Friday, August 9, 2019

Ekstazë



( nga cikli “mrekullia e gjërave të thjeshta”)
                                        
Zemra ime, kërkon tënden,
(…dhe kjo aspak në mënyrë figurative.)
Sa herë që ti baret udhëzave të trurit tim
ajo arratiset buzë lumejve
dhe nis një valle të çmendur cigane
nën zhurmen e rrjedhës
dhe një cicërime të marrë.
Vendi i mbetur bosh… dhemb!

Janë gjithmonë dy lumej të kuq
që burojnë nga dielli
dhe rrjedhin në kahe të kundërta
të vetmit që nuk derdhen në det
por shuajnë etjen e tokës së zhuritur.

Është gjithmonë një cicërimë aritmike
që mat kohën e të gjallëve
tinguj herë të brishtë e herë therrës
përplasen mbi dallgët e rrjedhës.

Zemra ime kërkon tënden
( dhe kjo nuk është metaforë)
Do të provojë
vallzimin e çmendur buzë lumejve,
…në çift.

©M.P.

No comments: