Më dhëmb një vend
që kurrë s’e kam parë
një tokë e verdhë
e tharë, e çarë
ku fëmijët mbijnë
në rrënjë të kaktuseve
e nga thithkat e gjembave
lëngun thëthijnë.
Më dhëmb një vend
me qiell të zi
kaq larg nga qielli im ngjyrë gri...
meshkujt si pjergull
që drejt s’mund të rrinë
gjuha e tokës i përpin.
Një vend si grua gjoksjashtë
me bërrylin e jetës kockëdalë
lëkurë e zhveshur, e arnuar,
duhmat të nxehta
tokë përvëluar
në mes të vapës
me diell mbuluar.
Një vend që s’është i imi vend
nuk di… nuk di, pse vallë më dhëmb…
3 comments:
valle e shkruajte ne keto 2-3 dit?!
gjunjezohem!
e dashur xheni,
Faleminderit qe me ndjek gjithmone... dhe po, poezia eshte shkruar pikerisht ne ato dite.
Excellent!
Me frymezove ne oren me te vdekur te dites, 4 e drekes....
Post a Comment