Monday, May 9, 2016

E thjeshtë

Eshtë koha e mbarsjes së pemëve…
me barqet e vogla të fryra
degët i mbajnë drejtë përpjetë dhe heshtin të ngrira
dëgjojnë me vëmëndje pëshpërimën e sytheve
që rriten e mufaten brënda tyre.

Eshtë koha e mbarsjes së krimbit të mëndafshit…
pështymë e avullt e rrethon si re
dhe larva që me durim mes afshit lëvrin
krahët pret ti rriten , fluturim të lëshohet
mbi lulet që qetësisht mërmërijnë
brënda në barqet e fryra të pemëve.

Unë mbarsem dhe barku më fryhet
me mall të paralajmëruar në një kohë si kjo
për qënie, sende, dashuri që në jetën time ishin janë dhe do jenë
për boten ku jetoja, jetoj  dhe për atë që vjen
për pranverat e shkuara  dikur
kur edhe unë kam qënë një pemë
dhe per stinen e ardhme 
ku një rrenjë, degë apo një syth do jem.


©M.P.

No comments: