Wednesday, April 4, 2018

Eja të luajmë shtëpiash



Do vish të luajmë shtëpiash?

E mban mënd, kur dilnim nga kopështi?
Ishte kaq thjeshtë, mbasdite të brishta

koha e ngrohur dhe kumbullat nusëronin.
Me grykëset e bardha , kurorë luledelesh në kokë

Kishte nga një folezë të fshehur 
në qoshe të çdo bahçeje
për zogj të pafajshëm të lire
me pupla të parritura.

Do vish pra të luajmë shtëpiash?

Për sa kohë që këto drurë akoma
nuk janë shndruar në dyer,
dhe rrezet në shina pa fund-fillim
në udhë të një treni carusel
që në rreth-rrotullim shkon dhe vjen…
për sa kohë që është akoma aty ai çasti
kur ti duke më përcjellë qëndron në stacion,
në krahë më shtrëngon dhe më pëshpërit në vesh
“Haj’d’ martohemi?”

©M.P.

Thursday, January 4, 2018

Këngë vetvetes

T’i rrënuan muret e qytetit
e di!
te gënjyen mashtruan me dredhi
t'i shembën urat  digat dhe shtëpitë
dhe shumë gjatë të zvarritën
dhe përdorën ty…

Dje një qytet u rrafshua në Siri
dhe nesër një tjetër diku nëpër botë
do të rrafshohet përsëri
por në mëngjes prit diellin që të lindë
ta shohësh dhe të të shohë…
do t’vije… do t’vije….

Për Krishtlindje në shtëpi
me gërshërë në dorë të erdhi një çilimi
e di!
të gjitha ëndrat që kishe varur  në pemë
ti preu një nga një
kukullave ia nguli tehun në bark
llambushkat i theu dhe  zjarr bredhit i vuri
Nga tymi sytë te lotuan
të dhembën mushkëritë…

Me mijra peme u dogjën dje në botë
nesër do digjen njëmijë të tjera me siguri
por në mëngjes do të lindë një diell i ngrohtë
që do të shohë dhe do ta shohësh…
Do t’vijë… do t’vijë…

krejt padrejtësisht për të mijtën herë
të kanë plagosur  rishtazi
dhe gishtin kane drejtuar nga ty,
e di…
dhe ti  kulaç je mbledhur
plagën si kafshë e vogël e vetme lëpin
nga dhimbja nuk bëzan por shkruan këtë këngë

për mijra kafshë që dje nëpër bote u vranë
dhe për njëmijë të tjera që do vriten nesër përsëri
duke pritur diellin që do linde gjithmonë në lindje
Për të të parë dhe për t’a parë…
Do t’vijë… do t’vijë..

©M.P.  ( 02.12.18)

Wednesday, December 20, 2017

Do vish?

Do vish të shohësh?
…kanë mbetur akoma nja dy a tri fije brinjë
pa t’i treguar
dhe gjithë hapësira brenda tyre
e errët
e lagësht
rrëshqitëse
e përgjakur
misterioze
dhe vetja jote aty midis
ti… dhe mungesa jote
ti… dhe pesha mbi mushkeri
që rritet pakuptuar,
tinëzisht.
Jo në zemër
por  në mushkëri të kam!
padukeshëm
pazëshem
fshehur
heshtur
frymëmarrje,
frymënxjerrje…
frymë!


©M.P.

Tuesday, December 5, 2017

Ana tjetër…

Po ikin edhe gjethet… Për ku vallë?
në cilën botë të mistershme
në pranverë, do ringjallen  këtë herë?
Aty, i shoh të ndryshken zvogëlohen
shkrihen dalëngadalë...

A do jetojnë në të njëjtën pemë?
Apo në pemën tjetër për karshi?
Një stinë duhet të presin… veç një stinë
që diellin t’a rishohin përsëri.

Kështu dhe ty nga mua veç një vel na ndan
suprinë e dendur opake që jepet në dy anët
nuk ka jo, as kohë,  nuk ka as vend … as kilomentra s’ka
nuk është as qielli a oqeani e deti…a fusha e mali
 jo,  asnjëra nga këto s’ështe që ndarë na mban …
por veç një tis i thellë.

Me duar të kërkoj… të të kap… të të gjej
por kurrë nuk jemi në dy anët, në të njëjtin vend
dhe kur unë krahët ul nga lodhja të pushoj
në anën tjetër duart zgjat ti dhe fillon…

O qënie e anës  tjetër që kurrë  s’të kam takuar
dëgjuar, nuhatur… parë
për sytë e tu, lëkurën zërin…
për ty… për ty, kam mall!

©M.P.

Tetor 2017

Saturday, November 25, 2017

Për-dore



Një rreze rebele thyen retë
dhe saktësisht më mbështjell
në stolin ku jam ulur…
( a është vallë dora jote
mjaftueshëm e madhe? )

Cicërima ankuese e një zogu të vogël
Që më qëndron mbi diafragmë
më kërkon ta dëgjoj dhe përkedhel
( eshte dora jote vallë
mjaftueshëm e ngrohtë?)

Lëkundet mbi një pellg të vogël
dhe do që të flejë… një gjethe e brishtë
që ka humbur të ëmën
( është dora jote vallë
mjaftueshëm e butë?)

©M.P.

Nëntor 2017

Sunday, October 22, 2017

Një këngë dashurie…

(A ka lulëzuar hardhia e rrushit vallë?)
……………………………………….
Kjo është një  këngë e butë
për të gjithë të vdekurit…
jo për çfarë shkoi nëntokë
dhe në aromën e luleve të rrushit
më kthehet përsëri,
po për gjithë dashuritë e tyre
që mbeten në hapësirë,
dhe më rrethojnë dhe ngrohin papushim.

Kjo është një këngë e brishtë
për të gjithë të vdekurit
dhe për erën e temjanit dhe të trëndafilave
për ëndrrat që i bënë të lumtur
dhe për të tjerat që i lidhën fort
me njerëz vënde dhe ngjarje
krejtësisht të pa qëna e pandodhura…

Kjo është një këngë e trishtë,
për të gjithë të vdekurit
për dhimbjen që nuk varroset kurrë nendhè
por mbetet mbi të, si qiell i lotuar me re gri,
apo si një degë peme e shkëputur nga stuhia,
varur nën një plagë që rënkon…

Këndoj me zë të ulët një këngë sot,
për gjithëçka që pavarrosur mbet, nga ata
që aromë e luleve të hardhise u bënë.

©M.P.


Saturday, October 21, 2017

Jehona e plumbtë



Gerard Manley Hopkins

Si ta ruash- a ka diku ndonjë diçka, ndonjë asgjë të tillë  diçka të panjohur askund, shirit
apo furqetë a gërshet a shtrëngese , gjalm, shul a mbërtheckë a kyc mbyllur
ta mbajë të bukurën, ta ruajë, të bukurën, bukurën, bukurën… nga venitja, shkuarja tej?
 Oh a ka ndonjë mos rrudhosje të këtyre  rrudhave, rreshtit të rrudhave të thelluara
në thellësi? Asnjë ndalese e këtyre lajmëtareve më të zymtë, lajmëtarëve të ngrirë,
lajmëtarëve të trishtuar dhe vjedharakë të gri-së?
Jo s’ka asnjë, s’ka asnjë, oh jo s’ka asnjë
As që ke për të pasur ndonjëherë këtë pamje që tani ke, të mirë mund ta quajmë.
Le të bësh ç’ka mund të bësh, çfarë, të bësh ç’ka të mundesh
por urtësia do të zhduket e para:
Fillo, përsa kohë që jo, s’ka asgjë që mund të bëhet
për ta mbajtur sa më larg
plakjen dhe flokët e bardhë djallëzorë të moshës
rrudhosje dhe rrudha, lëkura që varen, vdesin, më e keqja e vetë vdekjes, lëkura të bëra shuk,
varre dhe vemje, rrënim dhe kalbëzim.
Pra fillo, fillo ta humbësh shpresën
nuk gjëndet asnjë, jo, jo , jo, asgjë nuk gjëndet
fillo humbit shpresën, humbit shpresën
Humbe, humbe, humbe, humbe.

Shqiperoi M.P.


Shenim: Jam krejtësisht e ndërgjegjëshme që shqipërimi im nuk e nderon sa duhet “The leaden echo” te Hopkins,( e cila duhet dëgjuar dhe jo vetëm lexuar), por në emër të dashurisë pa kushte dhe mahnitjes time nga muzikaliteti ritmika dhe forca e fjalës në poemën në fjalë… jam e falur.