Monday, December 16, 2013

Dita e dytë

Ujrat u mblodhën… të errta, të llurbëta, pa formë
dhe toka nuk doli asfare në breg...
dy peshq të vegjël, notonin të vetmuar
të verbër... nuk shiheshin.
Rrathët e jetës prej bulzave të ajrit,
në një spirale të trishtuar
njëri tjetrin ndiqnin pa u takuar kurrë..
Një shpirt pa kërthizë i harruar lundronte përmbi re
një shpirt i ardhur nga një tjetër botë
ku përrallën e “kësulëkuqes” nuk ia kishin treguar…
 
“Dëgjoni- bubulloi pa pritur një zë- kështu
të habitura do të jenë ditët tuaja…
vetmia do jetë i vetmi diell
dhe për hënë, mashtrimi i vetmi ndriçim në qiell….”
 
“Dëgjoni- ushtoi prap zëri bubullimë-
i abortuar nga një mitër e rreme është ky planet
asgjë dhe asnjë nuk do shpëtojë
nga lak i pendimit shënuar në shpinë...
 
…dhe heshtja përmbi ujrat e zgjati një kujë
që si buzëqeshje i tingëlloi shpirtit të huaj….


©M.P.

No comments: