Tuesday, March 27, 2012

Mesazh

E lagësht kjo natë
gjumin po ma mbyt
përmbi pritë përplasen dallgët.
Vështrimi ngulur në terr infinit
për dhè...atje lart
ku mbarojnë këngët...

vallë a do mbash mënd…?
kur hëna të rinohet
një mesazh ta mbyllësh në shishe
dhe ashtu shkujdesur para se të harrohet
ta flakësh ne rè...?

Wednesday, March 14, 2012

Natyrë e qetë

Një det i vdekur shtruar mbi tryezë,
mbushur me fruta V-ja e patave në shtegëtim,
kristale të shkuara vendosur me sqimë...


përmbi halorë nuk fryn asnjë puhizë,
asnjë qerpik s’lëviz ,…


I trishtë në cep ibriku lot avulli lëshon,
hershëm në shishe vulosur
rri gjaku i një pulbardhe
që vritet , ringjallet e rivritet pambarim…