Monday, September 24, 2012

Këngë për Osiris-in



Ti përsëri po perëndon Osiris…
dallga e mungesës që të merr ty
më mbush përbuzë me boshësi
"Në qiell ka shumë diej të zinj" - më the
"Aty strehohen kujtimet e përzëna,
ato që i rrinë njerëzve ngushtë dhe i bezdisin
në rrëzë të kofshës a në sqetull"

Të lodhura janë rrënjët e mia
dhe rrisin flokë të mekur, delikatë
Do ti pres flokët Osiris
të thur urën e ikjes tënde me to.


Bregu ku ti nisesh është i shkumbtë,
pul
ëbardhat me sqep të zi e të fortë
i klithin valës që do të shpjerë
atje ku ti ndjehesh i plotësuar
tek (nën)tokat dhe gratë e tua
 janë të gjitha të ndryshme nga mua...
Nga mua me mure e dyer
por  kaq lehtësisht të hapshme
me
çelesin tënd  të pasionit.

U lodha duke ecur mbrapsht në kohë
labirintheve të së shkuarës, Osiris,
u përgjaka në udhëtimin për tek ty
me gjak të përflakur njerëzor,
 i ndryshëm nga gjaku yt i gjelbër
 rrjedh nga venat e qafës
në fytyrën tënde jeshile…

Buzët e mia u mprehen
nga një etje puthëse e pashuar
duke kërkuar damarët e tu të fryrë.
Duart ranë këputur si degëza dredhëze
të pa vaditura nga prekja…

Udhë të mbarë Osiris, ty dhe puthjes tënde…
Të vetmen që nuk munda ta marr me vete
në udhëtimin tim  drejt një dielli të zi.