Wednesday, January 30, 2008

Poe, Morella dhe Unë.

( Përjetime gjatë një përkthimi)

ESSAY
Ndërkohë që bëja përzgjedhjen e tregimeve, për një vëllim me tregime të zgjedhura që deshiroja ti përktheja dhe botoja, duke kërkuar nëpër faqet e internetit për tregime nga autorë me emër, sytë më zinin çdo herë emrin e Edgar Allen Poe, me një listë tepër të gjatë tregimesh, ndoshta më të gjatën nga të gjithë shkrimtarët e tjerë. Gjithmonë e anashkaloja ose e shtyja për më vonë, përzgjedhjen e një prej tregimeve të tij. Tregimet dhe gjithcka tjetër që përktheja, i përjetoja dhe krijonin emocione pozitive apo negative brënda meje. Nga Poe kisha lexuar Korbin të përkthyer në mënyre gjeniale nga Noli si dhe një cikel poezish nga i njëjti përkthyes dhe më kishte tronditur në mënyre të pashlyeshme. Kisha mësuar dhe recitoja përmëndesh pjesë nga Korbi, të cilat nuk më shqiteshin nga mëndja, ashtu si një melodi që na ngjitet në tru, për një kohë të gjatë. A do e mbaja dot vallë ngarkesën emocionale që do më jepnin tregimet e Poe? Të errëtën, mistiken, të panjohurën, ku erërat frynin që nga të tjera botë dhe shpirtra endeshin në përjetësi. Ky ishte problemi im gjatë kohës së përzgjedhjes. Por pasi bëra përzgjedhjen nga autorë të ndryshëm, në një moment të caktuar, në mënyre të pashmangëshme i erdhi rradha Edgar Allen Poe. Si çdo përkthyes që ka metodën e tij, sipas metodës time, unë nuk i lexoja më parë tregimet. I përzgjidhja duke i besuar intuitës time dhe i përktheja direkt. Kjo më jepte mundësi që të futesha në botën e brëndeshme të asaj që autori kishte dashur të shprehte, të rridhja edhe unë nëpër mendimet e tij dhe kurioziteti më bënte që ta përktheja shpejt duke punuar pa pushuar. Pa shumë hezitim, zgjodha mes titujve të Poe atë që intuita ime më këshilloi “Morrella”. Hap pas hapi duke rrjedhur në rreshtat e autorit, kuptova sa njërezor dhe i vërtetë ishte thelbi i absurdit të Poe, veshur me misticizmin e tij: dashuria me kompleksitetin e saj si ndjenjë… me vitalitetin e saj për të jetuar dhe mos vdekur, dashuria e mbetur në ajer edhe kur njeriu i dashur nuk është më, dashuria e konceptuar si ndjenjë përmbi materialen njërëzore.

Nuk mund ta përktheja Poe, pa pasur të qartë më parë, vëndin, kohën ku kishte jetuar dhe psikologjinë e tij. Jeta e tij e turbullt dhe e mbytur në mistere, ishin ndalesa e parë e imja gjatë përkthimit. Por përsëri tërheqja drejt “Morellës” ishte më e fuqishme dhe unë fillova të përkthej. Mu desh ndërkohë, të shfetoja dhe lexoja për të kuptuar botëkuptimin e tij. Duke u përpjekur të udhëtonte nëpër labirinthet mistike të qënies, Poe kishte krijuar një bindje personale për sa i përket ekzistencës. Po. Për të ajo pjesë, më e fuqishmja ( e mirë apo e keqe qoftë ) e ekzistencës sonë, pikërisht ajo që ne na dallon nga të tjerët dhe na bën të jemi individual, në njëfarë mënyre jeton edhe pas vdekjes, në trajta të panjohura, por të ndjeshme. Duket sikur ai e ka brenda tij shumë të qartë se për kë pjesë të qënies njërëzore bëhet fjalë tamam: “Dhe përderisa me njeri ne nënkuptojmë një thelb inteligjent që arsyeton, dhe përderisa ekziston një ndërgjegje që shoqëron mendimin, është pikërisht kjo që na bën të jemi ajo që ne e quajmë vetja jonë, dhe në të njëjtën kohë na dallon ne nga format e tjera të qënieve që mendojnë, dhe na jep indentitetin personal.”

