Friday, December 2, 2016

Shalli i bardhë


Bën ftohtë…
çdo gjë mbyllur e puthisur,
mbyllur e puthisur…
por ti duket se e gjen udhën
( ose ndoshta nuk ke ikur kurrë)
parvazet mbajnë erë temjan mirrë dhe pishë...
çdo çast që kalon
më duket sikur po transformohem në “ti”
ndersa ti shndrohesh në një shall të bardhë leshi
që unë e mbështjell shumë shtrënguar rreth qafës.

©M.P.

Sunday, November 13, 2016

NGA TA FILLOJ…

nga ta filloj
për të të treguar sa shume kohë ka rrjedhur…
Mban mënd që unë kohën e masja me hënë?
Po të them që nuk mund të kujtoj
fytyrën e saj mashtruese sa herë e ka mbushur
dhe sa herë e ka ngrenë
Jam pjekur, e di?
Limoni që vjet e shkula me rrënjë nga vendlindja
dhe ilegalisht e transportova në valixhen e rrobave
ka çelur lule, së shpejti do lidhë fruta
dhe do piqet edhe ai,
ndërsa unë akoma vazhdoj
të ndjej tingujt e limfës dhe të flas me pemët.
Si të ta tregoj që jam rritur?
Mban mënd që doja të mësoja të ngrija mur?
e ndërtova. Por më pas e mbrojtur pas tij nuk gjeja dot
nëse më shumë tremb dhimbja apo vetmia.
Si të të afrohem? Nga cila udhë?
Për të të thënë që tani kam mësuar
të hap pëllëmbën e dorës
kur ndodhem në udhëkryq
dhe të shkoj në drejtim të gishtit tim tregues.
Nga ta filloj
Për të të treguar që kam ndryshuar?
Po të them që dje pashë një gjarpër
që rrëshkiste në kopshtin mbrapa shtëpisë
u ngurtësova, pa lëvizur pa bërtitur
dhe nuk e vrava.
©M.P.

Sunday, October 9, 2016

E vockël

Sonte, bie shi i ëmbël
Neoni buzë rrugës
është një kokë e madhe dushi
që me dritë më lan lakuriqsinë.
Kam vendosur të bëhem hënë,
për të të kontrolluar baticat dhe zbaticat
me anën time të ndritshme.
Por ti ri-vjen gjithmonë si një valë e ngrohtë
e një liqeni të krijuar mbi krater.
Gradualisht
të bien të gjithë flokët e thinjur, një nga një…
zvogëlohesh… zvogëlohesh… zvogëlohesh
deri në përmasat e embrionit.
Pastaj unë të ri-marr brënda meje
jo në mitër, por në zemrën time
për të të ribërë dhe rilindur
përsëri.

©M.P.

Sunday, July 31, 2016

Zog i ujrave

Zog i ujrave, zog i ujrave
që ecën pranë meje
dhe ngultazi më vështron serbs në sy…
Ti nuk mi çukit dot sytë.
Sytë i përkasin atij korbit atje mat’anë
që pret i qetë, i zi dhe i sigurt
natën të më mbulojë.

Zog i ujrave, zog i ujrave…
Sytë i kam të errët dhe të thellë
nuk do ta kenaqin urinë tënde meskine
urinë tënde të pangopur për sy te ceket
dhe pa shprehje, të cilët ti t’i “vjedh nga duart”
ndaj pret qetësisht ai korb i zi atje tutje
për të marrë çfarë i përket,
sapo dielli të rrez'ohet mbi liqen
dhe valët të ma nanurisin gjumin rëndë.

©M.P.

Monday, May 30, 2016

Për drekën e shtruar në tavolinë.

Caitlyn Siehl

Për drekën e shtuar në tavolinë.
Për burrin që të bëri të besosh
që ti je një vënd që mund të lihesh pasdore.
Ti lëviz si një hajdut në një dyqan bizhuterish
gjithmonë duke pritur për ndonjë alarm,
për ndonjë gabim, dhe unë nuk di se si
të ta them që diamantet janë të tuat tashmë.
Për kupën e kafes me emrin tënd në të.
Për shtresën e joges në dollap
që po i harron duart e tua.
Do doja të isha me ty në një vënd ku ti nuk je treguar njeri i vogël
në një vënd ku ti akoma dashuron poezinë time dhe nuk buzëqesh i nënshtuar
Për shtëpine në grykën tënde
Për noçkat e këmbëve
Për lutjet në dhëmbët e tua
Të dashuroj ashtu si lirinë
Të dashuroj ashtu sikur nuk ka më vënd për asgjë tjetër
Të dashuroj si kolona e drejtë e shpinës
Do dëshiroja që të ngrihesh dhe të më takosh mua atje.”

 Solli ne Shqip : M.P.

Friday, May 27, 2016

Lutje

Caitlyn Siehl
Ja se ku është fundi përpara fillimit
Të heq nga dhëmbët si një fije spinaqi e mbetur
Shkoj të lahem në vaskë kësaj here pa menduar që të mbytem në të.
Motra ime e kalon fundjavën në apartamentin tim
pa më pyetur më parë, edhe pse e sheh mire
që dhëmbët e mi janë më të mprehtë që nga hera e fundit.
Emri yt është vetëm një emër,
Akoma nuk jam tërësisht e thërmuar pasi e mbyll derën.
Them “ faleminderit për gjithçka” dhe shkoj të laj gojën
Ti sheh “ Discovery chanal” në TV
dhe aty paraqitet një luaneshë që lëpin putrën e përgjakur pasi ka vrarë.
Ty të kujtohem unë dhe çuditesh nëse bari ishte vërtet aq i gjatë
sa ti nuk më pe kur po afrohesha.
Unë po transformohem në një diçka të egër dhe të uritur.
Kur puth lëkurën tënde përpiqem vetëm të gjej shijen e eshtrave .
Çfarë do që te ketë mbetur nga ty, shpresoj që të më harrojë.
Perktheu M.P.

Monday, May 9, 2016

E thjeshtë

Eshtë koha e mbarsjes së pemëve…
me barqet e vogla të fryra
degët i mbajnë drejtë përpjetë dhe heshtin të ngrira
dëgjojnë me vëmëndje pëshpërimën e sytheve
që rriten e mufaten brënda tyre.

Eshtë koha e mbarsjes së krimbit të mëndafshit…
pështymë e avullt e rrethon si re
dhe larva që me durim mes afshit lëvrin
krahët pret ti rriten , fluturim të lëshohet
mbi lulet që qetësisht mërmërijnë
brënda në barqet e fryra të pemëve.

Unë mbarsem dhe barku më fryhet
me mall të paralajmëruar në një kohë si kjo
për qënie, sende, dashuri që në jetën time ishin janë dhe do jenë
për boten ku jetoja, jetoj  dhe për atë që vjen
për pranverat e shkuara  dikur
kur edhe unë kam qënë një pemë
dhe per stinen e ardhme 
ku një rrenjë, degë apo një syth do jem.


©M.P.

Monday, March 14, 2016

Kur fill' i dritës

Kur fill' i dritës
pashmangshëm thyhet
aty mbi qerpik...
Sterpik me dritë
rrathët e mendimeve
poshtë syve blu.....
Aty jam unë 
mbi ballë, mbi buzë...
si kokrrizë drite, a tingull,
të futem në shpirt e në mendime.
të ndjej 
tek pëshpërit në gjumë ngadalë
"e vogla ime"

2005

©M.P.

Wednesday, March 9, 2016

“Lulish”

Ca fjalë janë farëza të sapokorrura të mendimit
që i dhurojmë pa kusht e pakthim
si në ditën e “dhënies së falenderimit”
për njerëzit e dashur apo miqtë e ngushtë

Ca fjalë janë djaj e fantazma të huaja
ardhur tek ne në tre pas mesnate
tejkaluar kanë murin që dy botët ndan
në orën kur ai tejdukshëm hollohet.

Ca të tjera, fëmijë të vegjël të pafajshëm
që udhën humbin përkohësisht në shkurret e jetës
 të zënë përdore në shtigje të panjohura tërhiqen
në të përpjetat dhe tatëpjetat.                         

Por ca të tjera janë fenikse të vegjël
aty ku zjarri përplasje-shkatërrimt
gjithçka shkrumboi – kanë lindur
nga hiri  pa jetë lulëzuar…
“lulish”.

Dhe ja si kthehet djerrina mes nesh në lulnajë
kur fenikset e vegjël i mbjellim të dy në hirin e ftohtë
sythet e flatrave na bulëzojnë në sy
dhe ti më thërret përsëri
“lulish”.


©M.P.

Thursday, February 18, 2016

Koma.

A e di se kush je?
A e di çfarë ka ndodhur me ty?
A do që të jetosh në këtë mënyrë?*

Koha është një enë e shpuar
lëng i hidhur rrjedh, si tëmth
pikat e bardha në fustanin e zi të gjyshes
dhe zëri i saj i butë më ndërmënd
“kujdes, kur të rrjepesh një pulë
një pikë tëmth gjithë mishin e shkon dëm”

Pula të rrjepura janë mendimet e mija
të varura të gjitha në rradhë… në çengel
kasapi mban gati satërin në duar
dhe një mace e zezë  poshtë tyre
hyn e del…hyn e del….

