Saturday, March 19, 2011

Tërbimi i panterës

kokën uli të pijë ujë
dhe bregun e lumit e kafshoi
pikë pikë i rrodhi mbi buzë
gjaku i tij i tejdukshem vrragë
në udhën ku ajo më pas kaloi...


hënën që çuditur e shikonte
me thonj e çorri e gërvishti...
dhe lulet që humnerave i mbine
vrullshëm ia shtypi, ia prish
ajo nga dhimbja mbytur angulliu
si qente ne nje nate heneplote.

pastaj pjellë e natës dhe e erës
në gji të së ëmës u mbështoll…
dritë e hidhur nga sytë i rrodhi
mbi të bukurën, lëkurën e çarë,
ndërsa me gjuhën e lagur
plagën e saj lëpiu
madhështore si heshtja
ngadalë…
ngadalë…

Saturday, March 5, 2011

Me erën

Mos i ndiz qirinjtë dhe petëla mbi shtrat mos hidh…
shaluar në ulërimë të erës do vijë ajo
e ngjitur pas teje në shtratin tënd do rrëshqasë …

-Eja të bëjmë sex – do i pëshpëritësh.
-Pse për këtë kam ardhur?- do të thotë rënkuar….
- Po për çfarë m’u fute në shtrat?-
- Për të ëndërruar-

Shpinën të kthen…
pas teje ngjishet fort …
kujtohet pastaj që ti je vdektar
dhe lëkurën të fal ashtu e pagojë
qirinjve të fikur iu fryn .. .
petëlat të gjitha i gëlltit…
vë kokën në gropëz të jastëkut
që ëndrrën të vazhdojë…
fërshëllimë e erës lëpin kornizën e dritares