Friday, February 29, 2008

Interviste dhene ekskluzivisht Akullnajes ;)

Përkthimi dhe përshtatja e pyetjeve: akvll-naja, dora vetë. Bofshi qejf!

  1. Cingarosesh ? – As cingarosem... as cingarisem..
  2. Ke puthur njeri dy javët e fundit ? – gjithato njerez...
  3. Kush qe personi i fundit që të erdh për vizitë? – shume persona bashke per vit te ri.
  4. Të ka marrë malli për njeri? – per shume njerez
  5. Me kë do të luftosh? – me ate qe "luftoj" gjithmone
  6. Të pëlqen njeri? – per fatin tim te keq... po
  7. Kënga që po dëgjon? – po degjoj nje la la laa laaaa ne qoshin tjeter te zyres, por eshte shume i ulet zeri dhe nuk e shquaj dot.
  8. Ç’do bësh nesër? – te njejtat gjera te perditeshme
  9. Ke parë tofu? – as kam pare dhe as kam ne plan te shoh
  10. Ke ngrënë ndonjëherë? – saqe nuk e kam pare si do e kem ngrene? Nuk ha asnjehere me sy mbyllur...
  11. Do të kthehesh në shkollë të mesme? – mezi pres qe te kthehem
  12. E ke parë filmin e Britnit? – ehe e kam pare. TV ndezur, une hyr e dil neper shtepi, ndalova nja dy here para ekranit dhe... "moj, Britni eshte kjo apo me bejne syte mua? " mos me pyet per cfare ben fjale se nuk e di.
  13. Ç’bëre dje?- te njejtat gjera te perditeshme
  14. Me kë vozite herën e fundit ? -Une vozis ne vasken e shtepise time
  15. Je e lodhur?- si pas gjashte ore ndejtje ne karrike dhe berje blah blah me shoqet e zyres
  16. Me kë ishe sot? – me ate qe rri perdite.
  17. Ku e ke mëmën? – Sa pyetje e pashpirt.... po ata qe nuk e kane? Po une e kam e kam... e kam larg...me ka marre malli shume.
  18. Ç’ngjyrë i ke çorapet? – te bardha i kam kesaj rradhe, nen cizme kafe dhe kembet nen corape i kam te ftohte, bie bore.
  19. Ç’ngjyrë e ke bluzën? – Lejla nga siper roze nga poshte.
  20. Cili është vëndi më i bukur ku ke qenë? – i perrallave.
  21. A mendon se Barbi është një model negativ për vajzat e vogla? – jo... kam pasur rastin ca here ti vesh dhe ti bej floket gershet dhe nuk jam semurur asnjehere.
  22. Sa kohë të duhet për t’u bërë gati për të dalë? – 20-30 min vrap marrje fryme dhe stres.
  23. Ka anije familja jote? – Kam kam... nje gondole Veneciane...men je varketar dhe me muzike po ta kurdisesh... e mbaj mbi tavoline.
  24. E ke puthur ndonjëherë macen tënde?- une jo, por ajo me ka puthur kushedi sa here
  25. Ku ishe më 11.09? – tek e njejta karrike qe jam tani
  26. Përshkruaj kompjuterin ku je duke punuar. - Komp i zyres. Dell. Model i ri. Nuk marr shume vesh nga komp se jashtemi, biles jam perpjekur qe ti urrej, por nuk ia kam dale dot.
  27. Ke dalë ndonjëherë nga USA? – kam hyre e kam dale.
  28. SMS-i fundit që more? – "kam ndrruar nr e cel. Nr i ri eshte........."
  29. Të ka rënë ndonjëherë në kokë për ndonjë mësues? – ne koke jo, ne endrra po, me shume se njehere.
  30. A thua ndonjë dëshirë në 11:11? – cfare 11:11? e dites apo e nates? Po te jete e nates, edhe ndodh qe them.
  31. Lente apo syze? – sycka
  32. Pushimet e ardhshme? – nuk i them se do thoni qe po shes mend :P
  33. I bie ndonjë vegle? -Fyellit
  34. Ke ndonjë vëth gjëkundi? – po te them qe kam, duhet te them dhe vendin? Jo jo, ne fakt nuk kam.
  35. Personi i fundit që përqafove? – nje te panjohur, kliente qe i bera nje sherbim dhe i kurseva nja $1000 me perqafoi dy here rradhzi dhe sa nuk me mori frymen.
  36. Ç’bëre 24 orët e fundit? – vajtje arrdhje, arrdhje vajtje.
  37. Kush të ka nevrikosur sot? – ai qe me nevrikos perdite.
  38. A shkarkon muzikë? – e shkarkoj dhe ngarkoj.
  39. Ka kënduar njeri për ty? – recitimi quhet?
  40. A dashuron njeri? – me pyet nese marr fryme?
  41. Ke kërcyer ndonjëherë si kangur? – shume here. Jua rekomandoj. Eshte kenaqesi e papershkrueshme qe nuk merret me mend pa u provuar.
  42. Ke pasur ndonjë antfarm? – jo. Po te kisha pasur do e dija cfare ishte. Saqe nuk e di cfare eshte....
  43. Të duket se të duan njerëzia? – Per nje gje jam e sigurt, qe asnje nga ata qe dua nuk me urren.
  44. Ku është vendi më i çuditshëm ku ke fjetur? – permbi fijet e kashtes.

Wednesday, February 20, 2008

Vetem te te shikoja ne drite...

Rrotullohem ne shtratin e ashper te mendimve. S'kam gjume. Me ka fluturuar. Mori flatrat e nje korbi dhe iku. Per tek ty? S'e di. Ndoshta endet drite hijeve te tua, ndoshta endet perpjekjeve te mija per te te pare ne drite.
Vetem te te shikoja ne drite doja...
Nuk e dija qe krahet e deshires mund te sterzgjateshin dhe sterholloheshin aq ethshem dhe te arrinin atje ne skajin tjeter deri tek ty.Nuk di se si arrija here here te te mbertheja me gishtat e lodhur dhe te te nxirrja ne drite. Te mbaja atje shtrenguar,.... te shikoja,.. Ishte bukur. Aspak perfekte. Pa emer... vec ndjesi turbulluese, dhimbese, kerkuese,.... kerkuese,...kerkuese, tejzgjatese,...pakzgjatese. E cuditeshme.... e cuditeshme... e cuditeshme, aspak perfekte!
Por krahet lodheshin nga sterzgjatja dhe sterhollimi dhe ti i shpetoje gishtave te endrres dhe prap me fshiheshe ne hije. Dhe krahet vareshin pajete deri ne momentin tjeter kur ti prap vezulloje diku aty ne dritehijet e tua. Atehere fillonte sterzgjatja e sterhollimi i ethshem. Gishtat kerkonin midis dritehijeve te tua perseri, te te kapnin dhe nxirrnin ne drite dhe une te shikoja. Pamje aspak perfekte por E VERTETE!
E pse doja te te shikoja valle? Perse te doja ne drite? A ka ndonje lidhje instiktive midis ethes njerezore per te kerkuar te verteten dhe mazokizmit shpirteror? Pse nuk na gjen shpirti rehat me genjeshtrat e kendeshme por duam patjeter te dime te verteten edhe pse ajo pothuajse gjithmone vret? Genjeshtra eshte hije lozonjare dhe e verteta drite e eger.
Por krahet nuk kane tru.... Ato kane vetem deshire instiktive zgjatje dhe gishtat kane vetem deshire instiktive mberthimi dhe terheqje drejt drites ku syte plotesojne deshiren instiktive te te kundruarit.
Sa here jam tejzgjatur nuk e di...Sa shume jam lodhur nuk e di dhe nuk di saktesisht nese kam vdekur akoma apo jo.
Vetem te te shikoja ne drite doja!

Tuesday, February 12, 2008

Dashuria me veladon te kuq.

E gjitha filloi pikërisht atëherë kur mediat dhanë sinjalin e parë që shën Valentini po afrohej. Ndërsa reklamat komerciale oshëtinin nëpër qytet, ajo filloi të kishte ca halucinacionë të çuditëshme, të pa provuara kurrë më parë. Një fytyrë shënjti e sfumuar si në një negativ filmi filloi ti shfaqej papritur në ambiente të caktuara, kohë e pa kohë dhe ndonjëherë jo vetëm fytyra, por i tërë shën Valentini me gjithë trup i veshur me një veladon të kuq.Veladooonn te kuuuqq?! Po pse të kuq vallë ? Nga e kishte gjetur fantazia e saj këtë veladon të kuq ? Gjithsesi në fillim nuk i kushtoi shumë rëndësi, duke e menduar si lajthitje të mëndjes, që vinë e shkojnë e nuk lenë gjurmë, por pasi i ndodhi nja dy tre herë, kjo gjë filloi ta shqetësonte, sikletoste dhe më e keqja ishte se nuk kishte ndërmënd t’ia thoshte asnjeriu këtë që po i ndodhte, qoftë dhe njerëzve të saj më të afërt.

Atë mëngjes, ajo shkonte si zakonisht në punë e mbështjellë me shall dhe kapuç për t’i shpëtuar erës së ftohtë të shkurtit, ndërsa mbi kokë i qëndronte varur një qiell gri i dendur dhe i mërzitshëm që pikonte trishtim aty këtu. Dhe era e ftohtë që lepinte fytyrat e ngrira e krejt pa shprehje ishte gri dhe e trishtuar. Ia trembi shikimin një reklamë e madhe me dy trëndafila të kuq të spikatur qe i doli në rrugë papritur. Nuk e kishte parë më përpara aty, në atë vënd, në atë rrugë që ajo e bënte përditë. Dhe ja, ndërsa shihte shkarazi reklamën me çiftin e trëndafilave vezullues të spërkatur me pikëza brilante në petale, diku aty pas xhamit të reklamës, iu shfaq e zbehtë një fytyrë e çuditëshme shënjti me kurorën e shënjtërimit mbi krye. Ndaloi hapat dhe ktheu sytë për të vërtetuar që ajo që pa ishte pjesë e reklamës, por jo. Fytyra u zhduk, nuk ishte më. Fërkoi sytë dhe pa përsëri, por jo. Nuk ishte. Përpjekjet për të harruar çfarë i ndodhi u tërhoqën pa sukses, ndërsa trëndafilat e kuq dhe fytyra e shënjtit i ngelën të varura në një cep të trurit. Aty i lëkundeshin nga era e mendimeve që iknin dhe vinin me vrull. Trëndafilat... ato të ëndërruarit që ajo kurrë nuk i kishte pasur. Ato të dëshiruarit me ngulm për vite me rradhë, ndërsa shën Valentinat iknin dhe vinin, ato të gjithmonë munguarit. Dhe jo, nuk ishte ngaqë nuk ishte e dashuruar dhe nuk e njihte këtë ndjenjë. Jo. Ja që ai që ajo kishte dashuruar nuk dhuronte trëndafila. Midis një burri që dhuron trëndafila por që nuk e dashuron dhe midis një tjetri që nuk dhuron trëndafila por që e dashuron ajo kishte bërë zgjedhjen e dytë, mangësia e së cilës i shkaktonte ca të gërvishtura çdo shën Valentin.

Dhe ndërsa festa afrohej, ajo e zënë me punën fëmijët dhe përkujdesjet për familjen kishte filluar ta harronte çfarë i kishte ndodhur me reklamën e trëndafilave dhe kokën e shën Valentinit, deri në atë pasditen kur shoqja e saj erdhi për vizitë në shtëpi dhe duke pirë kafe, i tha që së bashku me te fejuarin e saj, kishin vendosur që ta kalonin natën e shën Valentinit në një lokal, të cilin e kishin pronotuar që më parë. Ajo filloi përsëri të shihte ëndrra dite me sy hapur. Fytyra e shënjtit këtë rradhë iu shfaq në mes të një rrëmuje njerëzish në Romën e Lashtë, në festën e Lupercalia-s . Djem dhe vajza të reja, veshur me tunika dhe sandale të lidhura në nyjet e këmbëve, me flokë të praruara në një mbrëmje shkurti, iu shfaqën mes zhurmës dhe muzikës, këngëve dhe kërcimeve dhe shënjti vetëm fytyra dhe duart e tij, aty në mes... mbante në duar dy enë të mëdhaja me ca letra të shkruara të palosura dhe femrat tërhiqnin letra nga ena me emrat e meshkujve ndërsa meshkujt tërhiqnin letrat me emra, nga ena me emrat e femrave. Shkundi kokën me rrëmbim. « E di prejardhjen e kësaj feste ? –pyeti shoqen, dhe vazhdoi pa pritur ndonjë përgjigje- me sa kam lexuar e ka zanafillën në Romën e lashtë dhe rrënjët i ka në një festë pagane. Djemtë dhe vajzat e reja mbaheshin në atë kohë rreptësisht të izoluar nga njëri tjetri, por njëherë në vit, dhe pikërisht në mes të shkurtit, ata lejoheshin që të festonin bashkë për disa ditë. Mblidheshin në një mbrëmje dhe nga dy enë me emrat e tyre, pra të femrave veç dhe të meshkujve veç, tërhiqnin emrat ; me atë që i binte në pjesë, kalonin ditët e festës duke u argëtuar.... » Shoqja e shiki pak e çuditur, pa ndonjë interesim të veçantë. La filxhanin e kafesë dhe ai ktheu « Jo, kurrë nuk e kam dëgjuar këtë. Po ju, keni planifikuar gjë se ku do e kaloni ? Çfarë do bëni atë natë ? ». « Akoma nuk e kemi planifikuar - iu përgjigj- por do mendojmë ndonjë gjë deri atëherë » . Ajo e dinte mirë. Asgjë nuk kishte për të menduar. Asgjë nuk do ndodhte. Tashmë pas kaq vjet martesë e dinte që shën Valentini nuk trokiste në derën e saj, e kishte harruar me kohë, ose më saktë kurrë nuk e kishte kujtuar ndonjëherë, por kjo nuk donte të thoshte aspak që edhe dashuria e kishte harruar. Ajo dashuronte me tërë qënien e saj burrin e saj, i cili në fund të fundit kishte qënë zgjedhja e saj. Por ai kurrë nuk e kishte çuar për të festuar shën Valentinin diku, edhe pse ai gjithashtu e dashuronte . Dhe ja, këtë vit çudia kishte ndodhur. Asaj i shfaqej Shën Valentini dora vetë, herë me kokë e herë me duar e herë me veladon të kuq. Pikërisht këtë vit, kur përpjekjet dhe ankthet e saj kishin mbaruar, këtë vit kur poshtërimi i të mosqënit njësoj me turmën, ishte gëlltitur thellë brënda shpirtit dhe ajo besonte që tashmë ai ishte duke kaluar në sistemin e jashtëqitjes së shpirtit të saj, pikërisht këtë vit kur ajo nuk kishte menduar as për dhurata as për tu përpjekur për të bërë diçka ndryshe, pikërisht këtë vit zhurmat e bujshme të turmës dhe medias, ia kishin sjellë shënjtin në trurin e saj të lodhur nga lufta kundër rrymës.

Ankthi i rritej e rritej me afrimin e ditës. Nuk mendonte aspak për dhuratat apo lokalet ku mund ta kalonte, por tashmë ishte e shqetësuar për gjëndjen e trurit të saj dhe ajo frika dhe shqetësimi që kishte çdo vit, se si ti fshihej turmës këtë ditë, ishte kthyer në makthin dhe frikën haluçinative. Sigurisht nuk priste dhurata, ishte mësuar me këtë tashmë. Burri i saj i dashur nuk bënte pothuajse asnjëherë dhurata dhe veçanërisht për shën Valentin. Ajo ishte përpjekur tia fuste në mëndje për vite me rradhë, kishte pasur raste që edhe e kishte marrë për krahu dhe e kishte futur në ndonjë dyqan dhe e kishte detyruar që ti blinte ndonjë gjë, jo për kënaqësinë e saj, se sa për faktin që të nesërmen do e pyesnin në punë se si ia kishte kaluar dhe çfarë i kishin dhuruar dhe ndërsa të tjerat tregonin dhuratat e tyre, ajo do ishte e shtrënguar të thoshte genjeshtrën e saj të rradhës. Por koha, ia kishte gdhëndur shpirtin dhe bërë më të fortë, më të pandjeshëm dhe më të mbyllur ndaj turmës. Preokupacioni këtë vit, ishte vetja e saj, mëndja e saj e lodhur nga rrathët e shtrëngesave.

Atë mëngjes të ftohtë shkurti, dashuria u derdh nëpër rrugë si çdo vit tjetër. Fytyra të mbërdhifura nga syte e te cilave shpirti rridhte materialisht, dilnin nga çdo cep i rrugës dhe mbushnin rrugët që në mëngjes herët, ndërsa ajo shkonte në punë si çdo ditë tjetër me një ankth më shumë në shpirt këtë vit, me ankthin e haluçinacioneve.

I lanë të iknin dy orë më shpejt nga puna atë ditë dhe ndërsa kthehej në shtëpi shikonte lokalet plot me çifte, femrat me fytyrat teje të kënaqura dhe meshkujt duke pritur shpërblimin për çfarë kishin dhuruar. Turma e hallakatur endej rrugëve. Sa shumë dashuri që mbajnë njerëzit brënda tyre, por sa keq që e shfaqin vetëm në një ditë të vitit dhe e tkurrin pastaj në skaje të shpirtit për një vit të tërë. Dashuria varej në cepat e reklamave atë ditë... ishte ulur në tavolinat e lokaleve.... në sirtaret e parave të shitësave nën banak. Dashuria flinte shtretërve të moteleve atë ditë, që i kishin rritur çmimet për orë dhe trokisnin në dyer sapo shkonte ora që duhet të dilje. Dashuria ishte këputur atë ditë ashtu si mijra gonxhe trëndafilash , ishte mbështjelle me një letër dhe kishte udhëtuar dorë më dorë dhe derë më derë. Dashuria ishte ngjitur jo në fytyrat, por në duart e njerëzve atë ditë, në duart e njerëzve që mbanin dicka, patjetër dicka, atë simbolin famëmadh të dashurisë. Dashuria, kjo gje kaq e rrallë, kaq e brishtë, kaq e fuqishme dhe qiellore ishte vëne në garë ate ditë…kush të mund ta shpallte dhe tregonte më shumë në fytyra, veshje, e gjithçka. Nuk kishte shumë rëndësi nëse ekzistonte apo jo në shpirt, vetëm shpalle, tregoje, vish maskën e saj. Ata që nuk e tregonin dukeshin të mjerë para turmës dhe cila ego vallë do ishte aq e pathyeshme sa të përballonte vështrimet keqardhëse dhe pse jo ndoshta edhe përbuzëse të turmës?

Ajo nuk kishte asgjë në duar dhe nuk priste të merrte asgjë . Dhuratën e fundit e kishte bërë për shën Valentinin e kaluar, një pako me çokollata që ia kishte lenë burrit që flinte tek komodina e anës së tij me një shënim të dashur përsipër, por që ai nuk e kishte parë fare kur ishte zgjuar. Nuk i kishte thënë asgjë edhe pasi ishin kthyer të dy nga puna dhe as ajo nuk ia kishte përmëndur, duke u përpjekur të qetësonte pjesën e vrarë të shpirtit të saj. Kishin kaluar ditë dhe asnjë fjalë për pakon me çokollata që vazhdonte të qëndronte tek koka e komodinës e heshtur, deri kur një ditë fëmijët kishin kërkuar çokollata duke e marrë pakon në dorë dhe duke e sjelle në dhomën ku ata rrinin.

Pasi rrotulloi çelsin dhe hyri në shtëpi, u gjend e rrethuar nga dy palë krahe të hollë të ngrohtë fëminorë që e pushtuan, dy engjëjt e saj të vegjël që ajo i mbuloi me të puthura, ndërsa ato e mbulonin me cicërrimat e tyre. Shkoi në dhomë dhe u ul për tu shlodhur pak dhe ndërsa ato vazhdonin ti cicërinin në vesh, me më melodiozin dhe më të dashurin zë në botë, asaj papritur i erdhën prap ato haluçinacionet e tmerrshme. Kësaj rradhe shënjti iu shfaq në një kishë të vogël ndërsa bekonte martesën e një çifti. Errësira e kishës ndriçohej vetëm nga drita qirinjsh dhe ajo ndjeu erën e ëmbël të temjanit. Prifti me veladonin e kuq, bekonte fshehurazi martesën. « .... në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, unë iu shpall burrë e grua ». Të rinjtë me veshje romake dhe kurora me lule portokallesh në kokë, putheshin të heshtur... Shhhttt pa zhurmë, aty më pas, aty më tutje, aty në rrugë, ushtarët e Klaudiusit përgjonin martesat. Perandori Romak kishte shpallur të paligjshme të gjitha martesat, ngaqë lidhjet familjare, i pengonin meshkujt të shkonin në luftë dhe të vriteshin pa pasur merakun e gruas dhe fëmijëve që mund të linin pas. Pastaj, ashtu e pazonja që të dilte nga thonjtë e haluçinacioneve, ajo pa një hordhi ushtarësh të derdhej në dyert e kishes, po ashtu si turma që derdhej rrugës ditën e shën Valentinit në qytetin e saj. Ajo pa se si e mbërthyen priftin me veladon të kuq mes hekurave, ndërsa çifti i sapo martuar shpëtoi duke dalë nga një dalje e fshehtë.

Cicërima , ajo më e ëmbla e solli kësaj here në realitet : « mami im, sa e buçkur që je dhe sa xhan të kam » dhe mplluq zhurma melodioze e buzëve të njoma në faqe. U shkund, u ngrit dhe vazhdoi jetën e saj të zakonëshme nëpër shtëpi si çdo ditë tjetër. Shyqyr që nuk lëshonin edhe fishekzare atë ditë. Nata pas dritareve të shtëpisë ishte e qetë dhe e heshtur si zakonisht.

Por nuk kishte qënë pikërisht dita e Shën Valentinit ankthi i saj i vërtete. Ajo i shtynte minutat atë ditë, mes turmës së zhurmëshme dhe të zbrazur, mes vanitetit dhe haresë fallco, deri të nersërmen në mëngjes.... atëherë kur bëhej ballafaqimi.. « çfarë bëre ? çfarë të bleu ? çfarë i bleve ? » Kaq herë kishte vendosur që të thoshte të vërtetën : “ Asgjë nuk me bleu dhe asgjë nuk i bleva!....” dhe po aq herë në momentet kur ishte gjëndur para fytyrave dhe duarve që tregonin dhuratat ajo ishte njëhsuar me turmën dhe kishte gënjyer... më shpesh një genjeshtër të improvizuar në çast, të shoqëruar nga ngjyra e purpurt e faqeve që përpiqej ti mbulonte nën flokët e gjatë të cilat i lëshonte fytyrës. Mëndja i punonte me ankth të nesërmen e asaj dite : « Ah, kur do mbarojë edhe kjo ditë, të shpëtoj... » dhe fytyra e Shënjtit iu shfaq përsëri, kësaj here në burg, i munduar dhe rraskapitur, me veladonin e çjerrë, dhe e bija e gardianit të burgut që vinte dhe i sillte letra mirënjohje, ushqim dhe lule, nga të gjithë ata që ai i kishte martuar ilegalisht. Koleget e saj filluan ritualin e zakonshëm të ditës së pas shën Valentinit, me pyetjet e tyre dhe tregimet e lumtura, se sa shumë dashuri kishin dhënë dhe marrë ato, sa shumë kishin shitur dhe blerë, sa e shtrenjtë kishte qënë dashuria e tyre, sa e artë, argjëndë, diamantë apo e perl-të kishte qënë dhe sa shumë vlera materiale kishin merituar në shkëmbim të asaj çfarë ato kishin falur. Ajo aty në qëndër të zhurmës së fjalëve, nuk shihte dhe dëgjonte gjë tjetër veç shënjtit me veladonin e kuq, me kokën e prere në duar që bënte disa hapa dhe rrëzohej... pastaj e pa ashtu të shtrirë në arkivol dhe papritur, iu kujtuan ritet mortore të krahinës së saj, ku gratë i qanin të vdekurit me fjalë dhe me oi dhe i erdhi të ligjëronte aty, në mes të turmës së grave që flisnin e flisnin pa pushim, e që mos bënte këtë, u ngrit e shkoi në banjo dhe i hodhi një grusht ujë fytyrës.

Sunday, February 10, 2008

Deja-vu

Mos valle bashkë kemi qënë
në luginën e thellë të heshtjes?
Ulërimat e heshtura dridhnin ajrin në të...
Gjysëm diell e gjysëm hënë ishte atje...
Ti pritat e frikës i ngrije
në labirinthet e ëndrrave të mia...
Makthet kapërceja e kapërceja
veshur me gjysmën e diellit qe ndriste...
Ti fshiheshe e fshiheshe
në të errtën gjysëm të hënës...
Përtueshëm veten e ruaje
nga fundi tragjik i ëndrrës.

Trazirë

E zezë ndrit reja, qiellin nxin,
rrëshket nxitimthi mbi pyll të virgjër,
diell nuk ka, fletëzat janë mbledhur,
zbuluar ka mbetur gjoks' i shkëmbit...
Degët e thyera, bari i shkelur
njomësia nga këmbët...e fëlliqur...
oh, ç'shkatërrim, ç'shëmti, ç'tmerr...
Mbyll sytë,
anash rrëshket ngadalë pa parë,
por ja aty...mbi gropë të shqyer...
loti i shelgut pikon ngadalë...

Mëkati i ëngjëllit

E lagur nata
ne "Duomo Cathedral"...
pëllumbat nën këmbët e statujës
flene.
Në qetësinë e errët,
dritash shpuar,
përbuzur,
harruar,
refuzuar,
një shpirt i muduar rrotull vjen.
I duken brinjët fijeholla
dhe gjithçka tjetër ka nën to,
me dritë të mekur i shkëlqen.
.................................................................
shpresa që s'vdes, ëndrra e vrare...
................................................................
Lotët e natës pi ngadalë...
pendë pëllumbash mbledh nëpër shesh
flatrat me to do të arnojë
që prap të mund
të fluturojë.

Friday, February 8, 2008

BURRI QE NUK KISHTE SY

Tregim nga MacKinlay Kantor


Nje lypes ishte duke ardhur qe nga rruga, ne kohen qe z. Parsons sapo doli nga hoteli. Ishte nje lypes qorr qe mbante ne dore ate shkopin e tejperdorur te te verberve me te cilin trokiste me kujdes rrugen nga do kalonte, ne nje perpjekje te fshehte per te kompensuar verberine e tij. Ai ishte nje djalosh kokelesh e qafetrashe: palltoja e tij ishte e yndyrshme ne pjeset e perparme dhe xhepat, ndersa dora i qendronte e hapur mbi koken e shkopit ne nje lloj lidhje te paefekteshme.Mbi sup mbante nje traste te zeze ne te cilen me sa duket kishte dicka qe ai e shiste..... Ajri kishte aromen e pranveresdhe rrezet verdhacuke te diellit ngrohnin asfaltin... Z. Parsons sic qendronte ashtu perballe hotelit, duke ndjere klik- klak-un e te verberit qe afrohej, ndjeu papritur nje keqardhje prej budallai per te gjitha krijesat e verbera..... Mendoi kenaqesine qe i sillte fakti qe ishte gjalle. Ca vite me pare ai kishte qene dicka me shume se nje punetor i thjeshte; tani ai ishte i suksesshem, i respektuar, i admiruar….. agjent sigurimesh… dhe i kishte arritur te gjitha keto i vetem, pa mjete, duke luftuar pertej pamundesive te tij…. Gjithesesi ai ishte akoma i ri. Ajri i kalter i pranveres qe i sillte ndermend eren e fushave dhe shkurreve te egra e mbushi ate me nje ndjesi te kendeshme..... Ai beri nje hap mbrapa, nderkohe qe i verberi i kaloi prane me tak –tukun e shkopit te tij. Kokeleshi u kthye menjehere..... “Degjoni, boss. Me kushtoni vetem nje minute nga koha juaj..... “ Eshte vone. Kam nje takim. Do qe te te jap ndonje gje ? »- foli z Parsons.... « Une nuk jam lypes, boss. Te betohem per kete. Kam dicka te vogel te nevojshme » - ai kerkoi verbtazi derisa vuri ne doren e z Parson nje objekt te vogel.- « Kete une e shes. Nje dollar. Cakmaku me i mire qe mund te gjesh.".... Z. Parson qendroi aty, paksa i bezdisur dhe i sikletosur. Ai dukej teper i pashem me kostumin e tij shik, ngjyre gri , me kapelen gri si dhe shkopin e tij prej bambuje. Sigurisht qe i verberi nuk mund t'i shihte te gjitha keto..... “ Por une nuk pi cigare- tha ai”.... « Degjo, une ve me bast qe ti njeh gjithe ata njerez qe pijne cigare. Nje dhurate e vogel e kendeshme. », u perpoq t'ia mbushte mendjen burri. « Dhe per me teper zoteri, ti nuk do e kishe problem te ndihmoje nje te varfer apo jo? » Ai e kapi z Parsons nga menga..... Z Parsons psheretiu dhe e vendosi ne xhepin e jelekut. Nxorri dy gjysma dollari dhe ia futi ne dore burrit. « Sigurisht qe une do te te ndihmoj ty. Ashtu sic the, mund t'ia jap ndonjeriu. Ndoshta djalit qe qendron tek ashensori »- Ai hezitoi per nje moment duke mos dashur te behet kurioz i merzitshem qofte edhe me nje te verber. » E ke humbur shikimin komplet ? » - e pyeti pastaj..... Kokeleshi futi ne portofol dy gjysmat e dollarit. « Katermbedhjete vjet boss. » Pastaj shtoi me nje lloj krenarie cmendake. « Westbury, zoteri, une jam nje nga ata ».... « Westbury, » perseriti z. Parson. « Ah, po. Shperthimi kimik… Gazetat nuk e kane permendur ate prej vitesh, por ne kohen qe ndodhi, ajo ishte nje nga katasrofat me te medha.”.... “ Ata te gjithe e lane ne harrese “ Djaloshi, terhoqi kembet me pertese. “ Une nje gje mund te them boss: kush ka qene atje, nuk mund ta harroje ate kurre. Gjeja e fundit qe pashe, ishte reparti C qe shembej perdhe nen nje pluhur te madh dhe ate gazin e mallkuar qe derdhej brenda nga te gjitha dritaret e shperthyera..... Z Parsons u kollit. Por shitesi ambulant i verber, ishte tashme ne trenin e fantazise se tij qe e conte mbrapsht ne te kaluaren dramatike. Dhe gjithashtu, ai po mendonte qe mund te kishte me teper se gjysma dollaresh ne portofolin e z Parsons..... “ Vetem mendo per nje cast boss. Ishin njeqind e tete njerez te vdekur dhe dyqind te plagosur dhe mbi pesedhjete nga ata humben shikimin. Te verber dhe te shkalluar”- Ai kerkoi verberisht dhe preku pallton e z. Parson me dore. « Po ju them zoteri qe lufta nuk ka asgje me te tmerrshme se ajo. Nese do i kisha humbur syte ne lufte, patjeter qe do kujdeseshin per mua. Por une isha vetem nje punetor i thjeshte qe punonte per ata. Dhe ja c’me ndodhi. Ti ke shume te drejte. Ja c’me ndodhi, ndersa ata kapitalistet mbushnin xhepat. Ata ishin te siguruar, mos u shqetesoni per ta. Ata-…”.... “Te siguruar,” perseriti ai qe po e degjonte. » Po, kjo eshte ajo qe une shes »-.... « Ti deshiron te dish si i humba une syte ? » - bertiti burri. « Ja ta tregoj une ! » Fjalet zbrazeshin duke mbajtur me vete nje drame te hidhur te studiuar mire dhe te treguar shpesh here per para. « Une isha atje ne repartin C, ne fund te te gjithe njerezve qe suleshin perjashta. Jashte ne ajrin e hapur, gjithsesi ishte me mire, edhe pse godinat shperthenin majtas dhe djathtas. Shume njerez arriten te dalin nga dyert dhe vrapuan jashte. Dhe pikerisht ne momentin kur une isha duke dale, duke u ngjitur aty midis shkalleve te atyre cisternave te medha nje djale mbrapa meje, me kapi nga kemba. ‘Me ler te kaloj une i pari’ me tha. Ndoshta ishte i budallallepsur, nuk e di. Une jam perpjekur ta fal ate brenda shpirtit tim boss. Ai ishte me i madh se mua. Me shtyu mbrapa dhe u ngjit duke shkelur siper meje.Me hodhi ne pluhur dhe iku duke me lene ashtu te shtrire mes gjithe atij gazi helmues qe derdhej mbi mua nga te kater anet dhe mes flakes e gjerave te tjera.... » Ai beri nje gelltitje te studiuar dhe qendroi duke pritur si budalla. Ai mund ti imagjinonte fjalet pasuese : Fat i keq, vella. Tani une dua te.... « Kjo eshte historia boss ».... Fershellima e eres pranverore i kaloi prane e lagesht dhe vibruese..... “ Jo krejtesisht ashtu” Tha z Parsons..... Shitesi ambulant i verber u drodh me nervozizem. “ Jo krejtesisht? Cfare do te thuash, ti?”.... “Historia eshte e vertete.” Tha z Parsons. “ me perjashtim te faktit qe ka ndodhur nga e kunderta ».... « Nga e kunderta ? » Uleriu ai ne menyre te pa sjellshme. » Cfare po thua boss ? ».... « Une kam qene ne repartin C, » tha Z Parsons. “ Ka ndodhur e gjitha nga e kunderta. Ti ishe ai djaloshi qe me hodhe mua ne pluhur dhe u ngjite duke shkelur siper meje. Ti ishe me i madh se mua, Markwardt. ».... Burri i verber qendroi gjate i heshtur duke u gelltitur si nje kale. U gelltit perseri : « Parsons. Per Zotin. Per Zotin ! Une mendoja qe ti... »Dhe pastaj bertiti si nje djall : « Po, ndoshta ka qene ashtu si thua ti, ndoshta ka qene ashtu. Por une jam qorr ! Jam qorr, dhe ti qendron aty duke me lene mua te deklamoj para teje duke qeshur me mua ne cdo minute ! Une jam qorr ! ».... Njerezit ne rruge filluan te kthenin kokat dhe te shikonin ata..... « Ti u hodhe ne pluhur, por une jam qorr ! Me degjon apo jo ? Une jam..... ».... « Te degjoj » tha Z Parsons, « Mos bej kaq shume zhurme per kete Markwardt.... edhe une ashtu jam. »

Perkthyer nga Merita Paparisto