Saturday, October 10, 2015

KENGA E ZHGENJIMIT

Çfarë dite është sot? Po ç’rëndësi kanë vallë
emrat e orëve,  ditëve, muajve të  gjatë
të  vdekur  të  gjithë,  varrosur pa kthim,
si trenat që venë  a si trenat që  vinë
si trenat që shkojnë  a si trenat që  kthehen
ne kryqëzim te shinave  nje lypës  i vogel  rri
shpirturitur sytë  e trembur hap.  Rreckosur
 dorën e njomë zgjat

“ Të lutem, zotëri,
Shkruaj dy vargje dashurie për mua, zotëri! ”
Dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Avullon suprinë e hënës  mbuluar nga një tis  gri
si në përrallat me kuçedra.  E fshehur anë e errët mbetet.
Ç’të  jetë  pas saj? Cila e vërtetë ?  nga ato pesë…dhjetë apo njëzet?
Ç’fytyrë  ka? Ç’maskë  do kem përballë?  Do e njoh a do më  njohë  vallë?
Maska e hënës hijen lëshon nëpër park …
herë del, herë  duket …herë- herë  fshihet me vrap
dhe  në kryqëzim të  udhëve  lypës’  i vogël rri

"Të lutem, zotëri
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Kujtimet jane bebe… që  më  pas bëhen gjethe
të zverdhura në  vjeshtë…të lehta  si frymë
që më në fund nxirret dhe brenda më s’hyn…
Kështu  dhe bebet e syve bien përdhe
të vrara, të lodhura  nga gjumi që nuk i  zë…
udhëkryqeve pa fund të labirinthit të zi
në prag të të cilit lypësi  i vogel rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Dikush hëngri  dhe piu mbi tryezën që  ndrin
një tjetër  gjellët shijoi dhe iku pa kthim
dikush lugën që përdori e futi në xhep dhe harroi…
një tjetër  në pjaten bosh pa hijen e tij…
Pra eja ta përmbysim sofrën që na priti
therrimet t’i shkelim  në një vend të errët t’i mbjellim
në një vend të zi ku asgjë nuk mbin
aty ku  lypësi i vogël rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

E gjatë dhe e ashpër rruga për në fund
trok’ i djepit dhe i kalit përgjumshëm na përkund
më mban… dhe të mbaj… të kam dhe më ke
shpinë  përmbi shpinë  si breshka shtëpinë
vëllezër siamezë  që vdekja veç  i tremb
por koha i vret dhe ëndrrën ua tredh
në eshtër të  kosës lypës’ i vogel  rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…


Stuhia filloi dhe mbaroi në det
por në  gotën me ujë  një  anije u mbyt
zërin me ëmbëlsi sirenat e mprehin
Uliksit litarët krahët ia presin
pika gjaku ngjyrë blu pikojnë mbi kuvertë
i gjërë  shtrat i drurit ku Penelopa pret…
Në breg këmbëzbathur me gishtat në shkumbë
i mardhur, i lagur  lypësi  i vogël rri

"Të lutem, zotëri,
Shkruaj dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

©M.P.

No comments: