Friday, March 14, 2008

Mungesa

Ajo ishte aq e hollë dhe e tejdukshme saqë ngjante si frymë e bardhë që bie nga qielli. E ngrirë në kristale të ndritëshme shtronte qilimin e tokës dhe e mardhte ditën. E në ditë të mardhura si kjo, metroja rrëshqiste e përgjumur nëpër shina me barqet e vagonave pothuajse bosh.

Në vagonin e parafundit gjëndeshin gjithsej 6 njerëz midis të cilëve ata të dy të ulur ballë për ballë. Imtësia e tipareve të saj bjonde, sytë e çelur dhe hunda e vogël përpjetë, flokët e buta të gjata, i shkonin kaq shumë dëborës së asaj dite. Flokë të gjata kishte dhe ai, por pak të rëna në pjesën e ballit, gështenjë të errët dhe të kapura bisht nga mbrapa. Një palë syze tepër të errëta dhe të puthitura mirë pas syve iu bënin hije tipareve të latuara dhe lëkurës së zeshkët. Shpatullat e bëshme ia mbulonte një xhakoventë lëkure dhe njëra dorë shtrëngonte fort një shkop të verbëri.

« Stacioni tjetër eshtë stacioni X. Po arrijmë në stacionin X » përsëriti me një monotoni robotike zëri i metrosë. Ajo shtrëngoi çantën në duar, ndërsa ai drejtoi shkopin dhe u ngrit. E trokiti me pasiguri në dysheme dhe një buzëqeshje pashprehje iu ngjit në buzë. Trokitja lëvizi majtas - djathtas duke kërkuar derën.

"Dëshironi të mbaheni në krahun tim ? " .

Zëri i erdhi i ngrohtë dhe i butë nga ana e djathtë. Zgjati dorën dhe e mbështolli pas një stofi të leshtë palltoje brënda të cilit ndihej butësia dhe eshtra e një krahu të hollë femëror.

Dy turma kryesore ka në stacionet e metrove. Turma e të sapombrriturve, qe me inercinë e lëvizjes se trenit mbartur, kërkon të dalë dhe turma e të sapoardhurve, statikë që presin të hynë. Ata iu bashkuan turmës së parë dhe lëvizën kujdesshëm nëpër korridor.

Një aromë e lehtë mimoze i erdhi atij në hundë nga trupi i vajzës.

Ashtu mbante erë edhe ajo, kur nuk ishte e dehur. Ai ishte i urritur për atë erë…i etur…i djegur… Ato pak çaste, orë, minuta, ai i shtrëngohej në prehër dhe ajo i përkëdhelte kokën me ngadalë dhe e puthte lehtësisht. Po sa pak… sa pak…Pastaj vinin ulërimat e saj “ti bastard i ndyrë, rracë e tyt’ eti”… thyerjet e shisheve bosh dhe plot, erë alkoli nëpër shtëpi. Copa xhamash dhe këmbë të shpuara që kullonin gjak, gjurmë gjaku në dysheme…

Ai strukej i trembur në të ndarën me një mur dërrase që quhej "dhoma e tij". Vetëm një krevat dhe një komodinë kishte aty. Aty e kalonte më të shumtën e kohës ose poshtë tavolinës se rrumbullakët në dhomën e ndenjes, mbuluar deri në fund me një mbulesë të kuqe. Kur ishte vetëm, futej aty poshtë dhe luante me një makinë të vogël që ia kishte falur njëri nga burrat që ajo sillte në shtëpi. Ai kishte nje mjekërr të shkurtër dhe të thinjur vënde vënde. Sillej gjithmonë me dashamirësi dhe i sillte djalit dhurata herë pas here.

Ua degjonte grahmat atyre,”miqve” te së ëmës, herë kur qëndronte aty poshtë tavolinës me mbulesë të kuqe e herë në strofën e tij. Kur pushonin, ngrihej ngadalë- ngadalë dhe i shihte të shtrirë, zhveshur ose gjysëm të zhveshur, herë mbi krevat dhe herë mbi dysheme, me trupa ngërthyer në mënyrat nga më të çuditëshme dhe e urrente, e urrente deri në kufijtë e krimit atë përqafimin e tyre… atë përqafim që duhet t'i takonte atij… atij dhe vetëm atij… atë përqafim që atij i mungonte prej kohësh. Dhe kur ndodhte që ajo zgjohej përsëri gjysëm e dehur dhe e shihte duke i vështruar, i ulërinte : “ Shpejt, shko në vrimën tënde, këlysh!”. Por ajo ishte për vete fëmijë…

Vajza po e udhëhiqte me kujdes drejt shkallëve dhe të dy kishin në fytyrë atë buzëqeshjen pa shprehje, buzëqeshje ngjitëse, ai në shenjë falenderimi për shërbimin dhe ajo në shenjë krenarie për çfarë po bënte.

“Mendoj që duhet të jesh bjonde me sy bojeqielli të kristaltë”, i foli ai papritur.

Ajo buzëqeshi pak e shtangur dhe ndaloi pa dashje.

“Si mund ta dini këte?”

"Vetëm një bjonde me sy bojë qielli të kristaltë mund të ketë të tillë zë të ëmbël dhe të butë që ke ti ".

"Aha... ", u çlirua ajo nga shtangia kësaj here.

Përjashta rrugët ishin zbardhur. Ai hoqi krahun, e falenderoi dhe bëri tutje. Pak hapa më pas rrëshqiti dhe për pak ra... ajo iu afrua prape dhe e mbajti.

"Ku keni për të shkuar ?"

"Deri tek kthesa aty pranë.. aty e kam shtëpinë"

"Atëherë po ju shoqëroj deri aty"

Gjurmët e kujdesshme mbeteshin mbi shtresën e freskët të dëborës.

"Duhet të jetë vështirë për ju në të tillë kohë", foli sa për t'u gjendur në muhabet.

"Jo dhe aq" - ia ktheu ai - ka vite që jetoj kështu. Dritën e fundit të diellit e kam parë kur kam qënë 6 vjeç »

Ajo e kqyri me vëmëndje në fytyrë. Fundja ai nuk e shihte. Ia veshtroi me kujdes të gjitha tiparet. Nuk ishte i vjetër, por sapo kishte kaluar pragun e rinisë. Një shenjë e thellë djegieje i fillonte në mollëzën e majtë... i gjarpëronte përgjatë qafës dhe i futej brënda në trup.

Burri u afrua pak më pranë dhe nuhati përsëri aromën e saj. Ndjeu ngrohtësinë e trupit të brishtë që i rrinte fare pranë, fare ngjitur dhe përpiqej të hidhte hapat në mënyrë të sinkronizuar me të. Flokët e gjata të verdha, i tundeshin dhe e preknin mbi xhakoventën e lëkurtë. Dora me të cilën mbahej pas krahut të saj ndjente se si nën pallton e zezë pluskonte e lëngëshme jeta. Donte që ajo rrugë të mos kishte mbarim dhe ai të ngopte vetëm një grimcë… një grimcë të vetme të asaj urie, etje, djegie që e mundonte. Vajza i kundroi përsëri fytyrën. Shenja e djegies i dukej më e thellë nën tkurrjen e lëkurës prej të ftohtit.

Atë natë ajo kishte ndezur qirinj nëpër shtëpi dhe kishte blerë shampanjë. Si duket kishte ndonjë vizitor të rëndësishëm. E kishte urdhëruar të futej në kthinën e tij me herët se zakonisht dhe të flinte. Më pas ai i kishte dëgjuar të qeshnin, të pinin, këndonin, bërtisnin, rënkonin dhe pastaj kishin pushuar. Ai kishte pritur dhe pak dhe kishte dalë. I kishte parë aty, në dysheme, të shtrirë të dy. Fytyra e së ëmës me tipare të imta dhe hundë të vogël të ngritur përpjetë qëndronte e futur në gropën e supit të atij tjetrit dhe flokët e saj bjondë të butë, rrëshkisnin mbi shpinën e tij. Ai i vështroi gjatë... urrejtje ngashërim, zili përzier... Pastaj mori makinën e vogël dhe u fut poshtë tavolinës me mbulesë të kuqe deri në dysheme. Qëndronte në gjunjë dhe luante me makinën duke e shtyrë dhe rrotulluar poshtë tavolinës. « Brrrummm... brruumm... brrruuummm... » imitonte zhurmën e ndezjes së makinës. E kapi pa dashje me gjunjë mbulesën dhe e tërhoqi poshtë. Qirinjtë e ndezur ranë në dysheme mbi mbulesë. I lebetitur doli nga vendi ku ishte dhe u përpoq të fiktë flakën, por ajo ishte më e shpejtë se ai. Filloi ta shkelte me këmbë dhe të qante me zë të ulët. Gjuhët përpinin me shpejtësi çfarë gjenin përpara. Ai u afrua tek trupat që flinin dhe e shkundi të ëmën për supesh. " Ma... ma.... maaaaa...! " Ajo nuk dilte dot nga gjumi i thellë në të cilin ishte futur. Djali qante me zë të lartë tashmë, luftonte me zjarrin që po ngjitej në dritaret e po përpinte gjithçka gjente përpara me gjuhet e gjata të kuqe. Tymi po i futej nga hundët, goja dhe një kollë e vazhdueshme po e mbyste në momentin kur dera u shpërthye dhe dy duar të fuqishme e mbërthyen dhe nxorrën përjashta. Trarët e vjetër të shtëpisë u shembën pas tyre dhe flakët përpinë gjithçka. Zjarrfikësi që e kishte shpëtuar e shtrëngonte fort pas vetes që të mos e linte të kthehej përsëri aty ku e kishte gjetur. Ai përpëlitej në duart e fuqishme dhe ulërinte duke thirrur emrin e të ëmës që dergjej nën flakë nën gjumin e thellë të drogës.

"Arritëm tek qoshja" i tha vajza. Ai u mbështet për herë të fundit pranë asaj ngrohtësie njërëzore me erë mimoze pastaj e hoqi dorën nga krahu i saj me kujdes dhe ia zgjati në shenjë falenderimi. Ata shtrënguan duart. Trokitja e shkopit e udhëhoqi deri tek dera e shtëpisë tij. Nxorri çelësin dhe e hapi. Kapërceu pragun, hodhi shkopin mbrapa derës dhe ngjiti me shpejtësi shkallët për në katin e dytë, tejet i kënaqur. Hoqi syzet e errëta, mori shtypin e dites në duar, u rehatua në divan dhe ndezi TV tek kanali që jepte motin. Të nesërmen do ishte përsëri kohë me borë dhe barku i vagonave të metrosë do ishte përsëri bosh.

2 comments:

Anonymous said...

Bukur!
Tregim fin...sensibel...mjeshteror ku cdo fjale eshte ne vendin e duhur dhe cdo fjali ben vendin e vet nga paragrafi ne paragraf...

Kamomila said...

Anonymous
Mireseerdhe dhe faleminderit per komentin :)