Saturday, July 24, 2010

Prag vjeshte

Një diell tinzar qiellin e gabuar
përndrit përditë.
...oh… ditet po tkurren…
abortohen të lodhura një nga një...

Stinët me dolli të zhurmshme
rrëkëllehen në grykë të viteve
dhe kohë s’kam
të gjej një shtrat për rrënjët
që rrëgjohen dita ditës....
të pa mbjella…

Thursday, July 8, 2010

Kthim pas

Shtëpia nga dolëm përdore të dy,
është prapë aty, në murin suva-ashpër
përballë shtratit ku akoma fle fëmijëria ime.

E para ishte drita atëherë…
Dritë e syrit të një fëmije,
krijonte mbi suvanë e murit
shtepi, qytete, zogj, banorë,
ujra, qiej, dashuri ...


Kështu nga një vështrim
jemi krijuar edhe ne...
Piktura në pëlhurën e qiellit
që kanë humbur rrugën për në shtëpi…
...sepse e lëmuar është tani suvaja
dhe (për)dora jote mungon.

Sunday, May 9, 2010

KETROLOGJI

Kjo nuk është aspak një përrallë, por një ngjarje e vërtetë, ndodhur në një mëngjes të lagur kur sapo isha zgjuar.
“Përralla e dy deshëve që përplasin brirët me njëri tjetrin tek ura derisa bien të dy në lumë, nuk mund të ketë ndodhur vërtet. Ajo është shkruar për njerëzit” - mendova me vete ndërsa pija kafenë pranë dritares në atë mëngjes të ndritshëm pas shiut të ngrohtë. Çdo gjeth’ dhe çdo fije bari shkëlqente ethshëm. Në kabllin telefonik që kalonte mu përpara dritares time vareshin akoma pikat e mëdha të shiut që kishte pushuar vetëm pak minuta më parë.
Ketrat luanin dhe kuisnin në degët e pemëve. Këto kafshë të vogla të gëzofta me një natyrë të admirueshme më çudisnin gjithmonë, por asnjëherë çudia ime nuk kishte arritur pikën e atij mëngjesi të lagur. Tek luanin gazmorë dhe kërcenin degë më degë, papritur dy prej tyre u gjëndën duke vrapuar në kabllin telefonik përballë njëri tjetrit. U takuan aty në një pikë të caktuar. Përballë. Qëndruan. Komunikimi zgjati vetëm pak sekonda. Njëri nga ketrat mbërtheu kthetrat e vogla përreth telit dhe u var me trupin poshtë dhe këmbet në tel. Ketri tjetër kaloi sipër. Pastaj ai që ishte varur me këmbë përpjetë u ngrit dhe vazhdoi rrugën në drejtimin ku ishte nisur. Kush kishte qënë kodi ? Cili pikërisht kishte liruar rrugën ? Më i vjetri ? Më i riu ? Më i forti ? Më i urti ? Ai me gëzof më të ndritshëm ?
E gjitha ndodhi në pak sekonda, e kordinuar në mënyrë perfekte.
« Jo, » mendova përsëri e befasuar « Nuk mund të ketë ndodhur vërtet me deshët ashtu. Ajo kokëpërplasje është karakteristikë e tjetër lloj inteligjence. E njerëzve.»

Saturday, May 1, 2010

Anipse...

Pluhni i krahve t’flutrave
vazhdon me ranë…ranë… ranë…
n’lug
edhe pse ato kanë shtegtue
vite t’shkueme pa kthim.

Pemt' e rralla presin
t’prekunit e mollzave me u përkul.

Janë t’vakta dit’t e ndriçueme
nga rrkajë e zezë e korbit t’Poes…
e muzg’ i amël t’rren… rren… rren
se i dit’ shtegtaret kanë m’u kthye.

Saturday, March 13, 2010

Shtatë ditë e shtatë netë

Mrekullia ishte pikërisht ajo lloj shkëputje pothuajse totale nga të gjitha telashet dhe kënaqësitë e mëparshme, sapo vumë këmbët në ishull. Apo ndoshta më parë? Ndoshta që sa hipëm në avion? Jo, jo… ajo ndodhi pikërisht kur zbritëm në një nga aeroportet e vegjël të ishullit. « Është magjia e ishullit »- më tha ajo qetësisht. Ajo i besonte gjërave magjike dhe se ç’kishte ca teorira të sajat për botë të përtejme dhe lidhje fluide me to. Fakti që të dyja provonim të njëjtën ndjesi e shtonte akoma më shumë «magjinë e ishullit ». Më ishte e pamundur të kujtoja çfarë kisha ndjerë dhe perceptuar disa orë më parë. Sigurisht më kujtoheshin ngjarjet vëndet, njerëzit e dashur që kishim lënë diku tutje, por isha krejt e zbrazur nga emocionet dhe ndjesitë për ata, si një zbrazje dhe pastrim i enës para se të mbushet me diçka të ndryshme dhe të plotë.
Autobuzi që na çonte në fshatin turistik përshkoi fshatrat primitivë dhe qytetet e varfëra të ishullit. Pas formaliteteve në sportel mora çelësin dhe vendosa të shkoja në dhomë, ndërsa ajo po më priste në sallën e ngrënies. Godina 13 dhoma 1550. Eci në asfaltin e nxehtë ngjitës në rrugët e ngushta mbushur me aroma ekzotike të fshatit të vogël turistik. Godina nr 2... bimët tropikale që mezi na rriteshin nëpër vazo në shtepitë tona dhe që na kënaqnin me triumfin e një fitoreje sa herë nxirrnin ndonjë gjethe të re, harliseshin këtu krejt të lira dhe të ndritshme. Godina nr 4....dhe nëntë godina të tjera për të kaluar. Godina nr 5... ja këto të dyja që sapo dolën . Duken tamam si lesbike. Të kapura për beli me njëra tjetrën. Ajo bjonde me flokë të shkurtra, ndërsa tjetra brune me flokë të gjata... por ndoshta edhe nuk janë. Ndoshta janë thjesht shoqe. Ku i dihet. Godina nr 6... këmbët i kam të lodhura nga rruga. Kam rrobat e banjos të veshura poshtë fustanit. Mezi pres të shkoj në dhomë dhe të vesh një palë mbathje prej vërteti. Godina nr 7... jam vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Hera e parë që vi me pushime në një vënd latin. Më pëlqen shumë gjithçka. Ajri... ajri... ajri... ngjyrat aromat... njerëzit « holaaa ». Trishtimi i shkaktuar nga ndarja me dashurinë time të parë është ngecur dhe harruar në një cep te aeroportit. Shpresoj që ta harroj atje dhe kur të kthehem mos e kujtoj më atë dhe personin që e shkaktoi. Ena po mbushet ngadalë. Do vesh një palë këpucë të rënda që të qëndroj e ngulur në tokë dhe mos fluturoj si një tullumbace e fryrë nga kënaqësia. Godina nr 8... uff çfarë vape. Godina nr 9.... edhe tre godina dhe arrij. Një si tren i vogël që transporton pushuesit nëpër fshat kalon pranë meje. « Hej do hypësh ? », sa miqësorë që janë, « Jo jo, pothuajse arrita ». Fus çelësin në bravë dhe e rrotulloj. Freskia e dhomës ma përze afshin e diellit nga lëkura. Perdet janë shumëngjyrëshe si një pyll i virgjër tropikal, me zogj dhe pemë. Krevati i madh sa për tre veta. Mirë qënka. Do flemë të dyja aty ; do na dali e teprojë vëndi. Bëj një dush shpejt e shpejt vishem dhe kthehem përsëri. Godina 12, 11.... 3... 2... salla e ngrënies... ajo që pret e qetë me sytë të përhumbur në ujrat e pishinës. Afrohemi të dyja në tavolinat e mbushura me ushqime të shumëllojshme. « Do i hash te gjitha këto ? » më pyet ajo qetësisht, duke vështruar pjatën time të mbushur plot. « E çrëndësi ka ? » i përgjigjem « Nëse nuk do i ha, do i lë » Pasi i provoj të gjitha, shkoj dhe mbush një pjatë plot me ëmbëlsira. Të preferuarat e mija. Nuk i qëndroj dot tundimit. Kur kthem në tavolinë një mullenjë e zezë, ka qëndruar në mbështetësen e karrikes përballë dhe diçka do të na thotë pa pushim duke na vështruar drejt e në sy. Marr aparatin ta fotografoj, por ajo e ofenduar fluturon tutje.

* * *
Si e kishte emrin ajo ndjesi lehtësuese dhe mbushëse njëkohësisht ?
Ishte i ndryshëm ajri vallë ? I lagësht nga djersa e bimëve, oqeanit dhe trupave të vëndasve. I mufatur me tinguj latine ritme trokitëse trokitëse shtrydhëse.....

si no me amas.........hey.... (1)
Por Que me llamas.....hey....
si no me amas
Por Que me llamas
porque me engañas
Por que Me hablas

Ndjej të më avullojë dhimbja e ndarjes nga të gjitha qelizat e shpirtit dhe të bashkohet e tretet me lagështirën e ajrit.
Shkojmë të shtrihemi për tu shlodhur nga lodhja e fluturimit. Ajo qëndron e shtrirë në anën e saj të krevatit me sytë blu të drejtuar tavanit dhe flokët e zeza të shpërndara supeve të brishta.
« Sa e bukur që je » i them. Ajo kthehet me një buzëqeshjen standarte sa herë që i them këtë fjali, afrohet drejt meje më përkëdhel flokët dhe më puth. Pastaj vendos përsëri kokën në jastëkun e saj. Jam e kënaqur që pranoi të më shoqëronte në pushimet e mija. Fundja pa të nuk do mundja të vija këtu. Ajo e shihte si përpëlitesha nën dhimbjen e mundimshme të ndarjes dhe i kishte rregulluar të gjitha punët e saj që të vinte me mua. Unë kisha marrë leje nga shkolla për një javë.

