Monday, March 14, 2016

Kur fill' i dritës

Kur fill' i dritës
pashmangshëm thyhet
aty mbi qerpik...
Sterpik me dritë
rrathët e mendimeve
poshtë syve blu.....
Aty jam unë 
mbi ballë, mbi buzë...
si kokrrizë drite, a tingull,
të futem në shpirt e në mendime.
të ndjej 
tek pëshpërit në gjumë ngadalë
"e vogla ime"

2005

©M.P.

Wednesday, March 9, 2016

“Lulish”

Ca fjalë janë farëza të sapokorrura të mendimit
që i dhurojmë pa kusht e pakthim
si në ditën e “dhënies së falenderimit”
për njerëzit e dashur apo miqtë e ngushtë

Ca fjalë janë djaj e fantazma të huaja
ardhur tek ne në tre pas mesnate
tejkaluar kanë murin që dy botët ndan
në orën kur ai tejdukshëm hollohet.

Ca të tjera, fëmijë të vegjël të pafajshëm
që udhën humbin përkohësisht në shkurret e jetës
 të zënë përdore në shtigje të panjohura tërhiqen
në të përpjetat dhe tatëpjetat.                         

Por ca të tjera janë fenikse të vegjël
aty ku zjarri përplasje-shkatërrimt
gjithçka shkrumboi – kanë lindur
nga hiri  pa jetë lulëzuar…
“lulish”.

Dhe ja si kthehet djerrina mes nesh në lulnajë
kur fenikset e vegjël i mbjellim të dy në hirin e ftohtë
sythet e flatrave na bulëzojnë në sy
dhe ti më thërret përsëri
“lulish”.


©M.P.