Sunday, June 22, 2008

Fustani i ri



Virginia Woolf

Kur Mabel po hiqte pelerinën pati dyshimin e parë serioz që diçka nuk shkonte mirë, ndërsa znj. Barnet, ndërkohë që i mbante pasqyrën, prekte furçat e flokëve duke tërhequr kështu vemëndjen e saj, ndoshta jo në mënyrë të dukshme mbi të gjitha paisjet për rregullimin dhe trajtimin e flokëve, tualetin e fytyrës, rrobat që ndodheshin në tavolinën e veshjeve, konfirmonte dyshimin që diçka nuk ishte ashtu siç duhej, diçka nuk ishte krejtësisht në rregull, ndjesi që rritej e rritej dhe ndërsa ajo zbriste shkallët i dukej sikur kjo ndjesi bëhej gjithnjë e më e fortë, dhe krejtësisht e bindur për këtë, ndërsa përshëndeste Clarissa Dalloway, shkoi drejt e në fund të dhomës , në një qoshe jo shumë te dukshme ku varej një pasqyrë dhe u pa. Jo! Diçka vërtet nuk shkonte. Dhe menjëherë i gjithë mjerimi të cilin gjithë kohën përpiqej që ta fshihte, pakënaqësia e thellë – ndjesia e të qënurit inferiore karshi njerëzve të tjerë që e kishte pasur që fëmijë - e përfshiu të tërën, në mënyrë të pamëshirshme, të pakthyeshme, me një intensitet të cilin nuk mundi ta mposhte dot ashtu si bënte kur ngrihej natën në shtëpi, duke lexuar Borrow ose Scott; por ah, tërë këta burrat dhe tërë këto gratë atje të gjithë ishin duke menduar tani – “ Çfarë paska veshur Mabel kështu? Çfarë dordoleci që duket! Çfarë fustani i neveritshëm!” - qepallat e tyre përpëliteshin, ndërsa ngjisnin shkallët dhe pastaj i mbylleshin
fort mbi sy. Ishte pikërisht kjo papërshtatshmëria e saj e ndyrë; mungesa e kurajos; ky gjaku i saj i poshtër, i holluar që e depresonin. Përnjëherësh tërësia e dhomës ku për orë të tëra, kishte bërë plane me rrobaqepësen e vogël se si do dukej më mirë, iu duk e ndyrë, e pështirë; dhe salloni saj i pritjes një gjë e vjetëruar, me atë vetë të fryrë në boshësi, tek prekte letrat në tavolinën e sallonit duke thënë me mëndjemadhësi “uf çfarë mërzije!”- e gjitha kjo tani i dukej tmerrësisht qesharake, e pavlerë dhe provinciale. E gjitha ishte shkatërruar tërësisht në mënyrë të paevitueshme, shpërthyese, pikërisht në momentin që ajo mbërriti në sallonin e pritjes se znj. Dalloway.
Ajo kishte qënë e ulur dhe po pinte një kupë çaj në atë mbrëmje kur ftesa e znj, Dallway kishte ardhur dhe natyrisht, kishte menduar që ajo nuk do mund të shkonte me nje veshje moderne. Biles as që mund t'i shkonte në mënd një gjë e tille- modernja donte të thoshte, prerje, stilim, donte të thoshte të paktën tridhjetë guineas - po pse të mos tregohej origjinale të paktën ? Ishte ngritur menjëherë në këmbë dhe kishte marrë një revistë të vjetër mode të mamasë së saj, një revistë me modën Parisiane të kohës së Mbretërisë, dhe kishte menduar se sa më të bukura, më dinjitoze, dhe më femërore ishin gratë e asaj kohe, dhe kështu kishte vendosur – oh çfarë budallallëku - të provonte të bëhej si ato, duke fryrë veten e saj, në vend të një pamje modeste vërtet të modës së vjetër por mjaft joshëse, ajo e kishte lëshuar veten, pa pikën e dyshimit në një orgji narcistike e cila meritonte të ndëshkohej, dhe ja se ku kishte përfunduar e veshur në këtë mënyrë.
Por ajo nuk kishte pasur guximin të shihej në pasqyrë. Nuk do kishte mundur të përballonte dot gjithë atë tmerr – fustanin e mëndafshtë me ngjyr
ë të verdhë të zbehtë të një mode idiotësisht të vjetër, me fund të gjatë dhe mëngë të larta me rripin e mesit dhe gjithë ato gjërat e tjera që dukeshin aq joshëse në librin e modës, por jo tek ajo, jo në mes të gjithë këtyre njerëzve të zakonshëm. Po i dukej vetja si një manekine, e vendosur në një sallë, ku të rinjtë ngulnin gjilpërat në të.
“ E dashur, je bërë kaq magjepsëse!” i tha Rose Shaw, duke e parë nga maja e kokës deri tek majat e gishtave, me atë mbledhjen ironike të buzëve që ishte krejtësisht e pritëshme - Rose për veten e saj ishte veshur sipas modës së fundit, pikërisht ashtu si visheshin gjithmonë edhe të tjerët në atë sallë.
Jemi të gjithë si mizat që përpiqen të dalin duke u zvarritur në buzë të një tasi, mendoi Mabel, dhe filloi ta përsëriste këtë frazë sikur të donte të kapërcente veten e saj, sikur po përpiqej të gjente formulën magjike për të çbërë gjithë këtë dhimbje, për ta bërë atë sa më të durueshme. Në momentet e agonisë së saj, papritur i vinin në mëndje thënie nga Shekspiri, rreshta nga libra që i kishte lexuar kohë më parë dhe ajo i përsëriste dhe përsëriste. “Miza që përpiqen të dalin duke u zvarritur”, përsëriti me mënd. Nëse ajo do mund ta përsëriste këtë aq shume sa ta bënte veten e saj t'i shikonte mizat, do bëhej e pandjeshme, e ftohtë, e ngrirë, e hutuar. Ja po i shikonte... mizat duke u zvarritur në një tas me qumësht me krahët e lagura të ngjitura pas trupit, dhe tendosej e tendosej ( duke qëndruar para pasqyrës, dhe duke dëgjuar Rose Shaw) ta bënte veten e saj të shihte Rose Shown dhe të gjithë të tjerët rrotull si miza, të holla, të pakuptimta, që përpiqeshin ta nxirrnin veten e tyre nga ndonjë vënd apo ta fusnin në ndonjë vënd, miza që mezi zvarriteshin. Por nuk po mundte t'i shikonte kështu, ose me saktë nuk po mundëte të shikonte kështu të tjerët. Ajo mund ta shihte veten e saj kështu,- ajo ishte një mizë, ndërsa të tjerët ishin pilivesa, flutura, insekte të bukura që vallëzonin, flatronin, dilnin mbi sipërfaqe, ndërsa ajo vetëm ajo tërhiqte veten mundimshëm për të dalë nga tasi. ( Zilia dhe mëria, veset më të neveritsh
ëm, ishin krye fajet e saja).
“ E ndjej veten si një mizë të vjetër , pa shije, të plakur, tmerrësisht të zymtë” foli duke e bërë Robert Haydon të ndaloje hapat për ta dëgjuar se çfarë po thoshte. E nxorri nga goja këtë fraze të varfer të dobët e gjunjëdridhur vetëm për të siguruar edhe njëherë veten e saj , për të shfaqur kështu edhe njëherë se sa e pavarur dhe sa mëndje mprehtë ishte ajo, që nuk ndjehej aspak si fundi i gjithçkaje. Dhe natyrisht, Robert Haydon, u përgjigj me diçka, krejtësisht të sjellëshme, krejtësisht të pasinqertë, të cilën ajo e pa tejpërtej menjëherë, dhe pasi ai kishte ikur i tha vetes, ( përsëri shprehje e marrë nga një libër), “ Gënjeshtra, gënjeshtra, gënjeshtra!”
Një festë i bën gjërat ose tepër reale ose aspak reale, mendoi ajo; për një fraksion të sekondës, pa thellë në zemrën e Robert Haydonit; ia pa gjithçka tejpërtej. Pa të vërtetën. KJO ishte e vërteta, ky sallon pritje, ajo vetë ndërsa të tjerët ishin të rremë. Dhoma e vogel e rrobaqepësisë së znj.
Milan ishte e vërtete edhe pse ishte tmerrësisht e nxehtë, e rrëmujshme dhe e ndyrë. Mbante erë rrobash dhe lakre të zjerë ; dhe përsëri, kur Znj. Milan i kishte dhënë pasqyrën në dorë, dhe ajo kishte parë veten të veshur me atë fustan, të sapo përfunduar, një rregëtimë e jashtëzakonshme kënaqësie i kishte përshkuar zemrën. Ishte mbushur me dritë dhe ishte shpërndarë nëpër ekzistencë. E çliruar nga meraku dhe nga rrudhat, ja se ku kishte qënë aty pikërisht ajo që ajo kishte ëndërruar të ishte – një grua e bukur. Ishte parë vetëm për një sekondë (ajo nuk guxonte të shikohej për një kohë të gjatë në pasqyrë, por znj Milan dëshironte të dinte gjatësinë e fundit), dhe ja ku e kishte parë vetveten, rrethuar me një kornizë me dru të kuq, e bardhe në gri, me një buzëqëshje misterioze, vajze joshëse, qëllimi i vetvetes, shpirti i vetvetes; dhe nuk ishte vetëm pëlqimi i vetvetes, nuk ishte vetëm narcizmi ai që e bënte të mendonte mirësisht, butësisht dhe vërtetësisht. Znj Milan tha që fundi nuk do dukej mirë nëse do ishte më i gjatë; dhe fundi, tha prap znj Milan duke rrudhur ballin, duke marrë parasysh gjithë njohuritë e saj rreth kësaj çeshtje, do duhej të ishte më i shkrutër, dhe ajo ishte ndjerë krejt papritur, ndershmërisht, plot dashuri për znj. Milan, me nje dashuri shumë më të thellë për znj Milan se sa për çdo njeri tjetër në botë,- dhe sa nuk kishte qarë nga keqardhja që znj. Milan për pak sa nuk ishte zvarritur në dysheme duke mbajtur në goje gjilpërat me kokë me fytyrën të skuqur dhe sytë e kërcyer – që një qënie njerëzore mund tia bënte këtë një tjetre dhe ajo i kishte menduar edhe ata të gjithë thjesht si qënie njerëzore edhe veten e saj duke shkuar në festë edhe znj Milan që zbulonte kafazin e kanarinës nga mbulesa, dhe që e linte atë të kapte një kokër liri midis buzëve të saj, dhe vetëm mendimi për këtë, për këtë anë të natyrës njerëzore të tolerancës të saj dhe të forcës për mbijetesë të të qënit e kënaqur edhe mes mjerimit, lakuriqësisë, ndyrësisë, që i rrethonte… këto kënaqësi të vogla ia kishin mbushur sytë me lot.
Ndërsa tani, të gjitha këto ishin zhdukur. Fustani, dhoma, dashuria, mëshira, pasqyra në kornizë, kafazi i kanarinës- të gjitha ishin zhdukur dhe ja ajo ishte gjëndur përsëri aty në qoshen e dhomës së pritjes së Znj. Dalloway, duke vuajtur torturën, e shkundur fort nga realiteti.
Por a nuk ishte një papërfillshmëri, dobësi, dhe mëndjengushtësi që të bëheshe merak për këto gjëra në moshën e saj me dy fëmijë, që të ishe akoma kaq tërësisht e varur në opinionin e njerëzve të tjerë dhe të mos kishe parime dhe bindje te tuat, të mos ishe e aftë t'u thoshe një fjalë njerëzve të tjerë ashtu siç ka thënë dikush, “ Ja Shekspiri! Ja vdekja! Ne jemi të gjithë brumbuj, mbledhur në biskotën e kapitenit” - apo çfarëdo gjëje tjetër që njerëzit thonë në të tilla raste.
I qëndroi përballe vetes së saj në pasqyrë, çukiti me dorë supin e majtë, në mënyrë te tillë që ra në sy, sikur një tufë shtiza të ishin hedhur në fustanin e saj të verdhë nga të gjitha anët. Por në vend që të dukej e frikësuar apo tragjike, siç do kishte bërë Rose Shaw- Rose do ishte dukur si Boadice – ajo ishte dukur e budallallepsur dhe e ndërgjegjëshme, ishte zgërdhirë si një gjimnaziste dhe kishte ecur me supe të mbledhura nëpër dhomë, në mënyrë krejt tinëzare, sikur të ishte një këlysh i rrahur, kishte qëndruar pastaj dhe kishte parë një pikturë, që nuk ishte gjë tjetër veç se një grafikë e zakonshme. Sikur të kishte ardhur në festë për të parë pikturën! Të gjithë e dinin pse e bënte këtë ajo - e bënte nga turpi dhe poshtërimi.
“Tani miza është brënda në kupë të qumështit » foli me vete, « drejt e në mes, dhe nuk mund të dali dot jashtë ndërsa qumështi, » mendoi duke vështruar e ngrirë pikturën, “ ia ka ngjitur të dyja krahët me trupin.”
“ Është kaq jashtë mode”, i tha Charles Burtit, duke e penguar ( gjë të cilën ai e urrente) kur ai ishte drejtuar ti fliste dikujt tjetër.
Ajo donte të thoshte, ose të paktën u përpoq ti mbushte mëndjen vetes që donte të thoshte, që ishte ajo piktura atje që ishte jashtë mode dhe jo fustani i saj. Dhe qoftë edhe një fjalë e vetme aprovimi, një fjalë e vetme afeksioni, nga Charles, do kishte bërë një goxha ndryshim pozitiv tek ajo në atë çast. Nëse ai do kishte thënë diçka si për shëmbull “ Mabel, ju dukeni e magjishme sonte!” sikur të kishte thënë diçka të tillë, vërtet që do kishte ndikuar në jetën e saj. Por në këtë rast asaj do ti ishte dashur të ishte e vërtetë dhe direkte. Charles natyrisht, nuk tha asgjë të këtij lloji. Ai ishte vetë ligësia. Kishte gjithmonë aftësinë ta shikonte tjetrin tej për tej, sidomos nëse dikush ndjehej vecanërisht keq, i pavlerë apo budalla. “Mabel paska veshur fustan të ri!” tha ai dhe miza e shkretë ishte tani absolutisht e dukëshme mu në mes të kupës. Në të vërtetë ajo besonte, që atij do i ishte bërë qefi nëse do e shikonte atë të zhytej. Ai nuk kishte zemër, nuk ekzistonte mirësi në thellësi të tij, por vetëm një celofan miqësie. Znj Milan ishte shumë me e vërtetë se ai, shumë më e mirë. Eh, sikur njeriu të ndjente vetëm këtë dhe të qëndronte vetëm me këtë ndjesi gjithmonë. « Po pse, » pyeste ajo veten - duke i replikuar Charles me aq pacipëri, sa e bëri atë të mendonte që ajo i kishte kaluar kufijtë e arsyes, ose ishte e « shqetësuar » siç ia vuri emrin ai ( « apo jeni e shqetësuar ? » e kishte pyetur ai dhe kishte shkuar të tallej me të, tek një grumbull tjetër grash pak më tutje)- « Po përse vallë, » pyeti ajo veten e saj, «unë nuk mund të jem krejtësisht e sigurt që znj Milan është në rregull dhe Charles nuk është, dhe t'i qëndroj fort këtij mendimi, të ndjehem e sigurt për atë që ndodhte me kanarinën si dhe për keqardhjen dhe dashurinë dhe të mos fshikullohem në sekondë nga të gjitha anët duke ardhur në këtë dhomë plot me njerëz ? »
Por gjithmonë në momentet më kritike, shfaqej përsëri ai karakteri i saj i neveritshëm, i dobët, i lëkundur, që kurrë nuk kishte qënë i interesuar seriozisht për studimin e molusqeve, për etimiologjinë, botanikën, arkeologjinë, prerjen mes për mes të patateve dhe studimin e mbirjes së tyre, si Mary Dennis, si Violet Searle.
Pastaj iu desh edhe znj. Holman, që duke e parë që po rrinte e vetmuar, erdhi si për t'ia shtuar akoma më shumë mërzinë. Natyrisht, një gjë e tillë si psh. fustani i Mabel, nuk mund të vihej re nga znj. Holman, me familjen e saj që gjithmonë ose do rrokullisej poshtë shkallëve ose do kishte ethet e kuqe. Do mundej vallë Mabel t'i thoshte asaj që nëpër Elmthrope gjithmonë lihej të shëtitej në Gusht apo Shtator? Oh, ishte një bashkëbisedim që në mënyrë të padiskutueshme e kishte mërzitur ! - I ngriheshin nervat kur e trajtonin si një agjent shtëpishë ose si një postier, vetëm për ta përdorur. I dukej vetja krej pa vlerë, kjo ishte e gjitha, mendoi , duke u përpjekur të zhvaste ndonjë gjë për të qënë, ndonjë gjë reale, ndërkohë që përpiqej të përgjigjej me ndjeshmëri rreth banjos, rreth problemit në qoshen e jugut, dhe ujit të ngrohtë në katin e sipërm të shtëpisë; dhe gjatë gjithë kohës ajo vazhdonte të shikonte fragmete të vogla të fustanit të saj të verdhë në pasqyrën e rrumbullakët, e cila e tregonte ate pjesë pjesë në përmasat e vrimave të lidhëseve apo të një larve; dhe ishte e çuditëshme të mendoje se sa shumë poshtërim dhe agoni, neveri të vetvetes dhe mundim, ulje e ngritje pasionante të ndjesive përmbahej në secilën nga ato copëza me përmasat e një qindarke. Dhe çfarë ishte akoma më e çuditëshme, kjo gjëja, kjo Veshja Mabel, ishte e shkëputur, krejtësisht, ne botën e saj dhe megjithëse znj. Holman ( pulla e zeze) ishte duke u zgjatur drejt saj dhe po i tregonte se si djali i saj i madh kishte sforcuar zemrën duke vrapuar, ajo e shihte edhe atë, krejtësisht të ndare në copëza në pasqyrë, dhe megjithëse ishte e pamundur, që ato pullat e zeza, që përkuleshin në drejtim të saj dhe bënin me shenja, të mund t'i bënin pullat e verdha, që ishin ulur aty në vetmi, përqëndruar në vetvete, që të ndjenin atë që pullat e zeza ndjenin, ato prap se prap përpiqeshin ta bënin këtë.
“ Është kaq e pamundur t'i mbash urtë djemtë”- kjo ishte gjithë sa ajo mundi t'i pergjigjej.
Dhe znj. Holman, e cila ngaqë nuk mund të gjente kurrë simpati të mjaftueshme sa ç'kërkonte, zhvaste çdo gjë të vogël me makutëri, sikur të ishte e drejta e saj ( ajo meritonte shumë më tepër por vajza e saj e vogel sapo kishte zbritur nga shkallët dhe kishte një enjtje në nyjen e gjurit) e kishte marrë këtë përgjigje të mjerueshme dhe e kishte parë me dyshim pa qejf, si të ishte një gjysëmqindarkë kur pritej të ishte një qindëshe, dhe e kishte hedhur në çantën e saj, sa e ligë dhe kurnace që ishte bërë kjo botë , kohë të vështira kishin ardhur, tepër të v
ështira; Znj. Holman kishte berë më tutje, me shpirt të copëtuar për shkak të vajzës së vogël me nyjen e enjtur. Ah, kjo ishte tragjike, kjo makuteri, kjo kërkesë e qënieve njerëzore, që si një rresht patash të egra, duke krakaritur dhe përplasur krahët kërkonin simpati – ishte tragjike, të mendoje se si dikush e kishte ndjerë këtë dhe thjesht pretendonte që nuk e kishte ndjerë kurrë.
Por sonte nën atë fustan të verdhë ajo nuk mund të shtrydhte jashtë as edhe një pikë të vetme; e donte për vete të gjithën për vete. E dinte ( ajo vazhdonte të shikohej dhe shikohej në pasqyrë e zhytur në një pellg blu të frikshëm që e bënte edhe më të dukshme) që ajo ishte e mallkuar, e refuzuar, e lënë ashtu në izolim, për shkak se ishte një krijesë e dobët dhe e urryer; i ishte mbushur mëndja që fustani i verdhë ishte një shpagim plotësisht i merituar, biles edhe nëse do ishte veshur si Rose Show, me një fustan aq të këndshem të blertë, të ngjitur pas trupit me rradhë pupalsh te buta mjellme në të, prapë se prapë ajo do e meritonte ndëshkimin; nuk kishte shpëtim për të - asnjë lloj shpëtimi të vetëm. Por në fund të fundit nuk ishte faji i saj. Ishte të qënët e një nga dhjetë pjestarët e familjes së saj; asnjëherë nuk kishin pasur mjaft të holla… gjithmonë tërhiq e mos këput… nëna e saj që mblidhte kavanoza të mëdhenj… linoleumi në buzë të shkallëve i ronitur dhe tragjeditë e vogla të shëmtuara familjare njëra pas tjetrës - jo ndonjë gjë katastrofike… ferma e deleve e rrënuar, gjithsesi jo krejtësisht… vëllai i saj më i madh i martuar me një rrang poshtë të tyrit, po jo shumë më poshtë - pa ndonjë romancë, asgjë ekstreme për ta. Ata trajtoheshin me respekt në zonën turistike në bregdet; Pothuajse në çdo njërën prej ngastrave mund të gjeje një hallë të saj, që flinte brënda në ndonjë shtëpizë me ballin jo krejtësisht nga deti. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe ajo - ajo ishte tamam si hallat e saja. Në të gjitha ëndrrat e saj për të jetuar në Indi, martuar me një hero si për shembull Sir Henry Lawrence, me ndonjë themelues mbretërie ( edhe tani vizioni i një indiani me çallmë e mbushte me ndjesi romantike), ajo kishte dështuar tërësisht. Ishte martuar me Hubertin, me punën e tij të sigurte të asistentit të përhershëm në Gjykatë, ata arrinin të menaxhonin kështu një shtëpi mjaftueshmërisht të vogël, pa ndonjë shërbyese për të qënë, mish me patate në përgjithësi dhe kur ajo ishte vetëm… bukë me gjalpë, por tani e paskëtaj – znj Holman kishte zbritur, duke menduar për të si për degëzën më pa lëng, më antipatike që ajo kishte parë ndonjëherë, dhe jo vetëm kaq, por e veshur në mënyrën më absurde dhe do i tregonte tani të gjithëve për aparencën fantastike të Mabel - tani e paskëtaj, mendonte Veshja Mabel, e lenë vetëm në kanapenë blu, duke shpupurisur jastëkun në mënyrë që të dukej sikur po merrej me diçka, meqë nuk po shkonte të bashkohej edhe ajo me Charles Burt dhe Rose Show që po krakarisnin si laraskat dhe ndoshta ishte ajo objekti i të qeshurave të tyre, aty anës vatrës – tani e paskëtaj, ja se ku i erdhën në mëndje ato momentet e saj të këndëshme, leximi i librit në shtrat natën e kaluar , ose poshtë në breg të detit herët në agim, nëpër rërë nën diellin e mëngjesit, për Pashkë – prit të kujtohej pak – një tufë e madhe e zbehtë shqope qëndruar e mbledhur si shigjetat në këllëf dhe e dretjtuar përkundrejt qiellit, që ishte bojeqielli si një veze e lëmuar kineze, kaq i tërhequr, kaq i fortë, dhe pastaj melodia e valëve – “Hush, hush,” përshpërisnin ato, dhe zërat e fëmijëve që pllaquriteshin – po, këto ishin momente të bekuara dhe aty ajo prehej, ndjehej në duart e asaj Perëndeshës që ishte e gjithë bota; vërtet Perëndeshë shpirtfortë, por ama shumë e bukur, ndjehej si një qëngj i shtrirë në altar ( ajo mund të mendonte të tilla gjëra qesharake sa të donte për sa kohë që nuk i thoshte me zë të lartë dhe asnjë nuk i dinte). Me Hubertin gjithashtu, ndonjëherë kishte momente krejt te papritura – ( duke prerë mishin e qingjit për drekën e së dielës, fare pa ndonjë shkak, duke hapur një letër, thjesht duke u futur në dhomë) – momente qiellore këto, në të cilat ajo i thoshte vetes ( vetes dhe askujt tjetër në botë), “ Kjo është e gjitha. Pikërisht kjo që po më ndodh tani. Kjo është gjithçka!” Por mënyra tjetër e të ndjerit te gjërave ishte po aq e papritur sa dhe e para – kjo ndodhte kur çdo gjë ishte ashtu siç duhej – muzika, moti, pushimet, çdo arësye për të qënë e lumtur ishte atje – dhe prap asgjë nuk i hynte në sy. Ajo prapë nuk ishte e lumtur. Ngaqë ishte dyst, dyst fare, ja kjo ishte e gjitha.
Ja dhe mundimi i vetvetes përsëri, pa dyshim! Kështu kishte qënë ajo gjithmonë një qaramane, e dobët, një nënë aspak e kënaqëshme, një grua e lëkundur, rehatuar në një lloj ekzistence të mugëtyer me asgjë shumë të qartë apo shumë të dukëshme, ose me ndonjë gjë më të rëndesishme se tjetra, njësoj si të gjithë motrat dhe vëllezërit e saj, duke përjashtuar ndoshta vetëm Herbertin - të tjerët ishin njësoj të gjithë krijesa të varfëra me gjak të hollë që nuk bënin ndonjë gjë. Pastaj, mu në mes të kësaj jete kacavjerrëse, zvarritëse, papritur ajo ishte gjëndur në maje të kësaj dallge. Ky fluturim i mundimshëm – ku e kishte lexuar vallë atë historinë që i vinte papushim në mëndje, për mizën brënda në tas ? – kishte nisur betejën brënda saj.
Po, ajo vërtet kishte pasur ato momentet. Por tani që ajo ishte dyzet, ato ndoshta do e vizitonin gjithnjë e më rrallë. Hap pas hapi ajo do humbiste aftësinë për të luftuar akoma. Dhe kjo ishte e vajtueshme! Kjo nuk mund të durohej! Kjo e bënte që të kishte turp nga vetja e vet!
Ajo do shkonte në librarinë e Londrës nesër. Do gjente patjetër atje, qoftë dhe krejt rastësisht, ndonjë libër të shkëlqyer, të dobishëm, mahnitës, ndonjë libër të shkruar nga ndonjë klerik apo nga ndonjë Amerikan për të cilin asnjeri nuk kishte dëgjuar ndonjëherë ; ose mund të shëtiste nëpër Strand dhe të rrëzohej, aksidentalisht, në ndonjë sallë ku një minakërkues ishte duke treguar për jetën në gropat e minave, dhe krejt papritur të bëhej një tjetër njeri. Të transformohej krejtësisht. Mund edhe të vishte një uniformë ; mund të quhej Motër Filanja ; kurrë më nuk do mendonte për veshjet që e mbulonin. Dhe atëhere e paskëtaj ajo do ishte krejtësisht e qartë për diferencën midis Charles Burt dhe znj.
Milan dhe të kësaj dhome dhe të asaj dhome; dhe kjo do mbetej kështu ditë pas dite edhe kur ajo të shtrihej nën diell apo të priste mishin e qingjit. Kështu do të bëhej !
Kështu ajo u ngrit nga kanapeja blu dhe pulla e verdhë u ngrit gjithashtu nga pasqyra dhe përshendeti me dorë Charlesin dhe Rosen për t'i treguar që ajo nuk varej nga ato as një thërrime, pulla e verdhë u zhduk nga pasqyra dhe me të gjitha shigjetat të mbledhura në gjoksin e saj ajo bëri drejt znj. Dallway dhe tha «natën e mirë. »
«
Po është akoma shpejt për të ikur » tha znj Dallway, e cila ishte gjithmonë po kaq joshëse.
« Mendoj që më duhet të iki, » tha Veshja Mabel. « Por, » shtoi ajo me një zë të dobët, të dridhur që bëhej më qesharak nga përpjekja e saj për ta forcuar, « Unë u kënaqa vërtet shumë . »
« U kenaqa , » i tha përsëri znj. Dallway, e cila e takoi tek shkallët.
« Gënjeshtra, gënjeshtra gënjeshtra ! » i tha vetes së saj, ndërsa zbriste shkallët dhe « drejt e në kupë të salcës » vazhdoi të fliste me vete, ndërsa falenderonte znj Barnet që po e ndihmonte të mbështillej rreth vetes, rretheqark dhe rretheqark dhe rretheqark, me pelerinën e saj Kineze që e mbante të veshur që prej njëzet vjetësh.

Perktheu: Merita Paparisto