është errët, labirinthet janë qafa e përkulur
e një lejleku gri gati për tu prerë… pa gjak
në rrëzë të murit rënkon pëshpërimë e heshtjes
Prit edhe pak… prit edhe pak…

Enë e shpuar është koha pik pik pikon
lëng tëmthi të hidhur …herë fjetur herë zgjuar
herë dritë herë terr … herë gaz dhe herë tmerr
fluturim dhe përplasje … përplasje thërmim
koha është dhimbja e rënies së kokrrizës
në orën e qelqit … pa pushim.

Rrotullohen pulat e rjepura në varg
është errët… asnjë fije drite nuk duket nga larg
as fundin e labirinthit nuk e sheh kund
dhe me ankth pret pyetjet e pas-komës
 kur rënia të mbarojë

A e di se kush je?
A e di se çfarë të ka ndodhur?
A do që të jetosh në këtë mënyrë?

©M.P.


“ Do you know who you are? Do you know what's happened to you? Do you want to live this way?"
from : " Grey's Anatomy"

Monday, February 8, 2016

Verdh' e Zi

Më e vjetër se vetë njerëzimi është dashuria
prandaj fjalët janë lashtësuar, vjetëruar
poetët tkurren, për të kanë frikë të shkruajnë
shtërzojnë të mjerët mbi figura e rima të thinjura
për ti bërë vargjet të papritur, të dëshiruar.

Por unë nuk jam poete dhe kjo një poezi dashurie
sepse patetikisht kam shumë dëshirë të të them që:
“ti je një diell i zi dhe sa here dukesh e zhdukesh
sa herë lind dhe perëndon në elipset e tua të rastësishme
dhe sa herë më përqafon me rrezet e tua të zeza
unë mendoj vetëm atë gropën tënde të errët e thithëse
që formën ndrron në qëndër të qënies time”.

Unë refuzoj të jem poete dhe kjo një poezi
në mënyrë që të mundem të të them pa ndrojtje:
“Kupto që nuk mund të më përqafosh
sido që unë ti shoh në ëndër rreze-krahët
sepse nëse dikur isha lule kamomile
tani jam veç pjalm i verdhë,
dhe ti nuk je bletë por një diell i zi”.

Dua të të them, pa u kujdesur të mahnis askënd
pa matur vargje rima metafora krahësime
sa frikshëm shkon e zeza me të verdhën
në agimet kur ti vendos të shfaqesh
derdhesh përhumbesh shfryn si puhizë e pakënaqur
mbi çdonjërën prej kokrrizave të pjalmit tim
dhe si hutohem unë humbëtirave
në çastin fillestar  të perëndimt tënd të papritur.

©M.P.

Wednesday, February 3, 2016

BURGU I VËRTETË

Ken Saro-Wiwa

Nuk është çatia që pikon
as mushkonjat fishkëllyese
në qelinë e lagësht dhe të mjerë
Nuk është kërcëllimi i çelësit
kur kujdestari brënda të mbyll
Nuk është ushqimi i pakët
i papërshtatshëm për njerëzit a kafshët
dhe as zbrazdësia e dites
që zhytet në të zi të natës
Nuk është
Nuk është
Nuk është

Është gënjeshtra që trumpetohet
në veshë për një brez të tërë
është spiuni i sigurimit me amokun e tij
që ekzekuton vendimet shkatërrimtare të pashpirt
në shkëmbim të një vakti të mjerë ushqimi
gjykatësia që regjistron në regjister
një vendim që ajo e njeh si të pamerituar
morali i vjetëruar
marrëzia mendore
mishi i diktatoreve
frika e maskuar si bindje
që bën strehë në shpirtrat tanë të shpifur
janë pantallonat e shurruara nga frika
që ne nuk guxojmë ti lajmë
Kjo është
Kjo është
Kjo është
Miq te dashur, ajo që shndrron botën tonë të lirë
në një burg të zymtë.

Shqiperoi M.P.

Saturday, January 2, 2016

Rrugë pa krye

R. Tagore

Mendova që udhëtimit tim i kishte ardhur fundi
në kufinjtë e skajshëm të mundësive të mija –  udha para meje ishte pa krye
dhe të gjitha burimet ishin shteruar
kishte ardhur koha të pushoja në heshtjen sterrë

Por pastaj kuptova që vullneti YT nuk njihte fund brënda meje
dhe ndërsa fjalët vjetëroheshin dhe vdisnin sapo dilnin nga gjuha
melodi të reja shpërthenin nga thellësi e zemrës
dhe aty ku duket sikur rrugët e vjetra mbyllen
një vend i ri shfaqet me gjithë mrekullitë e tij

Shqiperoi M.P.