Wednesday, July 26, 2017

Ninullë

 Kur vallë për të fundit herë
puthjen mbi të ëmblit, të fjeturit sy
e ke ndjerë?
Sonte mos më prit, ti fli,
dhe para se gjumit t’i dorëzohesh
mos harro, ndiz në dritare për mua një qiri
Një lumë i rrëmbyer
rrjedh ndanë qytetit, dhe një urë mbi të…
me zërin tim të mërmërin një kengë…
një shelg degë-lotuar
në dritare ta sjell
bashkë me ulërimen e ulkonjës
në një natë me hëne
dritaret mbyllin qepenat dhe flenë.
Fli pra dhe ti, sonte kthehem vonë,
tre diej të ftohtë patrullojnë në qiell
një brymë e errët kozmike
trupin ma mbështjell. Kam humbur.
Fli, një gjumë të ëmbël,
një gjumë të thellë fli
qepallat janë mbyllur
të gjitha dritat fikur
labirinthesh humbur
një dalje po kërkoj, nëpër gjithësi
errësirë e thellë,
natë e zezë, pashpresë.
Mbylli syckat, fli
sonte kthehem vonë
ndoshta dhe nuk vi
Tej në një dritare,
rri ndizur një qiri.
©M.P.

No comments: