrëngojnë
në lotët e tharë të shelgut...
Të varurat !

Lule-kaçet e vjetçme
në rrënjë lëngëzojnë
dhe s’dinë në verë
do mbijnë më a s’do mbijnë…
Të vrarat!

Saturday, October 24, 2009

Thellë nën dhê

Thellë nën dhê
një thërrime diell mbjellë….

Nuk di nese do të shpojë dot
koren e ashpër të tokës
dhe katrahurën e rrënjëve.

Mbi tokë …një florë kaq e ndryshme,
ndërsa fruti që e polli
po aq paarritshëm larg

Tuesday, September 22, 2009

Kundravajtje

Këto degë,
ishin të destinuara që të thaheshin
sipas të gjitha
gjasave,
fakteve,
parashikimeve...
dhe ashtu të thara të priteshin.

Ka kohë që mbajnë mbi lëkurë
shenjën e kuqe
të shënuar nga druvari,
pas një pranvere të dështuar.

Sot fshehurazi, një syth i gjelbër
bymeu ashpërsinë e lëkurës së murrme
dhe stepi sopatën…

Saturday, August 8, 2009

Përrallë (nga e kaluara) me ujk

Në muret antike të kujtesës,
myshqet e harresës harlisur rriten.
Në zgavrat vënde vënde nuhas netët…
të ngrohtat netë të plazhit
me frymëmarrje hëne.
Më shfaqesh ti pastaj,
që si ujk pas saj ulërije
trupin shpërtheje...
lëkurën pranë meje lije në shtrat
dhe pas erës së hënes bridhje...
Ndërsa unë...
une bareshë pa krrabë,
me fërshëllima
përpiqesha të të ndillja në prag.
...........................................
Kulprat varen mureve të kujtesës
Tejzgjatur deri në ditën
kur të gjithë ujqërit
i mbylla në lëkurën tënde.

