Sunday, November 9, 2008

Ditëlindja

Ato duken kaq perfekte në trupin e manekinëve, por ajo e ka barkun e madh tani dhe nuk mund të veshë nga këto. Ka filluar të ecë si një patë e vogël duke peshuar herë nga njëra anë dhe herë nga tjetra. Buzët i janë trashur dhe fytyra ka filluar t’i fryhet. Prenkat i dallohen më shumë se kurrë. Duhet të shoh për diçka tjetër. Nuk mund t’i blej veshje si dhuratë. Eci i nervozuar dhe i merakosur nëpër supermarket. Vitrina… vitrina… vitrina dhe manekinë.

Çfarë t’i blej? Nuk kam as kohë dhe as nerva të bredh . Sapo kam kaluar një ditë të lodhëshme dhe stresuese. Po ajo ndoshta më pret, me atë heshtjen e saj kërkuese, gërryese, me atë misteriozitetin e saj me të cilin më mbështjell dhe më mban lidhur pas vetes. Thellë- thellë ia dua ngaqë më mungon për vete.

Edhe sikur asgjë të mos i blej, përsëri ajo nuk do ankohet, por një re e zezë do ia nxijë vështrimin dhe bubullimat do ushtojnë heshturazi brënda saj për një farë kohe. Shi i rrëmbyer do bjerë dhe do ua lajë dheun shpateve të malit duke marrë me vete dhe bimësinë e lulëzuar të mbirë në to. Unë nuk i dua shkëmbinjtë të zhveshur. Brinjë të thata pa jetë. Dua që ajo të jetë e kënaqur dhe e gëzuar, sidomos tani që mban brënda saj një jetë të dytë. Por ja që nuk më jepet fare për këto gjëra. Do kisha harruar siç më ka ndodhur shpesh nëse nuk do ma kishte kujtuar kolegia ime. Kjo vajzë e ëmbël lozonjare që punon në zyrën ngjitur me mua. E pashë të rrethuar nga një grup njerëzish sot në mëngjes dhe kur iu afrova për të pyetur mora vesh që bëhej fjalë për ditëlindje. Edhe gruaja jote nesër e ka apo jo? Në pesë… Unë qëndrova i shtangur për një moment. Truri sikur nuk më punonte. Ajo më shkundi përsëri me zërin e saj: në pesë apo jo? Ah po… po… po! Tamam në pesë! Si harrova keshtu? Dhe mendo, të harrosh ditëlindjen e një gruaje gjashtë muaj shtatzanë. Ku do mbytesha pastaj? Oh , të falenderoj, më ke shpëtuar martesën. Të detyrohem, të detyrohem shumë. Të detyrohem një të qerasur… jo… një drekë.

Uh…iu afrova dhe i dhashë një përqafim profesional. Atë e kënaq jashtë mase ideja e një dreke me mua. Përkëdhelet dhe pranon me kënaqësi rolin e shpëtimtares.

Mes gjithë telasheve, mbledhjeve, konsultimeve dhe punëve të tjera të asaj dite, shtohet dhe një më tepër. Blerja e dhuratës. Çfarë t’i blej pra? Ja dyqani i këpucëve që i pëlqejnë aq shumë asaj. Por tani i ka këmbët të fryra dhe vesh vetëm këpucë të sheshta. Këmbët e fryra… ah po. E gjeta. Futem në sallonin e pedikures dhe i paguaj një shërbim për masazh të këmbëve dhe duarve. Me çertifikatën në dorë dal të marr frymë përjashta.

Ky shi që qëndron pezull po m’i mbush mushkeritë me lagështirë. Nuk do që të bjerë, qëndron i grimcuar në ajër duke shpërfillur ligjet e gravitetit. Stacioni televiziv i motit parashikoi që do fillonte një shi i cili do vazhdonte njëzetekatër orë pa pushim. Dhe ja… për inat ai nuk bie, ndërsa unë ngas makinen me shpejtësi që të arrij në kohë në shtëpi. Kjo vjeshtë e ngarkuar me lagështi, kjo ditë e ngarkuar si ky ajër me shi më duket sikur po m’i ndryshkin mendimet.Sapo kam kaluar një ditë të vështirë. Kompania po bën riorganizim dhe do kete shkurtime të shumta të vendeve të punës. Asgjë nuk ështe e sigurt, as vendi im, megjithëse i përket një rangu të lartë në hierarkinë e kompanisë.

Pika të mëdha fillojnë të përplasen mbi xhamin e makinës. Eh .... më në fund filloi. Dhe pak dhe arrij në shtëpi. Në pjesën e parkimit sapo futet dhe një makinë tjetër. Nipi i gruas del që andej dhe më përshëndet përzemërsisht. Me ka ftuar Ana më thotë. Sot ? -e pyes – Ajo e ka nesër ditëlindjen. Çfarë ditëlindje, më përgjigjet , unë nuk di asgjë për ditëlindjen. Pse nesër e ka vërtet ? Po. Nesër e ka. Oh, atëhere duhet të shkoj t’i blej diçka të vogël. Jo. Nuk është nevoja. Mos shko. Nuk e sheh çfarë shiu që filloi. Patjetër që do shkoj, nuk mund ta kaloj në heshtje ditëlindjen e saj. Një tufë me lule tek dyqani i qoshes do blej dhe erdha. Bëjeni tavolinën gati ju ndërkohë.

Kisha menduar që t’ia bëja suprizë dhuratën time, kur të zgjohej të nesërmen, por si erdhen punët supriza po i humbet vlerat e saj. Ai do ta uronte kur t’i sillte lulet dhe ajo do e kuptonte që unë i kisha thënë. Shtyj derën e hyrjes dhe përqafoj e puth vajzen tonë dhjetëvjeçare që më del përpara për të më pritur. Ana më pyet për të nipin dhe unë i them që ai ishte duke ardhur. Një tringëllimë tjetër zilje dhe ai gjendet brënda. Gëzuar ditëlindjen edhe pse e ke nesër, por unë nesër nuk mundem të vi. Ai i zgjat një tufë të madhe më trëndafila. Ajo ngel për një moment e shtangur. Diçka do të thotë, por ndrron mendje në momentin e fundit. Kush të tha ? Nipi bën me kokë nga mua. Unë me një qëndrim prej triumfatori po bëhesha gati për në tavolinë. Ajo i merr lulet dhe i vendos në vazo. Ia shikoj të qeshurën që i gurgullon nga brënda. Oh… e njihja mirë. Ia dalloja të gjitha ndryshimet e humorit. Të ishte vallë kaq e lumturuar nga kjo tufë me lule ? Unë zgjas pakon ku ndodhet peshqeshi im. Ja ku është dhe dhurata ime për ty e dashur, i them. Doja ta bëja suprize nesër në mëngjes, por po ta jap që sot, meqë nuk është më e papritur – dhe vështroj buzagaz nipin e gruas. Ajo zgjat duart pak e çuditur, e merr dhuratën, do ta hap pastaj thotë dhe e vë mënjanë. Faleminderit i dashur. Je vërtet i pakrahasueshëm. Ulemi të hamë. Shiu vjeshtak troket në dritare si një i paftuar i dëshpëruar.

* * *

Ditëlindjet po më zbehen dalëngadalë si një negativ filmi i lënë në diell. Dalëngadalë po e humbasin shijen. Vallë kjo ndodh ngaqë po rritem ? Apo ngaqë po lodhem ? Më shumë se thinjat që kanë filluar të më shpeshohen nga viti në vit më lodh festimi i tyre. Drekat që duhet të shtroj, njerëzit që më vine për vizitë, pritje, përcjellje, qerasje, prindërit, vjehrra dhe vjehrri, shoqëria. E vetmja gjë që më gëzon,ështe gjallëria e stinës në të cilën kam lindur. Kur isha fëmijë këto festa më mbushnin me gëzim. Të tjerë merreshin me organizimin e festës për mua dhe unë vetëm këpusja majat e kënaqësise. Ndoshta ashtu do kishte vazhduar nëse nuk do ndroheshin rolet si pa kuptuar dhe unë do isha përgjegjësja e organizimit të ditëlindjeve të mia dhe të ftuarit do ishin ata që do këpusnin majat.

Ai pothuajse gjithmonë i harronte. Çdo herë në mëngjes, mamaja ime telefononte dhe ishte kjo zile që trokiste në kujtesën e tij duke i kujtuar që unë kisha ditëlindjen. Ai shkonte dhe më blinte ndonjë dhuratë . Gjëra të shtrenjta dhe të zgjedhura, por asnjëherë atë që unë vërtet dëshiroja të kisha për ditëlindje. Nuk i kërkoja asgjë. E pse duhej ? Gjithë vitin nuk lija rast pa i përmendur se çfarë tamam do dëshiroja të kisha, çfarë më kishte pëlqyer, çfarë më kishte ngelur në mendje nga shëtitja nëpër treg. Ai gjithmonë më dëgjonte i buzëqeshur. Gjithmonë bisedat e mia i kalonin anash trurit, gjithmonë më blinte një dhuratë që nuk kishte të bënte me ato gjëra që unë vërtet i ëndërroja që t’i kisha. Ai duhet të më dëgjonte. Duhet ta dinte çfarë pëlqeja dhe çfarë jo, çfarë dëshiroja më shumë që të blija. Por ja që jo.

Jam mësuar tashmë. Rebelimet me kalimin e viteve bëhen monotonë, si pikat e këtij shiu mbi dritare dhe trokitja ritmike e lugëve në pjatat ku ishte servirur dreka.

Tani dua që të gjej një mënyrë për t’iu fshehur ditëlindjeve. Dua të bëhem e padukshme një ditë përpara dhe nja tre ditë pas datës së ditëlindjes. Më nervozojnë dhe urimet. E sidomos tani që jam dhe shtatzënë me beben tonë të dytë. Tani më duhet më shumë se kurrë qetësi dhe prehje

Pas drekës marr leje të shkoj të pushoj. Do vi dhe unë të shtrihem me ty, të dëgjoj bebin si lëviz, më thote vajza. Eja, i përgjigjem dhe ngjisim shkallet. I tregoj diçka me zë të ulët dhe ajo fillon te qeshë papushim. Të qeshurat i vazhdojne edhe në dhomën e gjumit pasi futemi në krevat dhe ndezim televizorin.

Ai ngjit shkallët kurioz. Çfarë keni që qeshni ? na pyet.. Ma thoni dhe mua. Një valë e re të qeshurash përfshin vajzën përsëri, ndërsa unë qëndroj e qetë në shtrat me një buzëqeshje të palexueshme në fytyrë.

Qetësisht e pyes : “Kur e kam ditëlindjen unë ?” « Nesër .... ? » Kur është ditëlindja ime ? përsëris pyetjen me të njëjtin ton këmbëngulës, me të njejtën buzëqeshje në fytyrë. Ai kupton që diçka nuk po shkon mirë. « Po në pesë..... » Vajzës i merret fryma nga e qeshura. « Pesë është muaji, i përgjigjem. Ditëlindja ime është në maj, vetëm një javë pas tëndes, e cila është në fund të prillit. »

2 comments:

ELAIS said...

Mjaft i kendshem ky tregim.

Kamomila said...

Faleminderit Elias
Mireseerdhe. :)