Grua,
krahët e ëndrrave janë
shpikje e Ikaru-sit
dhe faji i tij gjithashtu...
ai një mashkull ishte,
ti mirë e di
dhe prapë i përgjërohesh
në gjunjë…
në telin e hollë ndarës
të dritëhijes
me zë holluar deri në pafuqi
të të japë borxh gabimin
e tij…
Grua,
Ti je toka dhe pjelloria e saj,
por kot e shkon
shenjtërinë e vlagës
që si kurorë të rri...
Ugarëve kur hedh farën asnjëherë
mos harro
se lot i njelmët nuk
është shiu i shpirtit
dhe bimë e hareshme
nuk e shuan dot etjen prej
tij.
Kryqi që zvarris pas shpine,
Grua,
në rrugëtimin tënd
të rëndë,
për dherat e tua të
ngurtësuara
nuk mund të bëhet kurrë
parmendë…
2 comments:
Shume e bukur, më pëlqeu,...sa shumë ka për të shkruar për gruàn!
Alma Burimi
Poezi qe te fut ne mendime me ndjeshmerine e saj.Kamomila, te lexoj sa here qe mundem dhe me pelqen vargu yt.
Post a Comment