Friday, August 9, 2019

Ekstazë



( nga cikli “mrekullia e gjërave të thjeshta”)
                                        
Zemra ime, kërkon tënden,
(…dhe kjo aspak në mënyrë figurative.)
Sa herë që ti baret udhëzave të trurit tim
ajo arratiset buzë lumejve
dhe nis një valle të çmendur cigane
nën zhurmen e rrjedhës
dhe një cicërime të marrë.
Vendi i mbetur bosh… dhemb!

Janë gjithmonë dy lumej të kuq
që burojnë nga dielli
dhe rrjedhin në kahe të kundërta
të vetmit që nuk derdhen në det
por shuajnë etjen e tokës së zhuritur.

Është gjithmonë një cicërimë aritmike
që mat kohën e të gjallëve
tinguj herë të brishtë e herë therrës
përplasen mbi dallgët e rrjedhës.

Zemra ime kërkon tënden
( dhe kjo nuk është metaforë)
Do të provojë
vallzimin e çmendur buzë lumejve,
…në çift.

©M.P.

Friday, May 31, 2019

Do ringjallemi




Është natë…
Mendimet janë ushqimi
i qeve që flenë në grazhd…
dhe truri ripërtyp dëshirat e pakryera.
…………………………………………………
Do ringjallemi… ta dish!
Në tjetër kohë në të tjerë trupa
në po këtë botë të egër, të mundimshme, të paditur
si dënim, këtu mes njerëzve
në këtë botë; mbështjellë akoma me egon
që nuk e mposhtëm dot për së pari…
njëri tjetrin verbërisht
do kërkojmë përsëri, këtu
në udhët që nuk mundëm  së bashku t’i shkelnim…
………………………………………………………
Do ringjallemi dhe do rikërkohemi
Ta dish!
deri sa të gjehemi
si dy pikat fundore të një segmenti
që ethshëm dëshiron të bëhet rreth.

©M.P.

Monday, March 25, 2019

Ku ?


Kur me heshtjen mbulon kokën
si me një kuvertë të ngrohtë -
dhe me terrin 
përpiqesh të më tradhëtosh...
Kur kuis si tigër
që e përkëdhelin mbrapsht
egon harkon dhe sytë përshkëndrit…
Kur më kthen shpinën
dhe supet e myset
presin veç një trokitje gishtash…
Kur i mbyll të gjitha dyert
dhe çelësin ma hedh nga dritarja…
Kur qëllimisht mbledh ashkla të lagura
për të ndezur zjarrin
dhe tymi a inati të loton sytë…
Une e di… e di…e di
që të dhemb unë
por më thuaj:
ku?


©M.P.

Wednesday, March 13, 2019

Dorëzimi




Pas kaq kohë heshtje vrastare ai i kishte shkruar dy rreshta email ku i thoshte që e kishte marrë malli shumë për të dhe se e kishte parë në ëndërr sikur e kërkonte udhëve të qytetit të tij të lindjes. I shkruante se donte shumë ta shihte, ta takonte.
“Patjeter-i ishte përgjigjur ajo- por i vetmi vënd ku mund të të takoj është një dhomë hoteli që ti e di. Dhoma duhet të jetë e paguar nga ty”
Ai e kishte marrë si një shaka të hidhur dhe të qëllimtë, sepse ata të dy prej kohësh nuk bënin më seks bashkë. Në fillim i kishte ikur atij dëshira dhe më pas, ftohtësia e tij kishte vrarë përfundimisht pasionin e saj të pazakontë. Por për t'i qëndruar sfidës, ai pranoi dhe i tha që kishte zënë një dhomë tek “Lëndinat” – kështu e kishin pagëzuar hotelin ku kishin pas shkuar zakonisht dhe ia njihnin shumicën e dhomave.
E kishte pritur tek parkimi para hotelit dhe ajo si gjithmonë e përpiktë kishte ardhur. Të dy kishin qeshur dhe ishin përqafuar me mall, pastaj ishin ngjitur deri në dhomën që ai kishte prenotuar. Sapo kishte mbyllur derën me kyç ai kishte qëndruar në mes të dhomës me krahë të hapur duke pritur që ajo ta përqafonte. “ ne kemi ardhur vetëm për të folur dhe për tu parë” ia kishte kthyer ajo me fytyrën në të cilën nuk kishte më asnjë gjurmë buzëqeshje dhe që ashtu e ngrysur dhe e vrarë i dukej e shëmtuar. “ E di, e di… kishte këmbëngulur ai, po hajde këtu njëherë “ dhe e kishte përfshirë në krahë dhe e kishte ngritur peshë ndërsa ajo përpiqej të kundërshtonte dhe çlirohej. Pastaj e përplasi në krevat dhe për çudinë e të dyve provuan një seks-luftë që nuk e kishin provuar asnjëherë më parë. Përzjerë në akt të gjitha hidhërimet dhe vuajtjet që i kishin shkatuar njëri tjetrit, si një çlirim i trupit dhe i shpirtit nga e keqja, si një fitim lirie, falje, përmbyllje. Ajo gjithmonë rënkonte me zë të lartë dhe pas çdo orgazme të saj rilindte një dëshirë e re për të.
Pastaj u shtrinë të dy të mbledhur në pozicion fetusi, ajo me shpinën në barkun e tij, këmbët të thurura me të njëri tjetrit dhe pushuan për disa minuta. Papritur ajo u ngrit sikur t’i ishte kujtuar diçka. Mori mbathjet e saj rozë të çelur me tyl të tejdukshem dhe i afroi pranë fytyrës së tij.
“Cfarë do të bësh?”
“ Hiç.”
Vështimi prej djallushe e përgënjeshtronte hiç-in e saj. “Rri urtë” Ajo u përpoq që tia vinte në kokë të mbathurat e saj në mënyrë të tillë që rrethi i tyre t’i rrethonte kokën dhe pjesa tjetër ti qëndronte mbi kokë si kapele. “Rri urtë” e shtyu ai. Filloi një luftim i vogël të cilin ajo e humbi, bëri sikur u mund dhe qëndroi urtë. Pas pak minutash e provoi prap dhe kësaj here beteja u shoqërua me të qeshura të mbytura,  por ajo humbi përsëri. “ Më leeerrr, kam shumë qef, dua të të shoh si dukesh… të luuuteeeeemmmm” dhe të qeshurat vazhdonin.
“Rri rehat tani, nuk është e mundur kjo që thua… Nuk të le …”
”Po të lutem, të lutem, të lutem…” Ai qëndroi fort në të tijën. Ajo nuk hiqte dorë. Si një mace dinake qëndronte, bënte për disa momente sikur e kishte harruar dhe pastaj provnte përsëri. “Ok, mirë, hajde se po të le… kalama”. Ajo ia vuri me të kukurisura të forta mbathjet e saj në kokë dhe filloi të mbante barkun me dorë nga e qeshura. “ Hë u kënaqe tani?” e pyeti ai dhe u grit me gjithë “kurorë” në kokë dhe shkoi të bënte dush në banjo. Kur doli nga dushi, i mbështjellë me peshqir dhe me mbathjet e saj në dorë, vuri re që dhoma ishte e zbrazët. Ajo nuk ishte më aty. Nga dritarja erdhi zhurma e një motorri makine që u ndez.


marrë nga vëllimi "Marrëzi e Viteve të Thyer"


©M.P.