Monday, April 17, 2017

Kopështi me mollë

Një erë më vjen e lehtë e lehtë
aromë e ngrohtë e bardhë e brydhët
në kopështin me mollë e mbyllur
si krimbi në frutin që nga jashtë ndrin
përbrënda tulin ia ha, ia grin
me dhëmbët e butë në mishin e bardhë
tunelet e vdekjes rrëmon ngadalë

“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”

Trokitje në derë ngadalë fëshfërimë
gërryeje këmbëngulëse për të hapur
një vrimë… si syri të mprehtë …
një degë me lule molle  lulëzuar
nga kopështi i tjetrit përmatanë
këputur e marrë… Trokitje trokitje
mbi drurin e tharë… që një ulli ka qënë më parë

“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”

Zilepsur lakmia që mollën e bren
si pemë e komshiut që gozhën ia ngul
një gozhdë … dy.. tre.. pesë.. shtatë…
rrjedh limfa mbi bar nga trungu i ngratë
petalet e bardha i bëhen qefin
pemë  “e mallkuar “ rrëzim…  rënkim.

“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”

Mollë e artë, frut  i praruar
si supi i Evës me diell i ngjyer
kush vallë gënjeu? Cili nga ata?
Adami Evën… apo Eva atë?
vallë gjarpëri ishte apo krimbi në pemë?
apo vallë kush  gënjeu, ishte molla vetë,
me lëngun e embël… me të ndritshmet fletë?

“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”

Gjarperi në mollë trungu me gozhdë
Rrënkim i mëkatit që kurrë nuk u krye
dilema të jesh apo të mos jesh
mos dish çfarë të bësh dhe çfarë të mos bësh
rrëzim i kryqëmbajtësit për faj të pabërë
dënuar gjymtuar si druri i pemës
kështu do mbetet siç nuk mund të ketë
as kryq pa mollë… as Krisht pa goxhdë…

©M.P.