* * *

Mbrëmja e parë erdhi me një freski mbështjellëse. Nuk e kam të qartë se si harmonizohen ambientet luksoze të argëtimeve me çatitë prej gjethe palme që i mbulojnë. Njerëzit shëtisin buzë pishinës së madhe ku është edhe salla e shfaqjeve. Një lloj hutimi na përfshin te dyjave. Sytë i ngulim hetueshëm tek njerëzit përreth dhe « argëtuesit » që sapo kanë dalë në skenë na ftojnë të kërcejmë merenga e bachata. Ata, vajza e djem derdhen në sallë rrëmbejnë nga një spektator apo spektatore duke e tërhequr me elegancë drejt skenës fillojnë vallëzimet. Dua të jem atje mes turmës, të kërcej, të tundem nën ritmet latine, nën natën e dëndur latine, nën gjethet latine të palmës me vëndasit gjakndezur . Lëviz këmbët nën karrike nën ritmin e muzikës. Ajo buzëqesh aty pranë meje me sy të përhumbur, me flokët e gjata lidhur nyje pas kokës dhe lëshuar supeve. Vallzimin tjetër njëri nga ata më fton. Ngjitem në skenë. Nervozizmi dhe ndrojtja më shkrihen nën drejtimin mjeshtëror të partnerit tim. Edhe ajo po kërcen me dikë diku në cep të skenës. Qesh dhe tundet nën ritmet e muzikës. Vonë në darkë kthehemi në dhomë duke u çapitur në rrugicat e zbrazura të fshatit. Ecim mbështetur tek njëra-tjetra. Tek tuk takojmë rojet që na përshëndesnin : « Hola ».
Në mëngjes nuk dua të zgjohem. Një gjumë i ngjeshur dhe i thellë. Ajo më flet dy tre herë të ngrihem për të shkuar në plazh apo për të ngrënë mëngjesin por unë i them që dua të fle akoma. Ajo ikën vetëm. Pas dy orësh kthehet dhe më zgjon . Ngrihem me përtesë dhe përsëri mbush pjatën në sallën e ngrënies . Dy pjata…. Njërën me ëmbëlsira. Do shtoj në peshë e shoh…por nuk dua të mendoj. Nuk dua të mendoj asgjë vetëm të ndjej këtë gjëndje flu pa fillim dhe fund. Kur të iki do i le të gjitha këtu. Nuk do marr pas as mallin as mungesën. Do ua mbyll derën.

* * *

Ditën e kalojmë në breg të oqeanit. Pak më larg bregut , brënda në ujë rritet një bimësi e ndritshme e gjelbër e errët dhe ne të dyja kemi frikë të notojmë deri aty dhe të ndjejmë prekjet misterioze të bimësisë nëpër lëkurë. Koncerti i darkës kësaj here është me disa kërcime komike ku vihen në lojë dhe imitohen këngëtarë të ndryshëm. Trupa që debuton është gjithmonë e njëjte . Rreth pesëmbëdhjetë djem dhe nja dhjetë vajza. Janë të punësuar dhe jetojnë aty. Paradite merren me argëtimin e pushuesve me lojra të ndryshme dhe me sporte ndërsa mbasdite japin shfaqje. I shikoj me uniformën e tyre me bluza blu me stampën e hotelit dhe të mbathura banjo, që shëtisin nëpër fshat, gjithmonë të qeshur, gjithmonë të ngrohtë. Dua t’u afrohem dhe të zë miqësi me ta dhe rasti vjen atë mbrëmje pas shfaqes, kur ata organizojnë një “konkurs” ku do zgjidhet “miss simpatia” e fshatit turistik. Një nga gjashtë të ftuarat jam dhe unë. Na venë të gjithave që të kërcejmë nën ritmin e muzikës, pastaj të shkojmë dhe të puthim të gjithë meshkujt që ishin rreth e rrotull dhe ata numërojne kush puth më shumë për një minutë dhe më pas na venë që të marrim sa më shumë njerëz nga sheshi dhe t’i sjellim aty në skenë. Është një kënaqësi e shfrenuar. Përzihem me argëtuesit, dhe pushuesit e tjerë… e ndjej vetën njëkohësisht publik, aktore dhe konkuruese. Në fund na japin nga një çmim të gjithave. “Shikoni këtu” na thotë spikeri, një djalë tepër i gjallë që e flet çdo fjali në pesë gjuhë “ kjo që po ju japim peshqesh është një pije ekzotike e ishullit. Bëni kujdes kur ta përdorni. Një gotë nga kjo… një bebe e garantuar.Kjo ështëëëë… Mamahjuanaaaaa” Të qeshurat pambarim fluturojnë nëpër sheh. Bëj të eci drejt tavolinës ku më pret ajo dhe ndjej të më bjerë taka e këpucës. « hej dreq.... » Po shkoj te ndrroj këpucët i them dhe nisem drejt shtëpizës tonë. Ajri i dendur tropikal më mbështjell. « Sinjorita » dëgjoj diku përbri meje. « Do vish me mua ? ». Vazhdoj rrugën pa iu përgjigjur. Filloj këndoj nën zë :


Mejor prefiero......hey (2)
ser traicionero.....hey
Y çonocer otra mujer
Aunque yo sepa que en mi vida
que me acompañesolo una noche
y que de amor que me de un derroche
al otro dia al amanecer
olvide el olor de su piel

Godina1..., godina 3.... ndjehem e lehtë, e lehtë, e kënaqur, e mbushur... godina 5....i heq këpucët dhe i marr në dorë. Shkel zbathur në asfaltin e ashpër. Mi gudulis shputat e këmbëve të cilat ndjehen të lira të çlirojnë energjinë e tyre në tokë.... godina 7... Holaaa sinjorita.... Hola.... godina 9....jam e shkëputur,.... e shkëputur e fluturuar si një balonë e lidhur me pe.... godina 13... futem brënda .Kur kthehem e gjej atë në tavolinë me tre nga argëtuesit duke folur dhe qeshur. Ulem me ta. Janë djem shumë simpatikë. Ajo po i tregon për librat që ka shkruar dhe ata e shohin ngultas me një ndjesi të përzier. Dua të tërheq vëmëndjen e tyre. Dua t’u bie në sy, t’i bëj për vete. Filloj flas dhe unë me ta. Ata i mbajne sytë nga ajo. « Senjorita, je e bukur » i thonë « Jeni të dyja shumë të bukura » . Nuk m’u nda dhe kjo. Dua të jem unë në qëndër të vemëndjes. Në fund të fundit mua më takon vëmendja, jo asaj.
Në darkë ndërsa rri e shtrirë në krevat përbri meje, ajo kthehet dhe më vështron me sy të ndritshëm. « Kam ndërmend të shkruaj një tregim » më thotë papritur dhe e tërë fytyra i shkëlqen nga një buzëqeshje ëndërrimtare. Pret që ta pyes mbi subjektin, por unë luaj indiferenten.
« Ta them subjektin ? E do ? »
« Hë thuaje »
« Do jetë për një vajzë që vjen me pushime në një fshat turistik dhe njeh aty një djalë që i pëlqen shumë. Fillojnë një romancë dashurie të dy që arrin kulmin afër ditës së fundit dhe më pas para se të ikë ajo zbulon që ai ishte një kriminel ose hajdut i kërkuar nga policia . Si të duket ? »
« E trishtueshme » i përgjigjem. Buzëqeshja e saj bëhet e pakënaqur.

* * *
Ajo gjithmonë zgjohet herët. I pëlqen plazhi dhe qetësia e mëngjesit. « Dua të jem vetëm per vetëm me oqeanin dhe bregun » më thotë. Mua më pëlqen oqeani natën ; në mëngjes dua te fle. Natën është rradha ime të shkoj dhe shijoj vetminë e errët të oqeanit. Ajo ka një si frikë brënda saj. Nuk do që të vijë dhe nuk do as që unë të shkoj. Më thotë që nuk ka për ta zenë gjumi derisa unë të kthehem dhe vërtet që nuk e zë. Unë nuk vonohem shumë. Vetëm disa minuta sa për të endërruar... sa për të kujtuar atë që kam lënë pas, kujtimet e të cilit dhimbja po i ngurtëson ngadalë dhe po i kthen në statuja në kopështin e shpirtit tim. Kushedi sa statuja të ngurtësuara kanë njerëzit në kopështet e tyre të shpirtit. Ato qëndrojnë aty të heshtura, kurrë më nuk ngjallen, vetëm kujtohen dhe shikohen, por janë gjithmonë gjithmonë aty.
Më në fund ajo heq dorë nga zgjimi që perpiqej të më bënte . Unë kisha bërtitur dhe isha nervozuar sa herë që ajo përpiqej të më ngrinte para se të mbyllej restoranti në mëngjes. Ajo kishte fituar tre ditët e para dhe tani ishte rradha ime të korrja fitoren dhe të prehesha në qetësinë e gjumit të mëngjesit, ndërsa ajo ikte...ikte…
« Ku shkon ? » e pyeta.
« Po ja… dal në breg, notoj dhe vrapoj, pastaj rri në diell . Kam qejf ujin në mëngjes herët, por nuk e di pse nuk ndjehem si herët e tjera nga prekjet e tij. Ndoshta ngaqë është oqean dhe unë jam mësuar me det ? Nuk e di.... »
Edhe unë tashmë kam hequr dorë përfundimisht nga vendosja e lidhjeve me oqeanin. Nuk më pranoi për të dytën herë. Valët m’u përplasën në trup, aspak miqësore, sikur kërkonin të më shtynin në breg.

* * *

Suksesi i një nate më parë në shfaqje më ka bërë të njohur dhe njerëzit më shohin dhe më përshëndesin ose thjesht më buzëqeshin. « Ishe e shkëlqyer mbrëmë » dëgjoj pëshpëritje. Ndjehem kaq mirë nën vëmendjen dhe shikimet e tyre. Jam natyrë e ndrojtur, jo shumë e shoqërueshme dhe ky lloj ambienti më bën shumë mirë për rritjen e vetëvlerësimit. Ah sa të varur që jemi nga njerëzit që na rrethojnë. Notojmë të gjithë në të njëjtën opinion-pelte. Disa përpiqen të ngrihen dhe nxjerrin kokat mbi sipërfaqen e dëndur duke shtyrë me duar ata që kanë pranë, disa zhyten nën presionin e duarve të të tjerëve përpëliten pa frymë dhe instikti i ngre sipër përsëri. Ndonjëherë më duket e gjithë jeta si një stërmundim i vazhdueshëm për ta mbajtur kokën jashtë asaj peltes vetëm sa për të thithur një çikë nga ai ajri i ndotur që gjëndet sipër saj.
Ajo bën banjo dielli e shkujdesur në krevatin e plazhit aty pranë meje.
« Më sill të lutem ndonjë lëng për të pirë » i them...
“Unë?” përgjigjet .
“ Po të lutem” përsëris unë.
Ajo ngrihet me një lloj buzëqeshje të veçantë dhe shkon më merr një ponç frutash dhe një për veten e saj dhe i sjell. Dielli i nxehtë do shumë lëngje… Pini lëngje pini lëngje… Janë të gjitha brënda pagesës.
Ajo shkon në grupin e aerobisë në ujë para orarit të drekës, ndërsa unë vazhdoj të nxihem në diell dhe i shoh të gjitha aty gjysëm të futura në pishinë tek lëvizin këmbë e krahë nën drejtimin e argëtuesave dhe qeshin me të madhe nga shakatë e tyre.
“ Çfarë po bënit kur u mblodhët të gjitha njëra pas tjetrës në rreth?”, e pyes kur vjen.
“Hic, po masazhonim njëri tjetrin “ mu pergjigj.
“Edhe ti masazhoje atë çunin që kishe përpara?” pyes prap gjoja e irrituar.
” Po. Dhe ai që ishte pas meje më masazhonte mua dhe kështu të gjithë në rreth” “ Ah… kështu paskeni bërë?”, i flas me një ton provokativ.


* * *

Këtu lëkura nuk vuan ashtu si në qytetin verior ku unë banoj. Mbështillet butësisht nga ajri i lagësht që i jep një shkëlqim të veçantë. Unë dal nga uji i oqeanit me pikëlat që më shkëlqejnë në trup. Ajo më fotografon që nga çadra e diellit mbuluar me gjethe të thata palme.
“Ti duhet t’i kthehesh përsëri karierës së modelimit”, më thotë, “ Je një modele për t’u pasur zili”
“Jo,” i përgjigjem, “ Nuk dua të përballem më me intrigat dhe konkurencën e atjeshme. Nuk kam natyrë aq të fortë sa t’i bëj ballë, nuk mundem më. »
« Tani je më e pjekur » më thotë, « Atëhere ishe pothuajse fëmijë ».
Tund kokën në shenjë mohimi. I kujtoj që kemi vendosur të ikim mbasdite për një shëtitje me kalë. Jemi të dyja të elektrizuara. Asnjëherë nuk kemi kalëruar më parë me një kalë të vërtetë. I them që do vijë me ne edhe një i njohur i imi, të cilin e kam njohur këto ditë.
« Le të vijë... pse jo » më thotë.
Mbasdite fillojmë provojmë e çprovojmë rrobat që do veshim.
« Ta vesh unë këtë bluzën tënde ? » - më pyet.
« Mirë » i them pak si pa qejf.
Nuk e kuptoj dot ndonjëherë këtë mani të saj për të veshur rroba adoleshenteje. Nuk më pëlqen kjo gjë.
Mbasdite nisemi të tre për kalërim. Ai e përshendet me respekt dhe simpati.
« Me kanë thënë që shkruan », i thotë për ta ngacmuar.
« Ah, të paska thënë kjo », qesh.
Stalla e kuajve është në breg të oqeanit. I afrohemi dhe përkëdhelim fytyrën e kuajve. Më duken shumë të lartë. Si do qëndroj aty në majë të tyre? Kam pak frikë. Edhe djali që është me ne ka frikë.
“ Nuk kam provuar asnjëherë”, më thotë.
Udhërëfyesi na mëson si të hipim dhe niset edhe ai me ne. Do udhëtojmë me kuaj për një orë në një rrugë që kalon përgjatë oqeanit nëpër xhungël. Është një rrugë e ngushtë ku nuk mund të kalojë më shumë se një kalë. Kali i saj prin i pari dhe pastaj vijnë kuajt tanë, pranë e pranë njëri tjetrit, aq pranë sa këmba ime fërkohet me këmbën e atij djalit. Nuk e shtyj dot. As ai nuk shtyhet dot më tutje. Ndjej prekjen e lëkurës së tij me qime pas këmbës time dhe më shkojnë të dridhura. Nuk di nëse dhe ai e ndjen këtë. Duket krejtësisht i përqëndruar. Kali i tij përpiqet përsëri të dalë përpara. Kam frikë ta drejtoj kalin me frerët, se mos më merr vrapin nëpër xhungël. Fundja kalë është. Ajo e mban kokën lart dhe shikon me vëmëndje xhunglën . “Është pothuajse e virgjër”, na thotë. Ne e kemi mëndjen tek kuajt se mos na ikin. Fillojmë dhe ndjejmë kënaqesinë e kalërimit. Kali i tij kërkon të dalë i pari. Kali i saj kryeneç nervozohet dhe e shtyn me kokë duke bërë një kërcim. Ajo qesh me të madhe dhe shtrëngon duart pas shalës duke lëshuar freret. « hej hej hej.... » frikësohemi dhe qeshim të gjithë. Kuajt marrin papritur revan duke ndjekur kalin e saj që është lëshuar pa frerë. Oh sa kënaqësi e frikëshme. Frikë e kënaqëshme. Hej hej hej… ndaloje. Udhërrëfyesi i kujton asaj që të kapi frerët. Natyra është magjikisht fuqiplotë. Xhungla i lan krelat kryeneçe të gjelbërta në bregun kaltërsisht të kreltë. Tani këmba e tij fërkohet pas këmbës së saj. Ajo qesh dhe shtrëngon duart pas shalës së kalit. Sa shumë që qesh ajo. Më vjen ndërmënd ndjesia nga fërkimi i këmbëve. Pas një orë udhëtimi kuajt marrin rrugën e kthimit.


