Wednesday, April 30, 2008

Zhubrosur

Me kane humbur te gjithe kremastaret.
Veten time
te hedhur pa kujdes
mbi krevat,
komo,
apo karrike....
nuk kam se ku ta var.

Truri,
lekura,
krahet,
kembet,
gishterinjte,
te gjithe te zhubrosur...

Dhe te nesermen ne mengjes
perseri i vesh
ashtu....
te pa hekurosur.

Jeton tek unë

Mjegulla e dendur na mbështillte të dyjave, ndërsa ngjisnim rrugën në të dalë të qytetit. Ndjehesha bosh brënda meje; një boshësi e akullt, e zymtë, si ai mëngjes vjeshte. Kisha marrë me vete një çantë me ushqime dhe çarçafë të pastër për të ndrruar. Nuk kishim qënë ndonjëherë më të heshtura se aq ne të dyja. Nuk kishim fjalë jo. E njëjta gjë bluhej në mëndjet tona. « Si do bëhej vallë ? » Me siguri që do shërohej. Ishte vetëm një pneumoni dhe nuk ishte ndonjë sëmundje e pashërueshme. Me aparaturat dhe mjekimet e ditëve të sotme, nuk mund të vdistë njeriu nga pneumonia. Por mjegulla e mëngjesit e trashe dhe e hirtë na gërryente eshtrat e shpirtit.

* * *

- Hajde ma jep çik faqen tani

- ëëëëëëë Jo, nuk dua, i ke faqet me qime dhe me çpon.

- Jo, nuk i kam ja shikoje, i kam rruajtur..

Unë afroja duart e vogla prej fëmije në fytyrën tënde dhe provoja nëse faqet e tua ishin mjaftueshmërisht të buta për të prekur faqet e mija.

- Mirë pra na, puthi.

Nga eksperienca e dija që sado të përpiqesha, ti prap do ma mbushje mëndjen per të me puthur. Ti më puthje e më puthje në faqe dhe pastaj më thoshe:

- Faqet janë të mijat, e di ti, nuk dua që të lesh asnjeri tjetër që të ti puthi… Tani do të ti mbyll me çelës.

Bahkoje gishtërinjtë e dorës se djathtë dhe i rrotulloje ngjitur me faqet e mija.

- Shtrak – shtruk, ja ti mbylla. Tani nuk do ti puthi më njeri.

* * *

Doktorët hynin e dilnin në dhomën tënde. Ti rrije i shtrire pa lëvizur fare në krevat. Fytyra të ishtë fryrë dhe flokët e bardhë të butë të elektrizuar, e rrethonin atë si rrezet e nje dielli. Kishe kaluar nje natë të shqetësuar edhe pse kishe marrë qetësues. Tubat e oksigjenit të qëndronin në hundë. Merrje frymë me veshtirësi. Sytë i mbaje mbyllur. Tu afrova dhe të preka ballin, të fola. I hape sytë dhe më shikove, por dukej sikur nuk ishe aty. Shpirti mu shtrydh dhe më pikoi. Jo. Ti nuk mund të ikje, nuk mund të ikje ashtu. Ishte shumë shpejt për të ikur dhe ti kishe vetëm nje pneumoni. Gjeta rastin kur në dhomë nuk kishte asnjeri dhe u përkula mbi fytyrën tënde pranë veshit. “ Mos ik – të pëshpërita- Mos ik. Njerëzit ikin nga kjo botë, vetëm kur ata pushojnë së përpjekuri për të qëndruar. Ti nuk duhet të ikësh, mbahu fort, qëndro…” Ti hape sytë dhe fole me një zë të mekur “ Ashtu thua ti?” “Po, ashtu them dhe ashtu eshtë” Nuk mundja të besoja. Ato fjalët e mija në vesh nuk bëne gjë tjetër, vetëm se shtynë ikjen tënde edhe për një natë tjetër.

* * *

- Do ma japësh faqen?

- Jo, se më quk ti.

- Hajde, se do të ta puth si zog kësaj here…

Unë bindesha dhe të futesha në krahëror. Ti mbështesje buzët mbi faqet e mija të brishta dhe cicërije « ciu ciu ciu »

- Mirë, ma puthe, më ler tani të iki.

- Prit, se do ta puth si maçok , mjauuuu.... prit ta puth edhe njëherë si qenush, humm humm.... si gjel, kikikiiiiii..

- Mirë,... tani më ler...

- Po kemi harruar si ketër.... e di ti si puth ketri ?

Dhe unë kurioze afrohesha përsëri.

* * *

Pastaj ti nuk reagove më. Unë ndenja gjithë kohën aty mbi kokën tënde dhe të degjoja tek pëshpërisje fjalë pa kuptim. Çfare thoshe dhe me kë flisje vallë ? Në një moment dëgjova që shqiptove pothuajse qartë « Prisni edhe pak... » Kujt ia the ? Kush po të pristë aty ku ti nuk doje të shkoje ? Zemra jote ishte e sëmurë dhe nuk i çonte mjaftueshem gjak mushkerive, që të mund të shëroheshin dhe mushkëritë nuk i çonin sa duhet oksigjen zemrës që të mund të punonte normalisht. Ky rreth vicioz ngushtohej e ngushtohej ne grykën e jetës tënde.

* * *

- Si thua do ma japesh faqen ta puth ?

- Joooooo

- Pa shikoi pak këto gishtat e vegjel...

Unë i afrohesha dhe shikoja kurioze gishtat e prerë të njërës dorë tënde. Ishin më të shkrurtër se gishtat normalë dhe nuk kishin thonj. Unë i prekja gjithë kuriozitet dhe luaja me to. Ti më perqafoje dhe më puthje pa pushim në faqe.

- Më shumë unë dua ketë të voglin fare - të thosha dhe e mbyllja në grushtin tim të vogël gishtin tënd të vogël.

- Ngaqë ai eshtë vogëlush si ty prandaj e do.

* * *

Unë nuk i mbaj mënd përvjetorët e tua. Nuk e mbaj mënd datën kur ti ike. Di vetëm qe ishte vjeshtë dhe ditët rrethoheshin nga një mjegull e dëndur. Nuk di sa kohë kanë kaluar që atëherë , sepse ti asnjëherë nuk ke ikur nga mua. Jeton aty brënda meje…. Nuk të kam lëne të ikësh..... derën ta kam mbyllur shtrak- shtruk.