Thursday, July 9, 2009

Kafshët

Pasdrekja është e ngrohtë, lëbyrëse, ftuese por unë nuk mundem ta shijoj. Duhet të shkoj në punë. Sapo arrij, marr kovën e madhe dhe shkopin me pece dhe nisem të filloj pastrimin nga koridori i hyrjes. Hyrja është ajo qe duket më shumë dhe duhet pastruar mirë. Solucioni larës mban një erë shpuese. Të mirë ? Hmmm, mua më duket shumë e fortë ka banorë që e pëlqejnë shumë, aq sa më pyesin për emrin e solucionit.
Pastroj ashensorët. Edhe këta duhen pastruar mirë sepse bëjnë pjesë në pjesët që shihen më shumë nga banorët.Ata ankohen nëse nuk i shohin ambientet e dukshme të pastra dhe unë mund të humbas punën.
Njerëzit hyjnë e dalin. Sapo janë kthyer nga puna. Unë përmbahem të mos i shoh me inat kur më shkelin në dyshemenë e sapolarë. Shkoj pas këmbeve të tyre dhe i fshi gjurmët përseri « Derra », them me vete. Shumë nga ata më buzëqeshin dhe më përshëndesin dhe unë ia kthej po ashtu. Kushedi cfarë thonë me vete.... Askush nuk e di që në mëngjes unë jam studente në Universitet, ndërsa mbasdite vij dhe pastroj këtu. Kafshët hera-herës më afrrohen dhe ato dhe kërkojnë të më përshëndesin me gjuhën e tyre të kuqe dhe të lagësht. Vazhdoj të lëviz krahët... majtas.. djathtas....fërkoj mirë dyshemenë. Bishti i peces larëse është penduli që vdes minutat e jetës time. Fakti që jam perfeksioniste dhe atë gjë që e bëj, dua ta bëj në mënyrë perfekte më sjell shumë andralla në punë dhe një lodhje të pajustifikueshme. Në rrugicat e hollit përpiqem të shkoqis çimçakizat e hedhur pa kujdes aty këtu. Pastaj pastroj xhamat të cilet gjithsesi do bëhen me shenja gishterinjsh sapo unë të kem kthyer shpinën. Shenjat e gishtrinjve janë unike dhe per rrjedhojë përcaktojnë karakteret e njerëzve. Unë shoh shenjat në xham. Gishtrinj grash, burrash, kriminelësh, psikopatësh, fëmijësh, fëmijësh gjeni, fëmijësh të zakonshëm, fëmijësh kriminelë të ardhshëm. Nga dera kryesore futet zotëria i katit përdhes me qenin e tij. Qënka një qen tjetër, jo ai i pari. Përpiqem të dukem miqësore me kafshët, sipas traditës së këtushme. Në fakt nuk kam asgjë kundër kafshëve të shkreta, vetëm qe nuk do doja kurrë të kisha një kafshë në shtëpi. Secili në strufullën e vet- është parimi im. Ja që nuk ia duroj dot erën, kam qëlluar me hundë nazike, por ama nuk dua aspak që ti mundojnë dhe torturojnë kafshët e shkreta. Zoteria më përshëndet. Përpiqem të kujtoj emrin e qenit të mëparshëm por kujtesa nuk dëshiron të bashkëpunoje.E di që është një emër shteti në US. Gjithmonë me kujtohej sapo e shikoja qenin, dhe i thërrisja në emër.Tani nuk ka kush të ma kujtojë. Qeni më afrohej dhe unë i përkëdheja kokën me duart të veshura me dorezat e pastrimit, sigurisht. Ai përpiqej të më lepinte duart, por dukej sikur nuk i pëlqente era e lateksit. Paskeni marrë qen tjetër ?- e pyes. Po, me thotë, atij të parit u detyrova ti bëj një gjilpërë për ta ngordhur, ishte shumë plak dhe pësoi një infarkt nga i cili nuk kishte shërim. Nuk doja ta shikoja të vuante.Oh, - bëj sikur më vjen keq. Vërtet më vjen por jo aq sa dukem. Zoteria më tregon qenin tjetër qe ka marre, emrin e të cilit e harroj menjëherë.
Çdo shtëpi e ka nje qoshe të “magjepsur”. Një qoshe të paspjegushme, të frikshme. Edhe çdo pallat e ka sigurisht qoshen e vet të frikshme. Unë mendoj që ky vend janë shkallët qe të çojnë poshtë në garazhd, nga një anë që nuk para përdoren. Unë nuk pastroj kurrë aty mbasditeve vonë. Ajo ndoshta është qoshja e magjepsur e pallatit tim. Apo jo... jo... qoshja e magjepsur është kati i sipërm fare nga ana djathtë e pallatit. Aty gjej vazhdimisht ca lëngje të pista, spermë, prezervativa, urinë. Prostitucion ? Vras mëndjen... Në atë krah jeton vetëm një familje me dy gra të moshuara dhe një familje me një nënë, një djalë pak si të leshtë dhe një tufë me kafshë. Po po... një tufë me kafshë. Njëherë kam shkuar atje, kur ishim ngarkuar nga zyra e pronarëve për të kontrolluar nëse funksiononte aparati i alarmit kundër zjarrit. Ajo na la të prisnim jashtë derës një copë herë të mirë. Kam qenin lëshuar na tha dhe nuk ju le të hyni. Pastaj e mbylli qenin në një dhomë bashkë me djalin e saj dhe ne u futëm. Pamja ishte shushatëse. Në dhomën e ndenjes ishte një kënd si studio xhirimi. Dy prozhektorë të mëdhenj lëshonin dritë në një si skenë dhe një perde blu e errët varej pas tyre. Një tufë me kafshë silleshin nëpër shtëpi. Minj të bardhë, të zinj, hamstera, nja dy lepuj. Në dhomën e gjumit, përbri shtratit të saj , nëse ishte i saji, qëndronte një si shtrat më i lartë dhe më i vogël ku ishin kafazet e kafshëve. Era e kafshëve të shponte hundët. Gruaja trupmadhe, bjonde me nofulla të dala dhe flokë të mbështjella mbrapa kokës, me kujtonte një gardiane burgu sa herë që e shikoja. Ia kisha parë dhe djalin që i mbante sytë gjithmonë përdhe dhe që mua me dukej si i vonë. Shpesh ai dilte me qenin. Qenin ia quanin Xhina. Nje femër madhështore e rracës St Bernard. Ishte krejtësisht e bardhë me pulla të mëdha të kuqërreme. Ndoshta ishte vetëm një vit . Kurrë nuk i isha afruar, ndoshta ngaqë nuk honepsja dot të zonjën. Po studioja e xhirimit për çfarë ishte ? Nga nuk më shkonte mëndja dhe fillova të shikoj kafshët me dhimbje. Mu kujtuan përsëri prezevativet,... lëngjet e ndyra... djali.... qeni i tyre.