* * *

Nuk e ndjejmë si iknin ditët. Kemi vendosur të dyja që të mos përmëndnim fundin. Duam t’i lemë këto pushimet ashtu si një rruazë të ndritëshme e cila nuk pritet me drejtëzën e jetës sonë të trazuar dhe me ulje e ngritje.
Në mëngjes herët nisemi për një tur në brendësi të ishullit me makinat e hapura të ndarë ne tre grupe dhe të shoqëruar nga tre udhërrëfyes dhe një djalosh me kamera që ne e thërresim « paparazi ». Ai që në fillim ia ngul ata sytë e zinj me qerpikët e lagur asaj dhe i buzëqesh. Edhe ajo i buzëqesh atij. Ka bërë dy gërsheta sot, që i fillojnë nga diku aty pranë tëmthave i thuren nëpër kokë dhe i varen mbi supe.
« Nuk dua që të më bezdisin flokët » më thotë.
« Paparazi » i afrohet dhe i ulet pranë. Nuk di shumë fjalë në anglisht dhe është i turpshëm. Përpiqet të komunikojë me ne.
« Modele je ti ? » e pyet atë. Ajo qesh me të madhe.
« Jo, unë nuk jam modele, ajo është » dhe bën me gisht nga mua. Unë kthej kokën mënjanë pa qejf.
Vëndasit nuk arrijnë të dallojnë as moshën as paraqitjen tonë. Nuk di se si u dukemi të gjitha njësoj. « Paparazi » kthehet nga mua me buzëqeshje.
« Ajo është mamaja ime » i them. Ai hap sytë i çuditur.
« Motra jote e madhe ? » më pyet.
« Jo, » i përgjigjet ajo si pa qejf. « Jam mamaja e saj. »
« Nuk ka mundësi thotë ai » dhe drejtohet nga ajo :
« Sa vjeç je ? »
« Aaaa kjo është sekret » dhe ja, përsëri ajo buzëqeshja e shtirur që nuk e duroj dot.
« Sa vjeç je ? », ngul këmbë ai. Unë i nxjerr gishtat e dorës aq sa janë dhjetëvjeçarët e saj.
« Jo » thotë përsëri ai. Një rradhë dhëmbësh si rruaza dalin në pah nga e qeshura e saj. « Paparazi » e vështron i habitur. Ajo nuk e tregon kurrë moshën. Nuk dëshiron të flasë për të. Nuk e kuptoj përse. Kjo më nervozon por e përmbaj veten. Sido që të duket dhe sado më e re që të duket, ajo është mamaja ime... është mamaja ime... është mamaja ime ! E imja !
Makinat futen në thellësi të vëndit. Rrugë të pashtruara, fshatra të varfër, fëmijë që dalin anës rrugës dhe thërrasin me të madhe fjalë pa kuptim për ne.
« Duan karamele » na thotë udhërrëfyesi. Ne jemi përgatitur për këtë. I hedhim karamelet nga makina dhe ata sulen si milingonat pas thërrimeve dhe i mbledhin. Vëndasit janë një nga rracat më të bukura njerëzore që kam parë. Përzierje e tre gjaqeve : lëkurëkuqve vëndas, spanjollëve dhe zezakëve të sjellë atje si skllevër. Ata kanë trashëguar lëkurën e errët, krelat e zeza te flokëve, buzët e mbushura mollëzat e ngritura hundën e drejtë pak të shtypur dhe sytë... sytë i kanë tepër të veçantë me qerpikë të kthyer si të lagur, me të bardhën e syrit shumë të bardhë dhe ngjyrën e syrit të kthjellët. Ndonjëherë ndodh që i kanë sytë blu dhe atëherë përsosmëria kompletohet. Zakonisht kanë trupa të gjatë dhe muskulozë. Janë njerëz tepër te ngrohtë dhe gazmorë dhe mua më pëlqejnë. Edhe asaj i pëlqejnë. Më vjen ndërmënd një ditë që po shkonte të merrte pije dhe një nga djaloshat argëtues i doli përpara dhe hapi krahët me shaka « senjoraaaaa ». I hapi krahët dhe ajo duke qeshur dhe ai pa hezituar e përfshiu prej beli dhe e rrotulloi ndërsa ajo kukuriste. Ndalojmë dhe vizitojmë një shkollë. Një dhomë e vetme me tavolina dhe karrike. Mure të zhveshura, një dërrasë e zezë, fëmijët të ndarë sipas moshave. I afrohemi dhe ajo i shikon fletoret, i përgëzon duke buzëqeshur, pastaj dalim. I ka sytë të përlotur dhe po ashtu i kam dhe unë. Lemë aty fletore dhe lapsa që i kishim blerë për këtë qëllim. “Paparazi” nuk na ndahet. Filmon herë atë dhe herë mua. Rruga gjarpëron nëpër një vënd malor që ngrihet drejt e nga buza e oqeanit, i cili blu i thellë merr frymë aty nën bregun e palmave të dendura. Bluja, e kaltërta, jeshilja grija, këto janë ngjyrat zotëruese që përzihen në atë peisazh. Shtëpitë e fshatarëve janë tepër të varfëra dhe pothuajse të zhveshura. Futemi në njërën prej tyre dhe shëtisim dhomat që kanë si mobilje vetëm krevatë. Dyshemeja është me një dhè të ngjeshur dhe çatia e mbuluar me gjethe palmash. “Prit të nxjerr një fotografi me këtë” – me thotë- dhe tregon me gisht “paparazin”. Unë i afrohem pranë. Ai më përfshin nga beli pa hezitim dhe ajo na fotografon. “Tani më nxirr ti mua një pozë”- më thotë. “Ah, ja çna qënka,”-mendoj me veten time. Ai e përqafon dhe atë dhe unë shkrep aparatin. Nuk mund ta përmbaj një lloj buzëqeshje ironike e cila me siguri nuk i shpëton asaj. Asaj asgjë nuk i shpëton. I ve re të gjitha edhe kur rri e heshtur dhe nuk flet, edhe kur ndjehet e vrarë apo e fyer. Aq më bën. Kam dhe unë momentet e mija. Udhëtimin e mbarojmë mbasditë vonë. Rruga e kthimit na duket më e shkurtër. Ajo i shthur gërshetat dhe i lëshon flokët mbi supe. Dëshiron që paparazi tia shohë flokët e gjata që i ka aq të bukura. Ai e filmon. Ndaj të ngrysur arrijmë në fshat. Përqafohemi me paparazin. Unë shkëmbej adresën e e-mail, ajo jo. Tregohet e kujdesëshme, ndoshta ngaqë ka venë re acarimin tim sa herë që kërkon të bëje të njëjtën gjë që bëj edhe unë. Nuk di pse ndjehem e vëzhguar, e shtrënguar, e konkuruar.