Nuk ka mbetur asgjë për mua që të shtoj, përsa i përket stilit unik të të shkruarit të Poe: muzikalitetit, forcës, tensionit, rrjedhjes së shprehjeve dhe mendimeve. Pikërisht me ketë stil ishte i thurur tregimi dhe më rrëmbeu që në rreshtat e parë. Morella ishte gruaja që vinte nga thellësitë e misticizmit dhe nuk dihej se ku shkonte. Ai e takon atë në një moment të kohës së ekzistences së saj, ajo e dashuron thellësisht dhe ata martohen. Por a e dashuron ai vallë? Ai kishte një ndjenjë të papërcaktuar për atë grua, një ndjenjë të fuqishme por pa emër apo që ai ndoshta nuk donte ti vinte një emër. “Ne u takuam dhe fati na çoi të dyve drejt altarit, por unë kurrë ndonjëherë nuk i fola për pasion dhe as për dashuri.” Morella, e paisur me një mëndje me aftësi supernatyrale dhe përvec kesaj, me njohuritë e studimeve të shumta të misticizmit të lashtë, e kishte pranuar fatin e saj ashtu sic i vinte dhe mbante brenda saj ndjenjën e fuqishme dhe aq njerëzore të dashurisë për të shoqin.: “Dhe ajo i dinte të gjitha këto, dhe asnjë kundërshtim nuk shprehte; dukej sikur dobësia dhe budallallëku im ishin gjëra të pritëshme dhe të njohura që më parë nga ajo dhe duke buzëqëshur e quante të gjithë këtë thjesht fat.”

Por ishte pikërisht kjo njerëzorja ( dhe jo ajo mistikja e Morellës) që do jetonte edhe pas vdekjes së saj. Ishte dashuria e saj, pengu i saj, ndjenja e saj pa një përgjigje të spikatur nga ana tjetër, dëshira që i dashuri i saj ta thërrise ndjenjën që kishte për të me një emër... ishin të gjitha këto bashkë që me vdekjen e trupit të saj, erudicionit të saj dhe misticizmit të saj, jetuan në trajtën e një fëmije ( fëmija im dhe i yti- sic thotë ajo), në trajtën e një vajze të vogël që mori frymën e parë sapo e ëma e saj la frymën e saj të fundit. Dhe ajo e dinte ketë, e ndjente ketë, ajo kishte eksperiencën e madhe dhe kishte parë aq thellë në qënien njerëzore, për të kuptuar faktin unikalisht të thjeshtë që atë që njeriu nuk e vlerëson sa e ka, e kërkon dhe vlerëson pasi nuk e ka më. “ Ditë që ti të me kesh dashur, nuk ka pasur,—por atë që ke neveritur gjatë jetës tënde, në vdekje ke për ta adhuruar.”

Këtu mbaron kalvari i ndjenjës së Morellës dhe fillon ai i tregimtarit të tregimit. Gjithë zjarrin dhe pasionin e shpirtit të cilit ai i kishte venë pritë dhe nuk i kishte lënë të derdhej në drejtim të gruas, ia fal vajzës së vogël, në të cilën shikonte nga dita në ditë me tmerr, materializimin e tipareve të së emës. Vajzes së tij të vogël, të paemër, ashtu si dhe ndjenja që ai kishte pasur për Morellën dhe nuk e kishte emërtuar kurrë. Ai nuk e kishte pranuar tërësisht atë që Morella i kishte afruar, ndjenjën e saj… dhe ashtu e papranuar ndjenja e saj nuk mund të vdiste… ajo qëndroi ashtu derisa ai e pranoi, derisa ai i dha një emër dashurisë së tij…. emrin Morella. në momentin që ai i bën bashke dashurinë me emrin e Morellës.... ndjenja e tij materializohet, dhe e bija vdes. Sigurisht, nuk ishte e njëjta gjë në detaje, dashuria e tij për të bijën dhe për gruan…. por në thelb ishin degët e të njëjtave rrenjë.