Shkallët nuk përdoren shumë nga kafshët e këtushme. Njerëzit dembele dhe të lodhur nga puna preferojnë të ngjiten me ashensor. Shkallët fillojnë të kryejnë funksione të tjera. Unë i pastroj, pasi mbaroj me koridorin e hyrjes. I di përmëndësh tashmë manirat e atyre që banojnë në kate të ndryshme edhe pse nuk di saktësisht cili nga banorët e katit është pikërisht « maniaku ». Në shkallët e krahut të majtë, në katin e shtatë gjithmonë dikush pi cigare, ndonjëherë e shoqëron me ndonjë kanaçe birrë, të cilën ma le pastaj mua peshqesh për ta pastruar. Në katin e gjashtë dikush urinon vazhdimisht. Era e urinës me shpon hundët. « Derra » përsëris përsëri me veten time. Zemërimi m’i vë flakën fantazisë. Dua të dal një natë natën nëpër shkallë dhe ta gjej ketë kopuk që e bën këtu e ta bëj per një lek. Dua të lajmëroj rojen që të vijë dhe ta kapi. Dua të shkruaj një parrullë në mur me marker të zi : « derra, mos shurroni tek shkallët. Është e ndaluar me ligj. Do ju gjobisim » Pa emër sigurisht, si ato fjalët turpe që shkruajnë njerëzit nëpër mure. Nuk e bëj dhe një nga arësyet është se do më duhet pastaj ta pastroj po vetë. Laj urinën duke mposhtur neverinë dhe... nuk bëj asgjë nga ato që mendoj më sipër. E di mirë qe lodhja do e mundi inatin pas pak.

Kati i përdhes i pallatit banohet nga një familje me dy djem, që marrin drogë. Përdorin mariuhanë të cilën e pijnë në katin e fundit të shkallëve. I mallkoj sa mundem dhe ata, bashkë me copat e gjetheve të hedhura nëpër shkallë, monedhat një centëshe, urinën dhe lëngje të tjera që nuk dua ti emërtoj aspak. Përsëri inat-fantazi shkrepin. Ti shkoj në shtëpi – mendoj- ti trokas në derë dhe ti them « Shikoni çuna, mua nuk më duhet çfarë bëni ju brënda shtëpisë, përjashta e dua të pastër, ndryshe nuk do i kemi mirë punët bashkë » Po sikur të më kthehen me sharje ? Ata janë njerëz të mbaruar krejtësisht. Epo mirë, edhe unë do i them që do lajmëroj policinë dhe do e lajmëroj vertet ! Hëhëëë nuk do e bëj sigurisht. Kushedi çmund të më gjejë pastaj nga bandat e tyre të drogës. Çdo fund muaji shoh ëndërr sikur ata ikin nga pallati, sikur vjen policia dhe i arreston për drogë. Sikur lodhja ime tkurret sado pak.

