Wednesday, December 18, 2013

Moment


-->
Me buzë të mavijta
mosdashja kafshon…
ventuzë në muzg.
e qetë…
bosh...
e thithur...
deri sa xixa mes rrënjeve të bëra shuk
momentin e shkëlqen
Nga larg shkëndijat vorbullohen
përvoje turme në muzg
flakën e ushqen
e flaka i ngroh butë,
në ngërç gishtrinjtë
gërshetuar një nga një...
Lëmshi nga larg zë e afrohet
herë duket
herë zhduket
nën të ndriturat lëpirëset gjuhë…
shkëlqen i lagur...
shuhet…
ngadalë...
« njeriu vitruvian »
bri meje…
shtrirë rri,
në pozicion horizontal.

Tuesday, December 17, 2013

Hënë e plotë




Një hënë e plotë më shoqëroi
sonte… ndërsa udhëtoja 
nëpër një qiell të qymyrtë.
Fytyrën tënde e pashë pasqyruar në të.
Të njëjtët sy, e njëjta gojë
e njëjta fytyrë rrumbullake
( gjyslykët në xhepin e majtë të xhaketës)…

Ishin aty të gjitha…
dhe unë i ulërita si një ujk.

Monday, December 16, 2013

Dita e dytë

Ujrat u mblodhën… të errta, të llurbëta, pa formë
dhe toka nuk doli asfare në breg...
dy peshq të vegjël, notonin të vetmuar
të verbër... nuk shiheshin.
Rrathët e jetës prej bulzave të ajrit,
në një spirale të trishtuar
njëri tjetrin ndiqnin pa u takuar kurrë..
Një shpirt pa kërthizë i harruar lundronte përmbi re
një shpirt i ardhur nga një tjetër botë
ku përrallën e “kësulëkuqes” nuk ia kishin treguar…
 
“Dëgjoni- bubulloi pa pritur një zë- kështu
të habitura do të jenë ditët tuaja…
vetmia do jetë i vetmi diell
dhe për hënë, mashtrimi i vetmi ndriçim në qiell….”
 
“Dëgjoni- ushtoi prap zëri bubullimë-
i abortuar nga një mitër e rreme është ky planet
asgjë dhe asnjë nuk do shpëtojë
nga lak i pendimit shënuar në shpinë...
 
…dhe heshtja përmbi ujrat e zgjati një kujë
që si buzëqeshje i tingëlloi shpirtit të huaj….


©M.P.

Monday, December 2, 2013

Dita e parë

Pa formë ishte toka...
e heshtur dhe e fshehtë si një tradhëti
mashtrimi i ëmbël mbulonte ujrat dhe errësirën.
Asnjë pikë erë dashurie nuk frynte  përmbi dhè...
Zoti, i zbrazur endej mbi të
pa ditur çtë bënte me krijesën e vet...
Pastaj erdhe Ti ...
dhe e vrave Zotin për një shenjt!

©M.P.

Sunday, December 1, 2013

Pa busull



Përse më ngjan e  gjitha kjo si dejavu?!

Pëshpërima ime është gjuhë mëngjesesh…
të lagur janë si pjellë nga mitra të sapodalë
apo si puthje peng në cep të buzës ngecur.

Ti më përgjigjesh me gjuhën e fshehtë
shkruar sanskritist në gurët e varreve
që betime të rremë ndryjnë në bark.

Por mos harro, ti ke një kremastar që pret
të varësh fajin tënd në të
dhe përsëri të nisesh e të më kërkosh
pa busull!

Profeci.



Të thashë: “këtë mëngjës para së gjeli të këndojë
ti tre herë do më mohosh”…*
Si këmbanë bosh është truri im
dhe nuk kuptoj përse nuk bie…
Nga larg vjen troku i një muzgu
ngarkuar me baltë hi e thëngjinj..
Kujtimet palë palë ti kam vendosur
në sirtarin e poshtëm të çorapeve
që merr çdo mëngjes kur nisesh për në punë.
Unë të pres dhe të kujtoj çdo herë
që ky është mëngjësi pas këngës së këndesit
dhe ti më thua “do e shkruash….”

*Luke 22:31 ESV

“Before the rooster crows today, you will deny me three times.”

Perpara se gjeli te kendoje sot, ti do me kesh mohuar tre here.”