Veprat shkruhen nga autorët dhe na jepen ne, lexuesve në duar. Përjetime, filozofira, emocione të tyret, të hedhura në rreshta që ne ti vështrojmë dhe shijojmë, që ne ti ndjejmë dhe të përjetojmë emocione si ata. Po vallë gjithmonë ajo çka ka dashur të thotë autori, i shkon e pastër dhe e qartë lexuesit ? Gjithmonë vallë lexuesi, ndjen dhe përjeton momentin e autorit ? Kjo nuk është e sigurt, për sa kohë që varet nga gjëndja shpirtërore e lexuesit, kapaciteti i tij shpirtëror dhe këndi i veshtrimit nga i cili e vështron atë që lexon. Nëse pjesa sjell emocione, nëse përjetohet, dhe mbetet gjatë në mëndje, ajo është e arrirë atristikisht. Dhe kudo që të fluturojë imagjinata, në sado galaksira dhe humnera të thella të shkojë, çfarë do lloj ngjyrash, të errta, të çelura apo të ndritëshme që do përdorë, çfarë do lloj aroma lulesh dheu apo katakombesh që ti vijë, thelbi do mbetet i njëjtë , njërëzor, përderisa një shpirt mund të preket dhe të kuptojë më mirë se çdo gje tjetër, llojin e tij, një shpirt tjetër. Ndërsa përktheja rreshtat e Morellës, ashtu me vështrimin ngulur në kompjuter dhe me një fjalor mbi prehër, për fjalët që nuk kuptoja, unë i ndjeja të gjitha këto....Ndjeja erën e dheut dhe shikoja terrin e misticizmit të Morellës,... shikoja gishtërinjtë e saj të hollë delikatë, mbi flokët e të shoqit dhe ndjeja agoninë e atij shpirti pengu i të cilit nuk vdiste dot....ndjeja dashurinë atërore dhe ankthin e prindit për fëmijën, për të thënën që i kanosej dhe shikoja të voglën duke luajtur në vetminë e saj...ndjeja dhe shikoja.... shikoja dhe ndjeja....dhe nuk e di pse, ajo që më mbeti përfundimisht në mëndjen time ishte njerëzorja. Me të filluar të përkthej, unë gjithashtu fillova ta dua “Morrellën” pastaj e mohova… përsëri e desha dhe prap e mohova dhe e desha përsëri... Kalova në disa lloj gjëndjesh. Pastaj mu desh që tia zhvishja një nga një rrobat e misticizmit absurdit të Poes dhe të shihja lakuriq atë ndjenjën më njerëzore, më të mundimshme, më të ëmbël dhe më të dhimshme …. Dashurinë me emrin Morella.

3 comments:

Anonymous said...

mendoj se kjo ishte nje parathenie mese e denje per nje perkthyese.pas kesaj jam thuajse i bindur se do ta kesh perkthyer ne menyren me te mire te mundshme.une nuk e mbaj mend kete tregim te Poe,por mesa me bere te qarte besoj se udhetimin ne thelbin e shpirtit te krijimit e ke bere te plote.urimet e mia,nga doriani

val said...

Well done!
Me pelqen analiza qe i ke bere shkrimtarit dhe kritikut Poe.Personalisht eshte nje nga te preferuarit e mi dhe persa i perket filozofise se tij e ve pa frike ne nje peshore me Zigmund Frojd.I love his poems.Good luck ne botimet e tua te metejshme.
....ps. me pelqyen librat e tua.I lexova.
Bona

Kamomila said...

Faleminderit Bona :) dhe mireserdhe.