Tuesday, May 13, 2014

Avionë letre

Çdo ditë që kalon është gjurma e madhe
mbi gjurmën e vogël të ditës së shkuar...
të hapave që rendin për atje tek hijen lë
ku çfarë ishte, ç’është e ç’do të  jetë...
nuk dihet më...

E mekur është harresa  dhe e lodhur
si një gjumë në mes i ndërprerë
netët shkurtohen kur mëngjesi përzë  yllin
por janë gjithmonë të rënda
kuverta të ashpra që s’ ngrohin
as ftohin,
por  veç gërvishtin...

Po ditët si do t’i palosim në vazhdim...
trekëndëshe apo katrore?
Mos do t’i bëjme aeroplanë letre
që fluturojnë mbi një statujë të ngurosur
qiellit me një gropë të errët në gjoks..
apo vallë do shkrumbohen të gjitha
hi ëndrrash në zjarrin e dashurisë
së zezë të këtij dielli të verdhë...

Thursday, May 8, 2014

LOJE E RREZIKESHME



Loja mbaroi …
ne luajtëm…
derisa krahët na u këputën
veç vështrimi mbeti i gjallë
i ngulur
i valë...
sulmuam fort të  dy dhe u tërhoqëm…
e mundëm njëri tjetrin
u mundëm
ti  fshihje  asin nën dorë
unë vijat e dorës të lexoja…


Nga yjet frynte një erë e marrë…
furtunë
të humbur ishim të dy
në labirinthet e një puzzle të vështirë
përpara ti
e pastaj unë….

Në sa udhë dhe kryqe u ndalëm pa mbarim?
Ah, sa  shumë mund!
Mban mend si t’u lodhën veshët nga kuisjet
e  qenit të vogël nga i zoti rrahur?
Që e rrihte pse ulërinte dhe ai qante…
dhimbja   
rrahja
kush lindi e para vallë
në qarkun e mbyllur të pafund…?

Me sa letra luajtëm? Me sa vetë?
Sa hynë? Sa dolën? Sa u zbritën? Sa u mblodhën?
Sa herë shtigjeve të labirintheve u kryqëzuam?
Sa herë u përplasëm… puthëm.. dashuruam..?
Sa herë u tërhoqëm si dy magnete të marrë?
Sa herë nga shkëndijat e përplasjes u ndez zjarr?
Dhe u përshkrumbëm dhe vetë ..
përzhitje vet’ i tretë…. i katërt…i dhjetë...

Sa herë u betove…
për hënën që formën ndërron çdo natë...
sa herë me Janus të ngatërrova
kur ktheheshe nga të tjera dallgë...
“është veç lojë, shpirti im”
 përpiqeshe  të më qetësoje...?

Sa herë me frikë të shtyva
largova
refuzova
në netët kur shpirti të ndizej në magji
i hutuar ti humbe
u dorëzove
pastaj u martove me një shtrigë ngjyrë gri
( se në lojë gjithmonë ka një shtrigë që ne pritje rri)...

Si të kërkova më pas
dhe me frymë të mbështolla
e të ngroha për netë me rradhë
në  udhët e kryqeve 
ku erë e thatë kish bërë  kërdinë?
..........................................................
në  pyje shpirtrash eshtrat e shpirtit bluajta
me hirin shënova udhën e kthimit
dhe të fitova përsëri….

Por ishte veç një lojë
që nuk mund të mos e luanim
si një lojë  shahu
cfilitëse
e gjatë
të ndryshëm ishim  kur fitonim...
në humbje gjithnjë  të  barabartë...

Tani të lodhur,
në karrike metalike ulur
skeletet e  zhveshur 
vështrohen me kërshëri
dhe sytë “flasin” nga  zgavrrat boshe
“si thua…
do vish të luajmë përsëri?”