Sunday, December 7, 2008

Poema e Dhimitraq Papandos "Ndjej një ëndje shumë të lashtë" dhe komenti im per te.

Ndjej një ëndje shumë të lashtë
..................SHPIRTI

Fasha drite më rrethuan,...si fantazma vrik u zgjuan.
Endje vluar i përgjoja si krejt qënjen m’a pushtuan;
Si më mpinë, më përpinë në një shtjellë të pa fund,
Në një hon të zi kujtimesh, që më shtyp, më humb, më mund.

Hije drite më rrethojnë, më përqeshin, më mundojnë.
Bot’n e vjetër tek më sjellin, para syve ma tregojnë.
Hyj mes qerthujve të tyre, qëmtoj brengat dhe i marr.
Prek një puthje fluturake,...shtyp një dhimbje,...ndez një zjarr.

Dhe hap portën e harresës prej nga rrjedhin ngjarjet lumë,
Një nënqeshje e kërkuar, a një zë i ëmbël shumë;
Që më çjerr në thelb të zemrës, më hap plagë, më përfund,
Ma derdh gjakun e përtuar, pikë rëndë porsi plumb.

U përfalem kryeulur, krahët hapur e pa shpresë,
Porsi mëkatari i djegur, Zotin lut dhe kërkon ndjesë.
Gjunjëzuar u blatohem, si një qingj zënë në faj,
Dhuroj zemrën e munduar, përpëlit sytë dhe qaj.

...Shpëtimtar më vjen përvjedhur një i trishtë frymëzim,
Më flladit mes ngashërimesh, sjell të njelmët ngushëllim?
Vjen e hyn në gjoksin tim, tingëllon në mijra zile,
Më trazon shtrojet e zemrës me një flakëzë jeshile.

Më prek ndjenjat mëkatare, m’i këndon fletë më fletë;
Më ndez gjakun e tejftohur nëpër afshe të vërtetë.
Më zgjon trille lodërtare, plot pasione e tundime.
Mbjell fidanë të panjohur në taban të zemrës sime.

Prej së errti duke ardhur, si vjen drita në mëngjes,
Drithëron e përpëlitet si një fluturzë që vdes.
Si një fluturzë e ngratë që një natë pat jetuar,
Fluturoj dritë më dritë me një mall të përvëluar…

…Porsi zëmra e trumcakut trokëllin në gjoks të valë,
E dëgjoj nëpër vegime, tek përçart në mijra fjalë.
E dëgjoj si rreh i dridhur, ritmin prishur me mundim,
Vjen rrëmben çdo hov të gjakut, e burgos në trupin tim.

Dhe më mbush gjoksin e ndrydhur plot me erëzë të ndritur,
Më lëvrin gjakun e nxehur, ndër damarë të paditur.
Nëpër rrugë të papara, kurrë që s’i kam kërkuar,
Ndër mistere ëndërrore ku fle shpirti i virgjëruar.

“Shpirt, o shpirt, ti zjarr qielluar, gjunjëzuar të betohem,
Sa të ndritë dhe një dritë rrotull saj do të harrohem.
Do vërtitem dit’ e natë, sa të digjem edhe vetë,
Të arrij i lumturuar dritëzimin e vërtetë.”

XXX

Porsi lulja mbledh nektarin, me mundim e pak nga pak;
Ashtu shpirti-i turbulluar kërkon lotin nëpër gjak.
Në çdo skutë, në çdo shtjellë, ku shkumbon pasionet terri,
Ndër burime angushtie, ku pikon jeshilin vreri.

Dhe qëmton e mbledh çdo grimë gjer të fundit hidhërim,
Ndër reflekse dritëhijesh e gjurmon në pambarim.
Si e ndrit mes ledhash fine dhe e sheh që vetëtin,
E përthith në thelb të tij, ku i jep bekim divin.

Dhe pastaj si llav’e zjarrit që çan dheun dhe shpërthen,
Loti i djegur prej së thelli kërkon syrin dhe e gjen.
Duke shkuar ndër të fshehta monopate të harruar,
Gjen dritarezën e shpirtit në kristal të mjegulluar.

Bulëzon shkëndi hyjnore në një qoshe fare pak,
Por djeg dheun porsi dielli edhe qiellin e përflak.
Njom qerpikun që fsheh syrin dhe misteret brenda mbyll,
Pas një mjegulle mortore shkëndijon e ndrit si yll.

...Hej, një zjarr që rri i fshehur nënë dritën e pahitur,
Nënë detin e stolisur me qerpik të farfuritur;
Ku përvjedhur pres e ruaj më të voglin reflektim,
Prej pasqyrëzës së shpirtit ta pranoj në thelbin tim.

Ta thërres me zë të mirë prej së thelli gjer t’a shoh,
Se si ndrit nga funde detesh nëpër ngjyra si ato.
Ndër etere ëngjëllore do t’a gjej t’a marr në gji
Dhe në buzë të përvëluar t’a rrëmbej lotin t’a pi.

Dhe të shtyp dhimbjen e hidhur të një vuajtje pa shpresë,
Ku mundohet ethe-e shpirtit duke dashur të mos vdesë.
Si me lotin e zhuritur përcjell vrerin gjer në varr...
...Vrikthi kokën ngre përpjetë, retë shoh tek marrin zjarr.

Lart, atje ku qielli ndritet në një fill prej vetëtime,
Prej nga zbret fryma divine dhe përndrit gjith’ qënjen time,
Me një shtjellë kaltërsie krejt të virgjër e pa njollë;
Vjen dhe më mbështjell të gjithin në një cergë tej të hollë.

Duke sjellë prej lartësive grimca pluhuri kozmik,
Më mbulon më nxeh të tërin me një frymëzim magjik.
Grimca pluhuri të ndezur nëpër zjarre herezie,
Që qëmton dhe sjell së larti plot tundime dritëhije...

...Vrap rrëmbej një laps të thatë dhe e ngjyej drejt në flakë,
Gërma zjarri vë në radhë të një ëndje shumë plakë.
Të një ëndje tej të vjetër, që zhurit e djeg si prush,
Që më ngop me fllad dëshirash, më trazon, më deh, më mbush.

XXX

I mbledh mjeshtrit e harruar që nga koha shumë e lashtë.
Nxjerr fantazmat që nga varret dhe i ftoj të dalin jashtë.
Flokëgjata, hijen çjerrë si afrohen përreth meje,
Më përshkojnë... si një thirrje që sublime hyn ndër deje.

Pastaj... gjurin vë në tokë, pulit sytë që lotojnë,
Nëntë muzat thërres pranë përreth meje të vallzojnë.
I ngreh duart, shënoj lartë, drejt atje ku lindin retë,
Drejt atje ku ngjizet fryma, drejt në thelbin e vërtetë.

Këngë ngre porsi kan’ bërë qëkur bota është zënë,
Mes shtërzimit, i munduar, vargëzoj fjalën e thënë.
Vargësoj fijet e hirit që qëmton i zbukuruar,
Prej eteresh të papara më sjell këngën e kënduar...

...Porsi pluhuri pa jetë që veç sillet nëpër erë,
Në mes pyllit në bunacë, pa dëgjuar dhe pa ndjerë.
Fluturon ashtu i vdekur, pa e ditur, pa kuptuar,
Pa menduar asnjëherë që ka forcë të paçmuar.

Nga të fryjë frym’ e dheut, pa qëllim atë e ndjek.
E ngre lartë gjer në qiell, pastaj poshtë e përpjek.
I padukur, i pandjerë, i duruar rri platitur,
Eshtë atje, por nuk e shohim, rri i fshehur, i paditur.

Por kur dielli, me një rreze që çan degët, mbi ‘të bie,
E përndez, i jep përflakje të çuditshme prej magjie;
Mes të bukurës të pyllit nëpër grimca melodish,
Fton sirenat prej përrallash... perëndit’ atje i grish.

Ashtu dridhet, drithërohet dhe e djeg vehten me gaz...
...Eshte frym’ e dashuruar, që tani i vete pas.
Dhe i ndezur nëpër flakë s’është më pluhur pa jetë,
Eshtë brenga, gazi, loti, shpirti im që digjet vetë.