Në disa nga pallatet nuk lejohen kafshët me katër këmbe. Në ketë që pastroj unë lejohen. Hera herës edhe ata urinojnë nëpër shkallë apo në ashensor. Urina e kafshëve është e ndryshme nga ajo e njerëzve. Kur e kuptoj që kanë urinuar kafshët, nuk më vjen inat për çudi. Vazhdoj e pastroj duke mallkuar të zotin e kafshës që nuk e ka mësuar ta bëje aty ku duhet. Një ditë pesë minuta pasi kisha pastruar ashensorin gjej nje pellg urinë në mes. Vendosa të shkoja dhe të shikoja në kamerat, se kush nga banorët kishte dalë nga dera gjatë asaj kohe dhe ta bëja shëmbull por për çudi, një zonjë më vjen dhe më kërkon të falur duke më thënë që qeni i saj kishte urinuar dhe se ajo ishte gati ta pastronte vetë. Inati mu zhduk si me magji. I thashë të zonjës që të mos shqetësohej dhe vazhdova punën.
Pastrimi i koridoreve ka tjetër ndjesi. Nga dyert degjohen tinguj të ndryshëm dhe erëra të ndryshme përzihen me njëra tjetrën. Unë kaloj shpejt , mledh letrat dhe gjërat e dukshme. Muzikë… britma… ankesa… zëra fëmijësh… erë gjelle…. Erëzat karakteristike…tringëllim i pjatave që shtrohen në tryezë…. Tringëllimi i pjatave që lahen në lavaman… nota pjanoforte. Nota pjanoforte?… mbaj këmbët. Tingujt rrjedhin. Është perfekte. Krejtësisht perfekte. Lë fshesën, ulem në shkallët e sapolara dhe dëgjoj. Humbas me tingujt. Dua ti trokas në derë. “ Të lutem mund të dëgjoj kur luan?” Çfarë do jetë vallë ? Unë e di që aty banon nje çift në moshë mesatare dhe një vajzë e re. Kush do jetë personi që i bie... vajza apo i ati ? Tingujt rrëshkasin mbi shkallët që ishin me urinë pak më parë, herë të ulët e herë të lartë …. hyjnorë…. Jo, njerëzorë, pabesueshmërisht njerëzorë. Përfytyroj gishtrinjtë mbi tastierën bardhë e zi të pianos, pastaj përfytyroj shenjat e gishtrinjve mbi xhamin e derës së sallonit. Si i kanë vijëzat e gishtrinjve virtuozët vallë?
Më kujtohet një nga profesorët e mi të Universitetit ku studioj. Ai është i moshuar, i pa martuar, pa fëmijë, strikt, i egër, cinik tmerri i studentëve. Një fije dritë e pashtershme qesëndie ia ndriçon shikimin. Në një nga leksionet na bëri të qartë që dashuria e tij më e madhe ishte dashuria për kafshët dhe që çdo vit jepte dhurata në para, për organizatën e mbrojtjes së kafshëve dhe për fjetoren ku mblidhnin kafshët e pa zot që gjenin rrugëve. Pas këtij spjegimi, shumë gjëra që lidheshin me sjelljen e tij të egër me studentët, u ndriçuan nga një tjetër kënd.
Ngjitem në katin e sipërm të pallatit. Është pikërisht ana çuditërisht « e magjepsur » e pallatit ku banon gruaja me St Bernadin Xhina dhe djalin e saj. Kohët e fundit kam parë një burrë tjetër që e merr qenin me vete dhe e sjell pastaj më vonë në shtëpi. Ngjis shkallët përtueshëm që të shkoj të pastroj .Tek dera e hyrjes nga larg shoh gruan dhe dy burra. Dua ti përgjoj dhe të shoh çfarë bëjnë. Njëri është ai i ardhuri dhe të dytin nuk e kam pare ndonjëherë. I ardhuri i zgjat gruas një tufë me kartmonedha dhe ajo i jep në dorë zinxhirin e qenit. Ai e merr qenin përdore, e perkëdhel dhe niset që ta nxjerrë jashtë. Ku do e çojmë ? pyet tjetri. Diku këtu jashtë- përgjigjet i pari- në park me mire, sepse unë e njoh vendin atje. Ata dalin të dy. I ardhuri më përshëndet përzemërshisht duke buzëqeshur dhe pastaj zgjat dorën në ethe nga qeni. Unë shoh sytë kurioze dhe zbirues të Xhinës. Më kujtohen përsëri, kamerat, kafshët, sjellja e çuditëshme e gruas dhe djalit të saj.
« Kafshët » them dhe vazhdoj të pastroj papastërtitë e tyre.

Friday, April 17, 2009

Stinë...

Kjo stinë nuk vjen nga qielli
por ngjizet në zemër të tokës
plas koren e bardhë
si cipën e vezës
dhe lëngjet ia lajnë mollëzat..
Çdo fije bari e lindur
më sheh me sy fëmije
njësoj si dhe sytë e ketrit
që ujë shiu pi
e trembet kur këmbët e mia
me dheun e shkrifëruar
bëjnë dashuri.
Toka e ngopur
merr frymë thellë
shkund baluket e gjelbërta
e etur
ngjit buzët
e gjurmët e hapave më puth.

Kjo stinë që vrapon kapilarëve
shpërthimeve të sythta
udhëtimin ndal.

Friday, April 3, 2009

Në lagunën Redonda

Të dyja ato
kishin fruta
të rrumbullakët,
të fortë e të pjekur,
gjelbërimin e freskët
farfuritës mbi trup…
shkujdesjen e erës,
që i prekte pa i pyetur.

Me sytë ovalë
dhe fletët drithëruese
kërcenin salsa,
mbi ujin e kuq
në lagunën Redonda
nën melodinë
e fyejve te diellit.

Gjarpërinjtë e xhunglës
rreth qafës varur...
rrjeta lianesh
kofsheve te plota…
mbi flokë kolibrat
iu ngrinin folè.

Të dyja ato...

kamarierja e lokalit
dhe palma e njomë
në hyrje të tij.

Monday, March 2, 2009

Nënë

Të rrinë të mëdha këpucët e jetës
dhe ti si shkurton dot
siç bën me fundin e fundit
dhe mëngët e trikos
për vit.

Zvarrë i tërheq nëpër shtëpi
e këmbët ti pengojnë
kur shkallët e dimrit
mundimshëm i ngjit
një nga një.

