Saturday, August 31, 2013

ASAJ



Grua,
krahët e  ëndrrave janë  shpikje e Ikaru-sit
dhe faji i tij gjithashtu...
ai një  mashkull ishte,  ti mirë  e di
dhe prapë  i përgjërohesh në  gjunjë…
në  telin e hollë  ndarës të dritëhijes
me zë holluar deri në  pafuqi
të të  japë  borxh gabimin e tij…

Grua,
Ti je toka dhe pjelloria e saj,
por kot e shkon  shenjtërinë  e vlagës
që si kurorë  të  rri...
Ugarëve kur hedh farën asnjëherë  mos harro
se lot i njelmët  nuk  është  shiu i shpirtit
dhe  bimë  e hareshme
nuk e shuan dot etjen prej tij.                         

Kryqi që  zvarris pas shpine,
Grua,
në  rrugëtimin  tënd  të  rëndë,
për dherat e tua të  ngurtësuara
nuk mund të  bëhet kurrë  parmendë…

2 comments:

Anonymous said...

Shume e bukur, më pëlqeu,...sa shumë ka për të shkruar për gruàn!

Alma Burimi

Anonymous said...

Poezi qe te fut ne mendime me ndjeshmerine e saj.Kamomila, te lexoj sa here qe mundem dhe me pelqen vargu yt.