Gjarpëron e përpëlitet, do të shkojë.-Po ku vallë?
Rreze diellit i jep dritën, e përndez e mban të gjallë.
Dhe si vjen, veson i vjedhur si rrebeshi në pranverë,
Më mbulon me tis qielluar, tek afrohet nëpër erë.

Hyn tinzar në qënjen time, kordat zemrës m’i trazon,
M’i tendos dhe me ‘to luan, gjer në fund të shpirtit shkon.
Dhe atje një dor’ hyjnore e bekon me hir magjie,
Dhe kështu në gaz e vaje nis një këngë fshehtësie.

Ndër damarët ku rrjedh jeta ndjej si shket si zjarr i gjallë,
Melodinë që nis shpirti e përcjell me mall të rrallë.
Ajo rritet e zmadhohet, si furtuna më përfshin,
Më thith thelbin, më merr shpirtin, tërë qënjen m’a përpin...

XXX

...Por kur dielli që jep jetë shkon e fshihet prapa resë,
Grimc’ e ndezur përpëlitet duke dashur të mos vdesë.
E vështoj se si cfilitet brenda meje, ja atje,
Që nga mesi kraharorit diellin ndjek si hyn në re.

Tok me afshin që ndjek diellin, digjet pluhuri dhe vdes,
Përvëlon dhe zemrën time... ja këput kordat në mes.
Më shtërngon lugun e fytit, ma ngushton, frymën më mban,
Me një dorë keq të rëndë më përndrydh zemrën që qan.

Mes pasqyrëzës kristale mjegulluar ndër pasione,
Kërkon qiellin prej së errti ku rri strukur nëpër hone.
Pas qerpikut perderëndë vështron blunë e pagojë,
Atje lart si yll i bardhë dëshiron të fluturojë.

Pa shkëlqimin e bekuar, s’do të mundte që të rronte,
Do të ishte varkë e thyer në një det pa horizonte,
Do venitej dhe do vdiste duke shuar mengadalë,
Si qiriri që lut flakën dhe djeg vehten i pafjalë.

Fluturo grimcë divine nëpër ajrin e ndriçuar!!
Mos u fshih në hone hijesh në humnera e harruar!
Mes mëndafshit të lëndinës lastaruar në pekule,
Vështro barin e jeshiltë, sesi puthet me një lule!

Ah! Por jo! Pluhur’ i fjetur rri, pret diellin që t’a zgjojë,
Pret ndriçimin magjipjotë t’i jap’ jetë, t’a bekojë.
Vjen vërdallë i çuditur pa e ditur ku të vejë,
Herë në terr e herë në dritë, ndjenjë tjetër që të gjejë.

Fle tulatur nëpër brenga, fshehur ndjenjave vallzore,
Shpuzë ëndrrash mban mbuluar mes kujdesjesh ëngjëllore;
Por si ndritet frymëzimesh, zgjohet, dridhet dhe shkëlqen,
Lodron rrezeve të dritës që mes shtjellash e rrëmben.

Fluturon tej horizontesh, qiellit ngrihet në zenith,
Rëmben thirrjen e kërkuar, thërret frymën dhe e ngrith.
Hedh një valle midis vajesh, midis këngësh vajet ndjell,
Mbjell gëzimin midis hijesh, në mes ferrit prehjen sjell.

...Herë trup që nuk ka dritë, herë trup që nuk ka hije,
Herë yll mbetur eteresh, që gjëkundi dot nuk bie.
Herë perlë dritë fikur në guackë mbyllur mbetur,
Herë ëndërrzë e bardhë në fëmijën e përfjetur.

Lule e egër plot aromë që në vazo është mbjellë,
Ja demon i zi i ferrit në mes të parajsës sjellë.
Frym’ e natës, klithm’e zogut yjtë një nga një që shuan,
Ja rënkim’ i zemrës sime që gjith’ vuan, vuan, vuan...

Midis poezive te mrekullueshme ( ne llojin e vet) te DP , te cilat jo vetem kane ushqyer shpirtrat tane me bukurine e vargut por njekohesisht, nuk di pse mua me duket sikur kane kenaqur dhe shije tona muzikore me muzikalitetin e tyre, poema “Ndjej nje Endje shume te Lashte” eshte njera nga ato qe vendoset pa frike ne krye te listes se poezive te tij. Ajo eshte nje udhetim qe autori ben neper shpirtin njerezor, neper labirinthet e tij, mbathur me kepuce ritmesh dhe kastanjeta rimash ne duar, duke patur si udherrefyese nga nje rreze dielli qe here del ne horizont dhe here hyn nen re, per ta pare ne pamje te ndryshme shpirtin qe po eksplorohet . Eshte nje endje shume e lashte… deshira e cdo njeriu ne pergjithesi dhe e autorit ne vecanti, per te eksploruar shpirtin. Poema eshte e ndertuar ne kater pjese dhe edhe pse DP nuk i ka emertuar pjeset une personalisht ( nese DP nuk ka ndonje kundershtim) do i vija emra dhe do i quaja perkatesisht I- Udhetimi, II- Loti III- Nen rrezen e diellit dhe IV – Nen hije.
Ne pjesen e pare autori na merr me vete ne udhetimin e tij neper shpirt dhe na fut ne nje ambient abstrakt dhe mistik, ne nje vend te ngjashem me pikturat abstraksioniste, ku qendrojne here ne terr dhe here ne drite te gjitha ndijimet dhe perceptimet tona, te gjitha kujtimet e largeta dhe te aferta, te gjitha puthjet perqafimet, perkedheljet dhe dhimbjet pendimet....

Fasha drite më rrethuan,...si fantazma vrik u zgjuan.
Endje vluar i përgjoja si krejt qënjen m’a pushtuan;
………………………………………………………………………………..

Dhe hap portën e harresës prej nga rrjedhin ngjarjet lumë,
Një nënqeshje e kërkuar, a një zë i ëmbël shumë;
Që më çjerr në thelb të zemrës, më hap plagë, më përfund,
Ma derdh gjakun e përtuar, pikë rëndë porsi plumb.

Pjesa e pare mbyllet me vargje ne te cilat poeti i premton shpirtit te tij ( vetes se tij, Unit te tij) qe do perpiqet gjithe kohen ta mbaje ate ne diell ( te gezuar dhe te lumtur) derisa te arrije dritezimin e vertete ( ndjenjen me te bukur, qe eshte dashuria njerezore).

Pjesa e dyte e poemes, e cila mua me pelqen vecan nga pjeset e tjera eshte “Loti”
Me ckam lexuar poezi, une nuk kam ndeshur ti kendohet lotit me kaq mjeshteri dhe vertetesi sa ne kete poezi. DP futet dhe e kerkon lotin ne rrenjet e tij, e kerkon aty ku prodhohet dhe jo, nuk eshte syri ai qe e prodhon lotin aspak, por eshte shpirti! DP e kerkon ate pikerisht ne ato emocione pozitive apo negative qe vertete e krijojne lotin.

Porsi lulja mbledh nektarin, me mundim e pak nga pak;
Ashtu shpirti-i turbulluar kërkon lotin nëpër gjak.
Në çdo skutë, në çdo shtjellë, ku shkumbon pasionet terri,
Ndër burime angushtie, ku pikon jeshilin vreri.


Lot! Vetem nje pike uje i kripur dhe shihni se cfare eshte dashur per ta prodhuar ate. Sa bukur e ndjek autori rrugen qe ai pershkon qe nga rrenjet e shpirtit i ngjizur nga emocionet tona, ai e ndjek neper gjakun e perflakur, e ndjek ne cepin e syrit dhe si pushoh pak me te atje, e leshon poshte pergjate qerpikeve. Pastaj me respekt dhe dashuri per kete pike te vockel, aspak pike uji, por pike dhimbje e hidherimi dhe me rralle gezimi e kenaqesie, ai kerkon te mos e lere te shkoje kot, te mos bjere perdhe por ta marre dhe ta pije…. Te fuse brenda tij ato ndjenja qe e kane prodhuar dhe qe ajo pike i mban ne cdo molekule te saj, per ta bere frymezuesin e tij te metejshem..

Duke sjellë prej lartësive grimca pluhuri kozmik,
Më mbulon më nxeh të tërin me një frymëzim magjik.
Grimca pluhuri të ndezur nëpër zjarre herezie,
Që qëmton dhe sjell së larti plot tundime dritëhije...

...Vrap rrëmbej një laps të thatë dhe e ngjyej drejt në flakë,
Gërma zjarri vë në radhë të një ëndje shumë plakë.
……………………………………………………………………………………..

Ne pjesen e trete te cilen une e shoh si « Nen rrezet e diellit » poeti shetit ne ate pjese te shpirtit ku jane muzat e frymezimit, deshirat dhe pasionet. Ato enden si nje pluhur i fjetur qe prêt vetem nje rreze dielli per te filluar vallezimin. Eshte kjo rreze qe autori leshon mbi to ne pjesen e trete, per ti pare me mire ne drite dhe per te pershkruar reagimin e tyre ndaj ngrohtesise, ndaj dashurise njerezore dhe te gjitha ndjenjave te tjera pozitive.

Por kur dielli, me një rreze që çan degët, mbi ‘të bie,
E përndez, i jep përflakje të çuditshme prej magjie;
Mes të bukurës të pyllit nëpër grimca melodish,
Fton sirenat prej përrallash... perëndit’ atje i grish.

Ndersa ne pjesen e katert dhe te fundit te poemes, DP e pershkruan shpirtin, ne momentet e tij kur dielli futet nen re dhe ai mbetet nen hijen e merzise, vetmise, pa ato rrezet e dashurise njerezore qe ta ndricojne dhe ngrohin...

...Por kur dielli që jep jetë shkon e fshihet prapa resë,
Grimc’ e ndezur përpëlitet duke dashur të mos vdesë.
E vështoj se si cfilitet brenda meje, ja atje,
Që nga mesi kraharorit diellin ndjek si hyn në re.

Ne fund te pjeses se katert DP perseri vallezon ne dritehijet e shpirtit

...Herë trup që nuk ka dritë, herë trup që nuk ka hije,
Herë yll mbetur eteresh, që gjëkundi dot nuk bie.
Herë perlë dritë fikur në guackë mbyllur mbetur,
Herë ëndërrzë e bardhë në fëmijën e përfjetur.

Lule e egër plot aromë që në vazo është mbjellë,
Ja demon i zi i ferrit në mes të parajsës sjellë.
Frym’ e natës, klithm’e zogut yjtë një nga një që shuan,
Ja rënkim’ i zemrës sime që gjith’ vuan, vuan, vuan...


Si strukture, poema e DP ben pjese ne lirikat poetike. Rima e saj eshte e tipit ( aabb) dhe rrjedh krejtesisht e pa sforcuar, gje qe mund te jete merite vetem e nje pene te stervitur dhe nje talenti te lindur. Vargu i DP eshte i lemuar dhe i latuar. Ai nuk e perdredh vargun dhe nuk e rendon me figuracion te rende dhe te lodhshem per lexuesin. Krahesimet, metaforat, simbolet dhe te gjitha figuracionet e tjera, jane sa mjeshterore, aq dhe lehtesisht te zberthyeshme nga lexuesi, te cilit nuk i duhet aspak ti vendosi ato ne nje ekuacion dhe ti zgjidhi pastaj te gjeje perfundimin dhe kuptimin e tyre.
Mjeshter i rimave, ai krijon lehtesisht rima te brendeshme, asonanca dhe konsonanca, dhe jane pikerisht keto qe i bejne vargjet e tij jo vetem te lexohen dhe shijohen por edhe te peshperisin dhe degjohen ne vesh si melodi. Cdo varg ka te pakten dy rima te brendeshme dhe pastaj vjen rima aabb e strofes. Ritmi anapestik tetrameter i vargut, i jep poemes nje bukuri klasike.
E lexoj poemen dhe mendoj: “ Valle si e ka shkruar? Ka bere me pare nje plan nje skeme me pika dhe nenpika te caktuara.. dhe pastaj i ka mbushur? Apo i ka ardhur ashtu njeheresh frymezimi dhe e ka derdhur ne leter?” Por ky kuriozitet i im eshte dicaka e natyrshme qe buron nga mahnitja ime kur lexoj poemen e tij qe me duket si nje qendisje, si nje veper arti e imet dhe e llogaritur, si nje punim filigrame.

No comments: