Wednesday, March 26, 2014

Maratonë



Vetëm njëqind të rrahura zemre
dhe një pulsim… është finish-i...
këmbët të tradhëtuara janë nga krahët
që rrotullohen pa pushim me angushti.

Zvarritje janë kilometrat e fundit
në një rrugë me rërë në muzgun e purpurt
ku asgjë nuk mund të shihet qartë
dhe dielli si një zemër e verdhë
me dy zemra të kuqe mund të shkëmbehet kaq lehtë…
  
Vetëm njëqind të rrahura zemre më tej është finish-i
dhe fare kthjellët shoh pas tij
nimfën e bardhë të fluturës
varur në degët e lulëzuara të kumbullës
por vallë a do e arrij?

Njëqind të rrahura zemre
si pompa e një pusi
sjell  ujë të ftohte dhe jetë
për etjen e vrapuesit…

Por fund nuk paska asnjehere
kjo dit’ e errët pambarim
kjo udhë e thatë…e zezë…
mashtruese mes pluhurit dhe mjegullës…

frymëmarrja është e rëndë dhe qelbet
erë moçali varur algash në mëngjes
përpiqet që të dalë nga brinjët e kafazit
si gazierë gulçesh të pashpresë…

………………………………………………
Pa jetë varen krahët  tradhëtuar nga këmbët
vetëm njëqind të rrahura zemre përtej është finish-i
por ah….me një pa-fundësi në mes…

Friday, March 21, 2014

Ti druri i shtrembër



Ti je druri i shtrembër i pyllit të shpirtit tim 
me trup të nxirë rrethuar nga myshqe
e degë të pa krasitura mirë…

Dëshiroj shumë të të pres
Për të parë qartë nga brenda
rrathët e parregullt që tregojnë për stuhitë
vrullin e jetës dhe dashuritë
dimrat e ftohtë…
shkrumbin e verave…

Por të dua … shumë të dua
ty trung i shtrembër i shpirtit tim,
si prindi fëmijën e vështirë
prandaj shpresoj dhe pres me durim
lulëzimin e lastareve të tua…

Sunday, February 16, 2014

ZAMBAK NËN DËBORË



                                                   


Meloditë janë gjuha që ëngjëjt
u përpoqën njerëzve t’u a mësonin
Prandaj, ne të dy vallzojmë nën tingujt
heshtur dhe veç me trupat flasim...
Ti ngrihesh pastaj dhe shkon
unë verën tënde pi dhe përtyp bukën tënde
ndërsa pres që të lulëzojë
zambaku që sapo mbolle nën dëborë.

Monday, January 13, 2014

Dimër

O Shpirt i ngelur cung e lakuriq
pa një dredhëz që të të rrethojë a ngrohë…
t’i përtypi degëzat një pëshpërimë tinzare
një jugë e thatë e qëllimshme
dhi e butë por aspak manare.
 
Degëzat… që nga sythet të mbështjellë,
nëntë herë me rrathë …ruajtur nga dimri në dimër…
të trembura … nuk donin të dilnin
i yshti ky fllad i pabesë…i joshi…i shastisi,
ia thau një nga një te nënte shtresat e nënkresat
me nënte çelësa ia kyçi dyert e harresës
dhe të nentë çelësat dimrit mjekërcjap
ia vari këmborë.
 
o shpirt i zhveshur e mbetur cung …
degëzat kurore u bënë
për një Adam gjarpëror…
veç rrënjët fort po lulëzojnë nën dhè
bymehen forcohen lëvrijnë e gati rrinë
presin afshin e një pranvere të re.

Tuesday, January 7, 2014

Një fije dritë



Tashmë që perdet janë mbyllur,
një dritë e mekur shket
e ardhur që nga larg
ku at’ i bardhë në një fushë
anës një bregu lë gjurmë,
…i bardhi at’i im,
jeleshkumbë.

E mekur rrezja më shket pranë
por duart nuk ia zgjas…
ka kohë që dyert e kështjellës
të mbyllura janë me lloz…
e  ndër bedena në alarm
bie një tupan
Pim pa pa pam
Pim pa pa pam

Poshtë nëpër fushë luhet
hyjnë e dalin alerkinë
i ftohtë si një teh
në vrimë të celësit ngecur
rri veshtrimi im.

Një flakëz e pabesë
nuk djeg as ngroh vec ndrin
më fut thellë në mendime
një mall të thellë më zgjon...
të trishtë e pakuptim
një mall për veten time.

dhe ndërsa drita  zbehet e hollohet
në dyert e ngurta përplaset
atje shumë larg në fushë
dëgjohet një kadum
Pum pa pa pum
Pum pa pa pum.