Tuesday, September 29, 2015

Serenatë Indiane


PERCY BYSSHE SHELLEY


Unë ngrihem nga ëndërrat e tua
nga i pari gjumë i natës embëlsim
kur erërat frymojnë ngadalë
dhe yjet mbulojnë me shkëlqim
Unë lind nga ëndrat e tua
dhe një ëngjëll në këmbët e mija më rri
a e di se ku do me çojë ai?
në dritaren e dhomës të gjumit tënd, Sa mire!

Ajri i përgjumur kalamendet
në errësirë,… nga curril’ i heshtjes
era  e manjoleve butësisht rrëzohet 
si mendimet ngazëllyese në ëndërr.
Zëri i bilbilave me të qarë
brënda shpirtit të tyre vdes
ashtu siç unë në zemrën tënde të  mbaroj dua
Oh   ja një gjë kaq e çmuar je për mua.

Oh më ngri nga bari të lutem
kur unë të zbehem bie vdes..
dhe lere dashurinë të bjerë si puthje shiu
mbi buzët e mija dhe qepallat e zbehtë.
Faqet janë të ftohta dhe të bardha, i mjeri unë!
zemra më rreth zhurmshëm dhe shpejt
oh fute në krahërorin tënd  zemrën time përsëri
aty ku më e mbrojtur të jetë.


Shqipëroi M.P.

Friday, September 18, 2015

Gjurmë

Hëna është pesëmbedhjetëshe
dhe kurorat e engjëjve të vegjël
vallëzojnë në dhomën time të gjumit.
Une lutem…
që të kthehem mbrapsht në kohë
shumë vite më parë
kur vishja këpucet e tua
që të të ndiqja gjurmët
tani unë jam udha
ndërsa ti gjurma e kepucëve të mija.
……………………………………………..
Kurorat e engjëjve të vegjël marrin arratinë
pa e  dëgjuar lutjen time
hëna ka plot pesëmbëdhjetë ditë që hesht.

©M.P.

Wednesday, September 16, 2015

Tregimet e Lagunes ( 9 )

U bënë ditë pa u parë. Rosat kishin ikur dhe një qetësi e rëndë më mbështjell. Ku të kishin shkuar vallë?
-          A thua të kenë shtegëtuar? – e pyeta
Ajo vetëm mori frymë pa u përgjigjur aspak. E kishte mësuar shumë mirë gjuhën e heshtjes kohët e fundit. Nuk ishin as minjtë e vegjël dhe as breshkat nuk kishin dalë në diell per tu ngrohur. Vetëm Madhëria e Tij po peshkonte por edhe ai sapo më pa hapi krahët e gjatë dhe e ndali fluturimin në degën e tij të preferuar. Herë pas here zgjaste qafën e hollë dhe me shihte nga larg pa dashur të më afrohet.
Në contrast me qetësine shqetësuese te saj, bimësia përreth harlisej me një tërbim të papërmbajtshëm. Lulëzimi ishte në kulmin e tij sikur të ishte mesi i verës dhe jo fillimi i vjeshtës. A e dinë valle keto lule të vockla që gufojnë nga shkëlqimi i vesës që pas pak javësh do vdesin? Një qefin pluhuri i bardhë do i mbulojë dhe do i ngrijë ? Do vdesin, ose do transformohen, siç më pëlqen mua me shumë të them, sepse vërtet që do ekzistojnë në ndonjë formë tjetër pranverën e ardhëshme, por në çfarë do lloj forme që të ekzistojnë këto lule të vockla një gjë është e sigutr: kujtesa e tyre për çfarë panë dhe gëzuan këtë pranverë do ketë vdekur përfundimisht. Dhe vërtet, në fakt asgjë materiale nuk vdes, ato që vdesin janë vetëm kujtimet tona dhe ne më pas transformonemi dhe sigurisht që jetojmë por me një kujtesë të vdekur tashmë, me një kujtesë të vdekur për të shkuarën.
Prandaj është më e udhës t’i lemë gjërat të ikin… ja si rosat që ndoshta shtegëtuan apo si minjte e vegjël që ndoshta kanë ndërtuar shtëpi të reja tashmë dhe t’i fshimë krejtësisht nga kujtesa jonë e lodhur sepse në fund të fundit nuk ia vlen.

“Nuk ia vlen”  - tre fjalë kaq të përshtatëshme për një epitaf të lënë amanet .

