Wednesday, January 30, 2008

Mall i Kashmirtë

Më binin nga dushi, pikëlat e ujit, mbi lëkurë, si gjilpëra tatuazhi që donin të fiksonin momentet e këndëshme të sapokaluara. Hutimi më shplahej ngadalë nën avujt e ngrohtë. Intensiteti i ndjesive nuk më linte të mendoja. Dihasja i kënaqur nën atë ngrohtësi, që gjithsesi nuk mund ti afrohej ngrohtësisë së sapoprovuar pak minuta më parë. Papritur ndjeva derën e daljes që u mbyll ngadalë. Dola nga dushi dhe renda në koridor dhe që andej në dhomën e gjumit. Ajo ishte e zbrazur. Vrapova tek dera e daljes dhe e hapa aq sa të nxirrja vetëm kokën, duke fshehur trupin e zhveshur brënda saj. Zhurma e ashensorit dhe asgjë. Vesha peshqirin dhe ndeza një cigare. Ajo kishte ikur. E papritura dhe e çuditëshmja kënaqësi e imja, nuk ishte më aty. Krevati ku pak kohë më parë e kisha pasur, nderej ashtu i shprishur, nën aromat e trupave tanë dhe format e saj të ngrohta akoma ishin aty. Ashtu siç ma kishte sjellë, krej papritur, po ashtu ma kishte marrë ajo ditë vere me shi.

* * *

Ujrat rrëshqisnin rrëmbimthi mbi asfaltin e etur atë ditë të nxehtë vere. Unë përpiqësha ti shpëtoja rrëkezave që mbinin, rendnin e zhdukeshin nëpër rrugë. Çadra, që për fat e mbaja gjithmonë në makinë, më mbronte vetëm kokën dhe supet, ndërsa trupi po më bëhej qull në atë pak rrugë që kisha ecur. “Më falni, më falni,” dëgjova papritur, fare pranë, një zë nga streha për karshi, “Mund të më merrni në çadrën tuaj ju lutem”. Çfarëdo qënie që ta kishte nxjerrë atë zë të kashmirtë, unë nuk do kisha mundur ti thosha jo .I zgjata çadrën nën strehë atij trupi të brishtë që papritur u ngjesh pranë meje. Aroma e flokëve të njomura më dehu. « Ku po shkon ? » e pyeta. « Në shtëpi .... » « ku e ke shtëpinë ? » « Në shtëpinë tënde » . I befasuar nga drita e ëmbël djallëzore e shikimt që kërkonte të gjente sytë e mi e pashë drejt në fytyrë. Një e qeshur më zë të lartë kumboi papritur. « Bëra shaka- më tha ». Isha unë tani që buzëqesha . « Mund të vini edhe në shtëpinë time nëse nuk e keni bezdi një gje të tillë » e vazhdova shakanë. « Vërtet ? » ma ktheu djallëzisht... « Merrni ju në shtëpi njerëz të panjohur ? » « Shkoni ju nëpër shtëpi të të panjohurve ? » ia ktheva menjëherë. « Jo, nuk shkoj, por shtëpisë tuaj nuk do kisha frikë ti hidhja një sy » « Me kënaqësi, » ia ktheva . Shakaja luante me realitetin. Gjysmat e tyre larmishëm i linin vëndin njëra tjetrës . Nuk më kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë. Nuk kuptoja luante ajo ? Isha kurioz të dija deri ku do shkonte loja e saj ? Tepër tërheqëse, serioze dhe e zgjuar për të qënë një femër e rendomtë rrugësh.
Po çfarë ishte vallë ajo gjë që bashkë me ujin i pikonte nga flokët, i shkundej nga qerpikët dhe i flinte në cepat e buzëve? Çfarë ishte ajo ndjesi që i buronte nga brënda? E pjekur, e pashuar, e mbajtur prej kohësh brënda saj, e shihja që i rridhte bashkë me ujin jashtë. Ajo e shkundëte dhe vazhdonte të luante si pa të keq me mua. « Kush është makina juaj ? » « Ai Fiat Sedici atje tutje ». Ajo më kapi nga krahu dhe u drejtua me mua për atje. E shihja i çuditur. Më dukej si një gjë ireale. Nuk dija çtë bëja. Të shkoja me të në shtëpinë time ? Sado tip aventurieri që jam nuk i kaloj disa kufinj. Por ajo rendëte me mua nën çadrën time drejt makinës, duke buzëqeshur. Nuk kishte asnjë lloj frike për të panjohurën tek ajo. Sillej me mua sikur të më kishte njohur një jetë të tërë. U futëm në makinë dhe unë nuk dija çfarë po bëja. Ecja nën forcën shtytëse të saj dhe instiktit tim të brëndshëm. Pse e bënte vallë ajo këtë ? Ajo më shikonte gjithë kohën me një buzëqeshje paqësore në fytyrën e saj të ëmbël dhe unë nuk munda ti qëndroja tundimit për ta prekur. Kur makina kishte ndaluar në një semafor, i përkëdhela lehtë fytyrën me shpinën e gishtërinjve. Ajo buzëqeshi akoma. Në semaforin tjetër, ajo afroi fytyrën dhe më puthi lehtë në buzë. Gjaku nxitoi vrapin në damarët e mi.Nuk mendoja më asgjë veç asaj gjëje të ngrohtë dhe të butë që aq papritur, kishte qëndruar aty pranë meje. Parkova makinën në garazhdin e pallatit dhe e kapa për dore për tek ashensori. Ajo u ngjesh pranë meje duke pritur ashensorin dhe unë provova përsëri ngrohtësinë e puthjes që jepet pa asnjë kusht dhe pa asnjë paramendim, thjesht ashtu siç vjen e ngrohtë nga thellësitë e qënies, pa kaluar nëpër peshoret dhe labirinthet e trurit. Ashensori ngjitej dhe po ashtu ngjitej dhe niveli i adrenalinës në trupat tanë. Hapa derën e apartamentit dhe shtymë brënda njëri tjetrin. Rrobat fluturuan nëpër shtëpi dhe ne sonambulisht e gjetëm krevatin. Flokët kishin butësinë e kashmirit dhe nuk di pse mu kujtua nga fëmijëria ime e largët, kur motra më merrte nga shkolla dhe qëndronte për të kundruar orkidet tek dyqani i luleshitësit që kishim pranë shtëpisë. Aromë orkidesh... Troku i kalërimit dhe dihatjet e kujve në vrapim ... prekje e thellësive... puthjet e dritës së mëngjesit mbi rruzull dhe buzëqeshja shpërndarë mbi çarçafët e tokës... ngjitje në qiell,... hapja me duar e perdeve të reve dhe gjuhëzat e rrezeve mbi lëkurën time,...muskujt në ngërç...dhe çlirim i tyre me forcën dhe zhurmën e rrjedhjes së ujvarës... dhe përsëri... dhe përsëri...

Kur rrezet e diellit të dalë nga retë e atij qielli me shi, goditën për herë të fundit xhamat e zhveshur të dritares së dhomës time të gjumit, unë u ngrita dhe qëndrova ulur në cep të krevatit. E ndjeja atë që merrte frymë butësisht aty pas meje. Pastaj ajo më rrëshkiti midis krahut dhe brinjës time dhe e vendosi kokën mbi prehërin tim me fytyrë të kthyer nga mua. Më vështroi ngultazi të gjitha tiparet e fytyrës. Sytë tanë u ndeshen gjatë me njëri tjetrin. Ajo nuk ngopej duke më parë dhe unë ia shihja që i lodronte brënda syve, ajo ndjesia që nuk ia gjeja dot emrin. Flokët e butë ia përkedhja me duar.

* * *

Ajo kishte ikur papritur, ndërkohë që unë isha në dush. Ishte veshur dhe në heshtje kishte dalë jashtë dhe kishte marrë ashensorin e sigurt që unë nuk mund ta ndiqja zhveshur. Nuk isha aq i pa eksperiencë sa të më ngelej në mëndje një femër, sado e mrekullueshme që të ishte ajo. Kisha kaluar nëpër shumë aventura dhe kisha provuar gjithçka . Kisha provuar që nga dashuritë e vërteta, që nuk i kisha më, e deri tek orgjitë pa fre. Por kjo e panjohura, kishte një dlirësi të natyrshme me të cilën ajo jepej, një ndjesi në zhdukje që rrallë mund ta takosh dhe ajo gjëja tjetër pikuese që i dilte nga thellësitë dhe që nuk kishte fare të bënte me mua, të ngeleshin në mëndje. Çfarë ishte ajo vallë ? Të nesërmen shkova në punë si çdo ditë tjetër dhe asgjë nuk kishte ndryshuar, por në një pjesë të vetëdijes, unë mbaja atë, të panjohurën. Pas pune instiktivisht shkova tek vendi ku e kisha takuar, dhe sigurisht që nuk e gjeta. Vazhdoja të jetoja në rutinën time edhe pse më ishte bërë zakon që gjithmonë pas pune kaloja dhe e ndalja makinën në atë vend ku më kishte zënë shiu atë ditë, kur sapo dilja nga Piceria. Dhe ja, një ditë e shoh që kaloi rrugën dhe u fut në biblotekën përballë. Zbrita rrëmbimthi dhe nxitova për atje, duke ingranuar hapat me rrahjet e shpejta të zemrës i shtyrë nga e vetmja ndjenjë mbizotëruese, që ishte një lloj misteri i çuditshëm. Në katin e parë nuk e pashë dhe u kujtova që ajo biblotekë kishte një kat përdhes që përdorej për studime. Zbrita shkallët ... ishte aty...e ulur vetëm në tavolinë, me një tog librash përpara. Iu ula përballë pa folur. Ajo ngriti kokën dhe më buzëqeshi përsëri. « Si je ? » më përshëndeti për mirësjellje « Mirë, po ti ? » « Edhe unë mirë » mu përgjigj. « Çfarë kërkon këtu ? » « Nuk kërkoj ndonjë gjë, vetëm dua të të them që nuk të kam harruar, .... që do dëshiroja prap të gjendesha në një ditë me shi, nën një çadër me ty. » Ajo u ngrit ngadalë dhe më bëri shenjë që ta ndiqja. Në sallën e studimit nuk ishte mirë që të bisedoje. Dolëm jashtë dhe ajo ndezi një cigare. Shfryu tymin nga buzët e rrumbullakosura dhe u përgjegj qetësisht me zë të ngadalshëm. « Nuk do ketë asnjëherë më ditë tjetër me shi dhe as ne të dy nën çadër » « Nuk mund të frenoj kuriozitetin dhe të mos të të pyes.... » vazhdova unë. « Arësyeja është tëpër e thjeshtë, sepse.... sepse... ajo dita me shi nuk ishte e jona, pra e imja dhe e jotja... dhe ai .. ai personi nën çadër nuk ishe ti.... » Më pa prap drejt në sy si atëhere dhe unë ndjeva që nga diku thellë saj, sërish u derdh ajo ndjesia, që tani në mënyre të papritur, krejt qartësisht unë ia vura emrin MALL.

Nuk fola, nuk mund të flisja, u përkula dhe e putha ngadalë pikërisht aty, në mallin e saj të kashmirtë dhe u largova.

1 comment:

edrus said...

Ëndërr e çdo mashkulli :).
Por elementi më "fantastik" i tregimit, ishte ai "fiat sedici" (ndoshta ishte një propozim për fiatin që të krijojnë ndonjë makinë të re?? :)
"Mall i kashmirtë", ku kashmiri, më tepër se ndjesia e "devesë", më tingëllonte më tepër si i KaQ-mirtë... një ndjesi që vërtet do të bënte të ndihej mirë kushdo në një situatë të tillë.
Bukur!