Sa kohë ka rrjedhur
që kur krahun tënd të plotë
kisha zili...
Të rëndet frymëmarrja
e frikërat e tua mbështet
tek unë...
Më vjen der' tek supi tani.

Saturday, February 14, 2009

Grua…

Ajo
ishte fjalë…
Endej
në hapësirën e zezë
pa trajtë
pa drejtim pa qëllim.

Pastaj
u ujëzua,
...rrëkezë dëshirash
në një rrafsh të pjerrët,
pa mundur
të gërryeje dot një shtrat.

Në fund
preku një shpatull burri...
u ngurtësua
dhe mori formë.

Friday, January 23, 2009

SILUETE

I.


Ky diell përtac që shkon të flerë

atë çka dogji,

mashtrueshëm e lëpin...

Mbi minaret dhe kryqet

rrëshket ngadalë,

ngadalë zvarritet, zvarritet pa pushim

para se muzgu nën zotërim

krejt tokën të marrë.

Pemët rrëshkasin

mbi barin e përgjumur

gjithë lagështi.

Dyert po mbyllin

të gjitha foletë një e nga një..


II.

Po ja nga turmë e murrme

përballë del ai

dhe shëtit me ngadalë

gjithmonë në qetësi,

veshur me një pallto

të zezë, të gjatë...

Nga pas e ndjekin kinezja

e tij

dhe qeni

i tij…

Kinezja mban në kokë

një kasketë ngjyrë gri

ndërsa qeni i madh

është pis i zi.


III.

E ngrohtë qëlloi

kjo ditë e vjeshtës së vonë...

Si ashkël më merr rrjedha,

të rrezistoj nuk mundem

Njerëzit më afrohen

me shumë fytyra

që si letra bixhozi

hapur i mbajnë nëpër duar.

« Zgjidh një » më thonë

« atë që të pëlqen më shumë »...

Unë zgjedh fytyren time

me zgjedhje të detyruar

pas orës së dymbëdhjetë

të ditës së gjatë të punës,

mbërthyer

në kornizën e xhamit të derës,

të subëay-t që do më abortojë

së shpejti.

« Ta zhubros » mendoj

« dhe ta hedh nga dritarja ? »

IV


Përse e ngjit ashtu vështrimin

në fytyrën time të xhamtë ?

Është krejt e kotë...

Nuk e kupton që sferat

janë të ndryshme ?

dhe ne rrotullohemi brenda tyre

si hamsteri i vogël

në rrotën e tij burg-lodër

me të cilën kujton se luan.

Mos më shiko.

Jetojmë brenda rrotave

që burgosur i mbajnë

gishtërinjtë tanë të lodhur.

Rrathët si vathët e syve

monedhat paguese të dëshirave

të kësaj bote rruzullmbyllur.

V


Bën vapë.

Buzët e mëdha zinxhiri hap...

Ky diell budalla

me kohë ka perënduar

dhe bebëzat e mia

brenda tij tashmë janë shuar.

Vjen ora kur nga turma

shkëputet ai

me pallton e gjatë...

i qetë e me ngadalë

me kinezen ngjyrë gri

dhe qenin e tij të zi.

Monday, January 12, 2009

Moment

Me buzë të mavijta
mosdashja kafshon...
ventuzë në muzg.
E qetë...
bosh...
e thithur...
derisa xixa mes rrënjëve të bëra shuk
momentin e shkëlqen.
Nga larg shkëndijat vorbullohen,
përvoje turme ne muzg,
flakën e ushqen,
e flaka i ngroh butë
ne ngërç gishtrinjtë
gërshetuar një nga një...
Lëmshi nga larg zë e afrohet
herë duket
herë zhduket
nën të ndriturat lëpirëset gjuhë...
shkëlqen i lagur...
shuhet ngadalë...
"njeriu vitruvian"
bri meje shtrirë rri,
në pozicion horizontal.

Moment

Me buzë të mavijta

mosdashja kafshon…

ventuzë në muzg.

e qetë…

bosh...

e thithur...

deri sa xixa mes rrënjeve të bëra shuk

momentin e shkëlqen

Nga larg shkëndijat vorbullohen

përvoje turme në muzg

flakën e ushqen

e flaka i ngroh butë,

në ngërç gishtrinjtë

gërshetuar një nga një...

Lëmshi nga larg zë e afrohet

herë duket

herë zhduket

nën të ndriturat lëpirëset gjuhë…

shkëlqen i lagur...

shuhet…

ngadalë...

« njeriu vitruvian »

bri meje…

shtrirë rri,

në pozicion horizontal.