Monday, September 7, 2015

Tregimet e Lagunes ( 8 )

Kush ja pakëson vallë ujin? Nuk shoh asnjë rrjedhë që të dalë jashtë pellgut dhe shira kanë rënë nga pak. Pak… por kanë rënë. Mos vallë e pi Madhëria e tij në atë gjysmabarkun e tij petashuq si tek “Gjysmagjeli” dhe pastaj shkon dhe e zbraz në ndonjë vënd tjetër?
Afrohem ngadalë dhe shoh pasqyrimin tim në ujrat e mpakura.
“Pasqyrë moj pasqyrë….”
Me pasqyrat nuk jemi kurrë në paqe. Ndaj tyre ne mbajmë kurdoherë vetëm dy qëndrime të ndryshme. Qëndrimin e Narcistit dhe qëndrimin e Shtrigës në përrallën e Borëbardhës… “Pasqyrë moj pasqyrë… më trego atë që dua të shoh”
Zgjas kokën dhe shihem përsëri në ujrat e gjelbërta.
-          Eja – më thotë ajo.
Nuk flas dhe nuk lëviz.
-          Eja – më thotë përsëri. E di që je kurioze të më shohësh në brëndësi… të shohësh peshqit e kuq, breshkat e vogla që notojnë, bimët që nuk i ke parë kurrë mbi tokë. Pse nuk vjen? Të tremb brëndësia e gjërave? Dëshiron që të shohësh vetëm sipërfaqen e tyre? Eja… shiko sa e hapur që jam, futu dhe shih si duket bota nga brënda meje.
Eshtë frika. Ne e mbajmë veten per qënie superiore  por në fakt jemi të mbushur me frikë. Çdo gjë e panjohur na krijon ankth të cilin e luftojmë dhe mundohemi që ta mposhtim.
Narcisti u mbyt në një “pasqyrë” nga dashuria që kishte për të ….po ashtu dhe liqeni që pasqyrohej në sytë e tij u mbyt bashkë me të. “ …unë shihja veten të pasqyruar në sytë e tij – tha liqeni” Narcisti i dashuruar me liqenin… liqeni i dashuruar me pasyrimin e tij në sytë e Narcistit.
Shtriga e Borëbardhës e they pasqyrën nga cmira dhe inati…nuk mundi të duroje idenë që ekzistonte një tjetër më e mirë se ajo , më e bukur se ajo, më e dashurueshme se ajo.
Pasqyra janë edhe të vërteta e thëna… të vërtetat e thëna në çarçafët e fjalëve…çarçafët e fjalëve pa mbarim të  nderura në telin e hollë ndarës midis asaj që jemi dhe asaj që duam që të jemi… pasqyrimi i padurueshëm i vetvetes tek tjetri. Prandaj njerëzit që na i thonë të vërtetat ose i urrejmë dhe i thyejmë, ose i dashurojmë dhe mbytemi brënda tyre.
Tunduese është dëshira për të parë veten në pasqyrë… munduese është frika të futemi brënda në të… ana tjetër e saj si mund të jetë vallë? thithëse…. Mbytëse… e ndrysheme?
-eja thotë ajo… kape pasqyrimin tënd… zhytu brënda në mua… dhe unë kam frikë… frikë nga një gjë kaq e dëshirueshme  po aq sa dhe e ndryshme….
Ulem në breg dhe shoh pasqyrimin. Muzgu po bie dhe ajo po vesh rrobën e saj misterioze të natës.
Madhëria e Tij nuk është dukur prej disa ditësh. Të ketë shtegëtuar vallë përgjithmonë? Nuk di çfarë më mban në breg, ndoshta ndonjë parandjenjë e paemër… dhe ja, papritur shoh në qiell një zog të madh me krahët e gjatë të hapur që më fluturon sipër kokës. Nuk e kisha parë kurrë në fluturim. Ulet pastaj ngadalë mbi një degë peme në bregun tjetër. Ndoshta nuk do zbresi sot mbi lagunë. Ndoshta ka qenë per vizitë diku, ndoshta ka ngrëne darkë tashmë. çfarë do ketë ngrënë vallë per darkë dhe me kë? Qëndroj akoma mbi gurin në breg. Dhe ja ku ulet Madhëria e Tij mbi barin e gjatë të ishullit të vockël në mes të lagunës. Bari i gjatë ia fsheh shikimit tim. Ndoshta do flejë atje…ndoshta ka renë të flerë. Por jo, ai del me ngadalësine e tij solemne dhe hedh hapat e para të kujdesëshme mbi ujrat e gjelbëra. Vërtet që ka ngrënë darkë sepse qëndron ashtu I palëvizur për një kohë të gjatë. Pastaj zgjat qafën e gjatë dhe fillon të shohë pasqyrimin e tij mbi ujë. Ul kokën edhe unë dhe shoh për të disatën herë veten mbi suprinën e lëmuar.
Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës… Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës…. Narcisti… apo Shtriga e Borëbardhës?

“Pasqyrë moj pasqyrë… do të të thyej apo do më thyesh?”