Saturday, February 27, 2010

Leter

L.B.


Ka ditë që më rri pezull mbi kokë,
re e bardhë e varur para meje,
mbushje e gjelbër mëngjesi,
qumësht i ngrohtë me pak sheqer…
Nuk di çfarë je, edhe pse mirë e di që je ti.


Ashtu siç nuk të njihja atëherë
të njoh tani, kaq vonë kaq larg
dhe kuptoj me një shqisë të gjashtë
që edhe ti më kërkon....


Përpiqem të të kap…
të të gjej ketu,
por kjo dëborë e çmendur jashtë dritares
nuk ka pikë lidhje me ditët e ngrohta
kur shtrirë në të njëtin divan
një nga këmbët një nga koka
lexonim poezi...
me zhukatjen e gjinkallës ne sfond...


I vakët ajri
i largët,
i paemër,
spërdridhej spiral si krahë fluturash
që na qëndronin nepër këmbët e zhveshura
dhe ne i përzinim me tinguj kukurisjesh.


Të të gjej apo të të le... ?
Apo të vazhdojmë të rrëshkasim pa u prekur
për të mos humbur vibrimet
dhe vrarë magjine e së kaluarës
në këtë botë që zvogëlohet ditë për ditë?