Sunday, October 22, 2017

Një këngë dashurie…

(A ka lulëzuar hardhia e rrushit vallë?)
……………………………………….
Kjo është një  këngë e butë
për të gjithë të vdekurit…
jo për çfarë shkoi nëntokë
dhe në aromën e luleve të rrushit
më kthehet përsëri,
po për gjithë dashuritë e tyre
që mbeten në hapësirë,
dhe më rrethojnë dhe ngrohin papushim.

Kjo është një këngë e brishtë
për të gjithë të vdekurit
dhe për erën e temjanit dhe të trëndafilave
për ëndrrat që i bënë të lumtur
dhe për të tjerat që i lidhën fort
me njerëz vënde dhe ngjarje
krejtësisht të pa qëna e pandodhura…

Kjo është një këngë e trishtë,
për të gjithë të vdekurit
për dhimbjen që nuk varroset kurrë nendhè
por mbetet mbi të, si qiell i lotuar me re gri,
apo si një degë peme e shkëputur nga stuhia,
varur nën një plagë që rënkon…

Këndoj me zë të ulët një këngë sot,
për gjithëçka që pavarrosur mbet, nga ata
që aromë e luleve të hardhise u bënë.

©M.P.


Saturday, October 21, 2017

Jehona e plumbtë



Gerard Manley Hopkins

Si ta ruash- a ka diku ndonjë diçka, ndonjë asgjë të tillë  diçka të panjohur askund, shirit
apo furqetë a gërshet a shtrëngese , gjalm, shul a mbërtheckë a kyc mbyllur
ta mbajë të bukurën, ta ruajë, të bukurën, bukurën, bukurën… nga venitja, shkuarja tej?
 Oh a ka ndonjë mos rrudhosje të këtyre  rrudhave, rreshtit të rrudhave të thelluara
në thellësi? Asnjë ndalese e këtyre lajmëtareve më të zymtë, lajmëtarëve të ngrirë,
lajmëtarëve të trishtuar dhe vjedharakë të gri-së?
Jo s’ka asnjë, s’ka asnjë, oh jo s’ka asnjë
As që ke për të pasur ndonjëherë këtë pamje që tani ke, të mirë mund ta quajmë.
Le të bësh ç’ka mund të bësh, çfarë, të bësh ç’ka të mundesh
por urtësia do të zhduket e para:
Fillo, përsa kohë që jo, s’ka asgjë që mund të bëhet
për ta mbajtur sa më larg
plakjen dhe flokët e bardhë djallëzorë të moshës
rrudhosje dhe rrudha, lëkura që varen, vdesin, më e keqja e vetë vdekjes, lëkura të bëra shuk,
varre dhe vemje, rrënim dhe kalbëzim.
Pra fillo, fillo ta humbësh shpresën
nuk gjëndet asnjë, jo, jo , jo, asgjë nuk gjëndet
fillo humbit shpresën, humbit shpresën
Humbe, humbe, humbe, humbe.

Shqiperoi M.P.


Shenim: Jam krejtësisht e ndërgjegjëshme që shqipërimi im nuk e nderon sa duhet “The leaden echo” te Hopkins,( e cila duhet dëgjuar dhe jo vetëm lexuar), por në emër të dashurisë pa kushte dhe mahnitjes time nga muzikaliteti ritmika dhe forca e fjalës në poemën në fjalë… jam e falur.

Saturday, October 14, 2017

Ti...si shiu...

Po bahen t’shkurtna dit’t e vitit
e degët gjethet po i lotojnë pa pra,
me krahët e lagët dheun po e mbshtjell
melankolia e ksaj vjeshte t’dyt

Ti vjen si shi i trishtë në mbramje
dhe në mjes ikën
si fjalë e ngecun n’fyt

kisha me dasht veç me u mbshtjell nën pallton tande
e si fije drite prej syve me t’rrëshkitë
me shallin tim te kuq me ta ndjell andjen
me frymën-fllad ta përkdheli kryt

Por ti vjen si shi i trishtë në mbramje
dhe ikën n’mjes
si fjalë e ngecun n’fyt.

Kisha me dasht veç zanin me ia ndi lkurës tande
e s’bashku me timen nji kang t’çjerrë
me e kendue. Tue ecë n’nji rrugë t’pa shkelun
nën një dritë hane…

Por ti vjen si shi i trishtë n’mbramje
dhe në mjes ikën
si fjalë e ngecun n’fyt

E kam pa rujt nën qerpik për ty nji breg t’kaltër
me dallgët here t’rebelueme e here lozonjare
e kam pa rujt edhe nji qill krejt blu
veç me nji re t’bardhë sa me shplodh sytë e tu

Por ti vjen si puthje shiu t’trishtë në mbramje
dhe n’mjes ikën
si fjalë e ngecun n’fyt.



©M.P.

Monday, October 2, 2017

Krijim i papërfunduar



Dua të të krijoj nga Fillimi
nga hiçi, nga asgjëja,
aty ku kurrë nuk ke qenë,
por më mungon “Fjala” e më thërmohesh,
nga gishtat me rrjedh si dritë ,
sepse
nuk qënkam Zot as në imagjinatën time

Dua pastaj të të vesh atë pallton e zezë
gjitha përqafimet e dashura
me të i kam të veshura së fundmi
por se vapa vjen shpejt
me angështi dhe miza
mbi trupat e zhveshur djersë

Dua të të mbërthej në cep të trotuarit
nën një neon të madh që dritë rrjedh
një mbrëmje me shi dhe fëshfërima monotone
netë të ngrohta qielli idhnak,
por vizatimin ma grisin vetëtimat
dhe gjithmonë mbeten dy gjysma
qe nuk ngjajnë

Dua të të pres tek kafeneja
me dritare të mëdha mbi udhë
kafe duke gjerbuar
ndoshta verë dhe kikirikë
Por kohën ma mat feniksi i vogël
që më zgjon çdo mëngjes në dritare
me këngën e tij
dhe ndërsa e vras ngadalë
ai vetëdigjet për t’u ringjallur mëngjesin tjetër
të vijë përsëri pas xhamit
aty ku unë i zë pritë çdo ditë


©M.P.