***
Ditët vrapojnë. Po ikën... po mbaron. Fijet me realitetin fillojnë të përvijohen të zbehta. Nuk kam as nostalgji as keqardhje që do iki. Nuk e mendoj akoma. Truri i shtyn mendimet për më vonë. Një boshllëk më krijohet diku mes diafragmës dhe mushkërive, sido që unë përpiqem të mos e vë re.

yo Mejor prefiero......hey (3)
ser traicionero.....hey
Y çonocer otra mujer
pa´ke çonmigo me acompañe

Asaj i pëlqejne shumë bimët tropikale. « Do këpus ca gjethe e degëza », më thotë « dhe do i mbjell kur të kthehemi në shtëpi, në një vazo. Dua të marr me vetë një grimcë dielli dhe ngrohtësie që këtu. »
Nga dreka më fillojnë disa dhimbje të lehta barku. Ja dhe rezultati i të ushqyerit pa karar. Stomaku i pa mësuar me sasinë dhe cilësinë e ushqimit fillon të protestojë. Ah lëngjet e frutave egzotike, ato duhet të jenë. Më vjen për të vjellë. “Quhet diarea e turistit” më thotë ajo. « Po unë nuk kam fare diare », ia kthej. « Nuk do të thotë gjë », më përgjigjet, « stomaku gjëndet i turbulluar për shkak të klimës dhe ushqimit të ndryshëm.
Pas darke i them që do qëndroj pak më gjatë me disa djem që kam njohur keto ditë. Nuk do që të më lerë vetëm. « Më ler » i them, asgjë e keqe nuk do ndodhë, këtu është vënd i mbyllur, i ruajtur, ti e di. “ Nuk do më zërë gjumi” më thotë prap. “Vetëm do më lesh mua?”. “ Këtu e ke hallin?” i them “tek vetja jote? Po unë nuk do rri gjithë kohën ngjitur pas teje. Nuk jemi njësoj në fund të fundit apo jo? Unë jam vetëm 17 vjeç”. Nuk flet asnjë fjalë, por unë e di që nga brënda zien. Mirë ia bëra. Le të rrijë vetëm kësaj here. Nuk mund të jemi njësoj. Nuk ka asnjë kuptim. Shkoj në disko me djemtë . Muzikë dhe drita rrotulluese. Kërcej me ta e çliruar nga gjithçka. I lëshohem tingujve të çmendur. Ata afrohen dhe largohen nga mua, ngjiten dhe shqiten, qeshim te gjithë. Tingujt flasin :

Y ver çon ella que bien lo hace (4)
para olvidar esa mujer
que ami me dejo enloqueser


Nuk kuptoj se si ikën koha. Vonë pas mesnate, kujtohem të kthehem në dhomë. Ajo do jetë duke më pritur- mendoj. Përpiqem te frenoj një kënaqësi mëkatare që më vjen kur e mendoj vetëm në dhomë duke më pritur me padurim. Djemtë më përcjellin deri pranë shtëpisë. « Hajde kush e dëgjon tani atë. Nuk do flas fare. Do flasi do flasi dhe do pushojë ». Kemi vetëm një çelës dhe më duhet ti bie derës. Shpesh herë kur unë merrja çelësin, ajo kapërcente nga parmaku i ballkonit i cili ishte rrafsh me tokën. Unë asnjëherë nuk kapërcej. Më vjen zor nëse do më shikojnë ashtu. I bie derës përsëri. Ajo nuk vjen që ta hapë. I bie përsëri dhe përsëri. Dëgjoj zhurmë nga brënda. Ajo diçka flet. Më thotë që po vjen ta hapë. Pres pak derisa vjen. Më kthen shpinën menjëherë sapo futem dhe shkon drejt e në krevat. « Më zgjove » më thotë. Çudi, ajo asnjëherë nuk flinte po mos vija unë. Era e lehtë e mbrëmjes tund perden e ballkonit. Ajo futet menjëherë në krevat dhe mbulohet. « Ke lënë derën e ballkonit hapur »i them dhe afrohem që ta mbyll. Në karriken pranë derës shoh një bluze ngjyrë blu. E ngre dhe e shikoj në dritë. Është bluzë me stampë nga ato te “argëtuesve”. “Po kjo këtu? Çfarë është kjo? Çdo këtu?” “ Për çfarë e ke fjalën?” më pyet ajo si e përgjumur. “E kam fjalën për këtë bluzën. E kujt është dhe çdo këtu?” “as që kam idenë më të vogël” më përgjigjet “ do e këtë harruar ajo që pastron dhomën” “ Po kjo është bluzë djemsh” ngul këmbë. “ Më lër të fle tani. Nuk e di nuk e kam idenë fare çfarë mund të jetë” dhe fut kokën nën jastëk…
Është nata jonë e fundit.
Të nesërmen në mëngjes kopështari gjen që mungojne disa gjethe dhe bisqe të bimëve tropikale pranë shtëpisë tonë... Po tjetër vallë çfarë mungonte ?


(1) Nese nuk me dashuron… hey
Cfare ke qe me therret….. hey
Nese nuk me dashuron
Perse me therret
Perse me mashtron
Cfare ke qe me flet

(2) Do preferoja me mire
Qe te behesha tradhetar
Dhe te shkoja me nje tjeter grua
Sepse e di mire qe ne jeten time
Ti do jesh per mua vetem shoqeruesja e nje nate
Do e shpenzoj kot dashurine time me ty
Dhe diten tjeter kur te hap syte
Do me mungoje era e lekures tende.

(3) Do preferoja me mire…hey
Qe te behesha tradhetar....hey
Dhe te shkoja me nje tjeter grua
Keshtu ti do me vije nga mbrapa

Saturday, February 27, 2010

Leter

L.B.


Ka ditë që më rri pezull mbi kokë,
re e bardhë e varur para meje,
mbushje e gjelbër mëngjesi,
qumësht i ngrohtë me pak sheqer…
Nuk di çfarë je, edhe pse mirë e di që je ti.


Ashtu siç nuk të njihja atëherë
të njoh tani, kaq vonë kaq larg
dhe kuptoj me një shqisë të gjashtë
që edhe ti më kërkon....


Përpiqem të të kap…
të të gjej ketu,
por kjo dëborë e çmendur jashtë dritares
nuk ka pikë lidhje me ditët e ngrohta
kur shtrirë në të njëtin divan
një nga këmbët një nga koka
lexonim poezi...
me zhukatjen e gjinkallës ne sfond...


I vakët ajri
i largët,
i paemër,
spërdridhej spiral si krahë fluturash
që na qëndronin nepër këmbët e zhveshura
dhe ne i përzinim me tinguj kukurisjesh.


Të të gjej apo të të le... ?
Apo të vazhdojmë të rrëshkasim pa u prekur
për të mos humbur vibrimet
dhe vrarë magjine e së kaluarës
në këtë botë që zvogëlohet ditë për ditë?

Saturday, January 16, 2010

Udhë për një dhimbje

Më dhëmb një vend
që kurrë s’e kam parë
një tokë e verdhë
e tharë, e çarë
ku fëmijët mbijnë
në rrënjë të kaktuseve
e nga thithkat e gjembave
lëngun thëthijnë.

Më dhëmb një vend
me qiell të zi
kaq larg nga qielli im ngjyrë gri...
meshkujt si pjergull
që drejt s’mund të rrinë
gjuha e tokës i përpin.

Një vend si grua gjoksjashtë
me bërrylin e jetës kockëdalë
lëkurë e zhveshur, e arnuar,
duhmat të nxehta
tokë përvëluar
në mes të vapës
me diell mbuluar.

Një vend që s’është i imi vend
nuk di… nuk di, pse vallë më dhëmb…