Sunday, May 9, 2010

KETROLOGJI

Kjo nuk është aspak një përrallë, por një ngjarje e vërtetë, ndodhur në një mëngjes të lagur kur sapo isha zgjuar.
“Përralla e dy deshëve që përplasin brirët me njëri tjetrin tek ura derisa bien të dy në lumë, nuk mund të ketë ndodhur vërtet. Ajo është shkruar për njerëzit” - mendova me vete ndërsa pija kafenë pranë dritares në atë mëngjes të ndritshëm pas shiut të ngrohtë. Çdo gjeth’ dhe çdo fije bari shkëlqente ethshëm. Në kabllin telefonik që kalonte mu përpara dritares time vareshin akoma pikat e mëdha të shiut që kishte pushuar vetëm pak minuta më parë.
Ketrat luanin dhe kuisnin në degët e pemëve. Këto kafshë të vogla të gëzofta me një natyrë të admirueshme më çudisnin gjithmonë, por asnjëherë çudia ime nuk kishte arritur pikën e atij mëngjesi të lagur. Tek luanin gazmorë dhe kërcenin degë më degë, papritur dy prej tyre u gjëndën duke vrapuar në kabllin telefonik përballë njëri tjetrit. U takuan aty në një pikë të caktuar. Përballë. Qëndruan. Komunikimi zgjati vetëm pak sekonda. Njëri nga ketrat mbërtheu kthetrat e vogla përreth telit dhe u var me trupin poshtë dhe këmbet në tel. Ketri tjetër kaloi sipër. Pastaj ai që ishte varur me këmbë përpjetë u ngrit dhe vazhdoi rrugën në drejtimin ku ishte nisur. Kush kishte qënë kodi ? Cili pikërisht kishte liruar rrugën ? Më i vjetri ? Më i riu ? Më i forti ? Më i urti ? Ai me gëzof më të ndritshëm ?
E gjitha ndodhi në pak sekonda, e kordinuar në mënyrë perfekte.
« Jo, » mendova përsëri e befasuar « Nuk mund të ketë ndodhur vërtet me deshët ashtu. Ajo kokëpërplasje është karakteristikë e tjetër lloj inteligjence. E njerëzve.»

2 comments:

Anti said...

Vertet ndodhi ashtu me ketrat? Gjithsesi, me pelqeu shume trajtimi. Urime.

xhenius said...

sa thjesht zgjidhen nganjehere gjerat qe ne dukje jane teper te veshtira,pak "umilta" dhe ja ...mer rruge ç'do gje.Ciao!