Monday, September 7, 2015

Tregimet e Lagunes ( 8 )

Kush ja pakëson vallë ujin? Nuk shoh asnjë rrjedhë që të dalë jashtë pellgut dhe shira kanë rënë nga pak. Pak… por kanë rënë. Mos vallë e pi Madhëria e tij në atë gjysmabarkun e tij petashuq si tek “Gjysmagjeli” dhe pastaj shkon dhe e zbraz në ndonjë vënd tjetër?
Afrohem ngadalë dhe shoh pasqyrimin tim në ujrat e mpakura.
“Pasqyrë moj pasqyrë….”
Me pasqyrat nuk jemi kurrë në paqe. Ndaj tyre ne mbajmë kurdoherë vetëm dy qëndrime të ndryshme. Qëndrimin e Narcistit dhe qëndrimin e Shtrigës në përrallën e Borëbardhës… “Pasqyrë moj pasqyrë… më trego atë që dua të shoh”
Zgjas kokën dhe shihem përsëri në ujrat e gjelbërta.
-          Eja – më thotë ajo.
Nuk flas dhe nuk lëviz.
-          Eja – më thotë përsëri. E di që je kurioze të më shohësh në brëndësi… të shohësh peshqit e kuq, breshkat e vogla që notojnë, bimët që nuk i ke parë kurrë mbi tokë. Pse nuk vjen? Të tremb brëndësia e gjërave? Dëshiron që të shohësh vetëm sipërfaqen e tyre? Eja… shiko sa e hapur që jam, futu dhe shih si duket bota nga brënda meje.
Eshtë frika. Ne e mbajmë veten per qënie superiore  por në fakt jemi të mbushur me frikë. Çdo gjë e panjohur na krijon ankth të cilin e luftojmë dhe mundohemi që ta mposhtim.
Narcisti u mbyt në një “pasqyrë” nga dashuria që kishte për të ….po ashtu dhe liqeni që pasqyrohej në sytë e tij u mbyt bashkë me të. “ …unë shihja veten të pasqyruar në sytë e tij – tha liqeni” Narcisti i dashuruar me liqenin… liqeni i dashuruar me pasyrimin e tij në sytë e Narcistit.
Shtriga e Borëbardhës e they pasqyrën nga cmira dhe inati…nuk mundi të duroje idenë që ekzistonte një tjetër më e mirë se ajo , më e bukur se ajo, më e dashurueshme se ajo.
Pasqyra janë edhe të vërteta e thëna… të vërtetat e thëna në çarçafët e fjalëve…çarçafët e fjalëve pa mbarim të  nderura në telin e hollë ndarës midis asaj që jemi dhe asaj që duam që të jemi… pasqyrimi i padurueshëm i vetvetes tek tjetri. Prandaj njerëzit që na i thonë të vërtetat ose i urrejmë dhe i thyejmë, ose i dashurojmë dhe mbytemi brënda tyre.
Tunduese është dëshira për të parë veten në pasqyrë… munduese është frika të futemi brënda në të… ana tjetër e saj si mund të jetë vallë? thithëse…. Mbytëse… e ndrysheme?
-eja thotë ajo… kape pasqyrimin tënd… zhytu brënda në mua… dhe unë kam frikë… frikë nga një gjë kaq e dëshirueshme  po aq sa dhe e ndryshme….
Ulem në breg dhe shoh pasqyrimin. Muzgu po bie dhe ajo po vesh rrobën e saj misterioze të natës.
Madhëria e Tij nuk është dukur prej disa ditësh. Të ketë shtegëtuar vallë përgjithmonë? Nuk di çfarë më mban në breg, ndoshta ndonjë parandjenjë e paemër… dhe ja, papritur shoh në qiell një zog të madh me krahët e gjatë të hapur që më fluturon sipër kokës. Nuk e kisha parë kurrë në fluturim. Ulet pastaj ngadalë mbi një degë peme në bregun tjetër. Ndoshta nuk do zbresi sot mbi lagunë. Ndoshta ka qenë per vizitë diku, ndoshta ka ngrëne darkë tashmë. çfarë do ketë ngrënë vallë per darkë dhe me kë? Qëndroj akoma mbi gurin në breg. Dhe ja ku ulet Madhëria e Tij mbi barin e gjatë të ishullit të vockël në mes të lagunës. Bari i gjatë ia fsheh shikimit tim. Ndoshta do flejë atje…ndoshta ka renë të flerë. Por jo, ai del me ngadalësine e tij solemne dhe hedh hapat e para të kujdesëshme mbi ujrat e gjelbëra. Vërtet që ka ngrënë darkë sepse qëndron ashtu I palëvizur për një kohë të gjatë. Pastaj zgjat qafën e gjatë dhe fillon të shohë pasqyrimin e tij mbi ujë. Ul kokën edhe unë dhe shoh për të disatën herë veten mbi suprinën e lëmuar.
Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës… Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës…. Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës?

“Pasqyrë moj pasqyrë… do të të thyej apo do më thyesh?”

No comments: